VV del me reagim zyrtar pas aktakuzave, thotë se kishin pasur të drejtë për Gjykatën Speciale

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas publikimit të aktakuzave ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryetarit të PDK’së, Kadri Veseli. VV thotë se gjithmonë do të mbrojë luftën e UÇK’së. Në një reagim të gjatë, VV thotë se fakti që kjo aktakuzë ka ndodhur tre ditë para takimit në Uashington tregon që Kosova është në pozitë të dobët para Serbisë në tavolinë të dialogut.

“Pala serbe shkon në këtë takim duke pretenduar legjitimitet pas zgjedhjeve të reja, edhe pse ato janë bojkotuar nga opozita e kontestuar nga faktorë ndërkombëtarë, ndërsa pala kosovare shkon aty me një qeveri jolegjitime të krijuar pas akrobacive kushtetuese, pa mbështetje popullore, e tashmë edhe me një president figura e të cilit rëndohet prej këtyre aktakuzave të njoftuara. Në një tryezë të tillë përfaqësuesit e Kosovës do të paraqiten si të njollosur e të akuzuar, ndërsa ata të Serbisë do të luajnë me zë të lartë rolin e viktimës që kërkon dëmshpërblim, edhe pse Aleksandër Vuçiqi ka qenë ministër i qeverisë gjenocidale të Millosheviqit. Për Kosovën kjo ka kosto të mëdha, të cilat nuk zgjidhen duke dërguar përballë Vuçiqit që kontrollon 90% të parlamentit serb, Avdullah Hotin i cili as në subjektin e dytë parlamentar nuk ka qenë ndër më të votuarit”, thuhet në komunikatë.

‘’Së dyti, në deklaratën e ZPS thuhet se ky publikim po bëhet për shkak se krerët politikë të akuzuar po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të sabotuar dhe penguar punën e këtij institucioni. Është për t’u habitur se si këta politikanë që mbajnë poste të larta e që përfaqësojnë Kosovën, veprojnë në mënyrë kaq joinstitucionale. Janë pikërisht vetë këta që e kanë votuar dhe e kanë vendosur Gjykatën dhe Prokurorinë Speciale në Kosovë.’’, thuhet tutje.

Po ashtu, VV vë theksin tek vendimi i vitit 2015 kur ky subjekt votoi kundër themelimit të Gjykatës Speciale.

‘’Në qershor të vitit 2015 Lëvizja VETËVENDOSJE! shprehej se “Gjykata Speciale është padrejtësia më e madhe që i bëhet shtetit të Kosovës që pas shpalljes së pavarësisë.”. Subjekti ynë, me sinqeritet e ndershmëri, të vetëdijshëm për çmimin e lartë kombëtar e shtetëror që do të pësonte Kosova nga një përçudnim i tillë i sistemit të brendshëm gjyqësor, e kundërshtoi këtë Gjykatë, edhe në Kuvend, e edhe duke mbështetur protestat. Mirëpo siç dihet kjo gjykatë u mbështet me forcë dhe u votua nga subjektet e tjera parlamentare.’’

VV bën të ditur se beson në luftën e pastër të UÇK’së dhe do të angazhohet që të mbrojë atë.

Ardian H

Read Previous

Real Madridi starton me Hazard, Bale dhe Vinicius kundër Mallorcas

Read Next

Butrinti po sjell hitin e verës