Kulture Letërsi 

VARGJE ME MOTIVE KRENARIE

Shkruan: Safet HASANI

(BEDRI TAHIRI, “ÇASTE SHPIRTI”, Lena, Prishtinë, 2019)

Profesor Bedri Tahiri, është shkrimtar, historian, publicist e poet, që, kësaj here, na vjen me librin e titulluar  “ÇASTE SHPIRTI ”, ku ka përmbledhur një tufë poezish lirike, të cilat përbëjnë një thesar në vete.

Po cilat qenkan ato çaste shpirti?

Poeti më së miri e shpreh përmes vargjeve lirike, përkushtimi ndaj dëshmorëve dhe heronjve, vendlindjes së tij, të vërtetat që sot përballet shoqëria jonë, e më e veçanta për poetin janë vargjet që ua kushton dy prindërve të tij, poezi këto që me sa duket sikur janë shkruar kohë pas kohe, por që poeti tani e ka zgjedhur momentin t’i botoj në letër. E këtë gjendje shpirtërore ai e shpreh në poezinë e parë “DRENICËS”, duke qëndruar “shpirtërisht i lidhur përmes vargjeve”, shkruan poeti që janë të shkruara nga shpirti, janë ato “ÇASTE SHPIRTI”, me të cilat ai ka ndërtuar një lidhje të fuqishme përmes të cilës sillet i tërë strumbullari i fenomenit “Çaste” nga “Shpirti”.

Në anën tjetër është paraqitur edhe fenomeni i ndjeshmërisë, që ka të bëjë me dashurinë për vendlindjen, ku ka ndjerë qetësinë në shpirt, dhe kështu i mallëngjyer për atdheun dhe vendin e lindjes, ka nisur jetën me plot siguri, që gjatë tërë kohës i ka kushtuar shkrime të lavdishme, andaj edhe motivet poetike i mbulon me ëndje, tamam siç e thotë edhe në poezinë “DRENICËS”:

Oj Drenicë me fushë e gropa

Kurrë s’durove lot e robëri

Barbaria që të qëlloj me topa

Bijtë e tu të thurën lavdi

Pavarësisht punimeve të tij të shumta historike-letrare, me poezitë e tij, Bedri Tahiri e plotëson zbrazëtinë, ku përmes vargjeve duket sikur e ka gjetur çelësin e rrugës së ngrohjes shpirtërore. Vargu poetik i Bedri Tahirit, ka një motiv krenarie të theksuar, sado që aty ka edhe revoltë për të mos u dorëzuar, ka mospajtime, e si një njeri i penës së mirëfilltë që është, ka qëllim, të cilin dëshiron për ta realizuar, për ta identifikuar artin e tij historiko-shkencor me atë letrar, andaj të gjitha angazhimet e tij në veprimtarinë shkencore kanë një qëllim, që motivohen nga ky synim, për të cilin ai ka punuar tërë jetën. Në këtë mënyrë ai kishte obligim moral t’u përkushtonte prindërve të tij vargje shpirti, siç shkruan në poezitë “LAMTUMIRË NËNË”, “BABAIT”, “GJYSHËRIT”, e një përkushtim tjetër emblematik dhe një dashuri të pakufishme për vendin e tij shpreh në poezitë: “GALICËS”,“PLISIT“ “KTHIMI NË VENDLINDJE”, “NUSJA E ARBËRISË”. Një përkushtim fisnik dhe dinjitoz, që e bënë atë “Çaste shpirti”, edhe më përjetuese, por nga ky këndvështrim edhe më fisnike dhe njerëzore:

Vend i bukur, vendlindje hyjnore

Të  lë më, të  braktisë m, ikë m me radhë

Kur n’ballë  t’vezullonin rrudhat arbërore

Ti përballove, loti të  ngriu në  qepallë

                                                  (GALICËS)

* **

Herët e pate lënë vendlindjen,

Vicianën me kalldrëm të gurtë

Erdhe burrë katërqind dërhemë

Hero e diplomat i fjalës së urtë

                       (KTHIMI NË VENDLINDJE)

Vetë titujt e poezive  “GALICËS”, “DRENICËS”, “KTHIMI NË VENDLINDJE”, janë tregues se sa poeti është i dhënë dhe i lidhur për vendin ku jeton, ku këto vargje janë më tepër se modeste, por edhe modestia është e tepruar përballë tragjedisë së emigrimit që shqiptarët po largohen nga vendlindja.

Një vend të spikatur e zënë padyshim poezitë më motive sociale, ku poeti ka arritur si rrallëkush që të portretizojë kohën e sotme përmes figurave të goditura artistike dhe njëkohësisht të sjellë shpirtin e tij të trazuar, vetminë, mllefin dhe vuajtjen e pakufishme për padrejtësitë e kohës, me poezitë: “NDARJA”, “PËRBALLJA”, “E VËRTETA”, “RRAHAGJOKSËT”, “ZEZONËJERMIA”, “TJETËRSIMI”, “MOHIMI I BREZAVE”, “DRITHËRIMË ZEMRASH”.

Në  mos paçim kohë  e dije

Për punë  t’mira e të  mëdha

A mund të  rrimë  burrërisht

Pa shpifë  e për pa u përça

                       (RRAHAGJOKSËT)

……

Dikur ishte krejt më  ndryshe

Dhe mbase mund të arsyetohej

Kur shqiptari i nëpërkëmbur

Detyrohej edhe të tjetërsohej

                                     (TJETËRSIMI)

…..

Kurrë  nuk ëndërrova syçelë

Siç veprojnë  shumë  të  mjerë 

Kur bëjnë  hesape pa hanxhinë

Dhe gjithë  thatë  e kanë  tepsinë

                            (MOHIMI I BREZAVE)

Me këto poezi poeti i jep udhë shpirtit të brendshëm, merr guximin për të thënë se në shkrimet e tij është vetvetja, për t’i shkruar mendimet, guxim ky, i cili është dëshmi se poeti nuk qëndron duarkryq karshi këtyre fenomeneve që kanë kapluar shoqërinë shqiptare kohëve të fundit, dhe krejt në fund guximi për të besuar në lidhjen me lexuesin, sepse poezia është para se gjithash komunikim.

Por, ajo që bie në sy nëpër vargje të këtyre poezive janë ato përmbajtje lirike, me të cilat e njohim poetin thuaje në të gjitha shkrimet e tij, si në ato historike, ashtu edhe në ato letrare. Poezitë me përkushtime të kësaj natyre, qofshin lirike apo epike, janë një ndjenjë e rrallë, kanë një fuqi tërheqëse që shfaqin një sinqeritet absolut në raport me njerëzit e zemrës së tij, jo vetëm në planin letrar, por edhe në raportet njerëzore, sepse pa pasur njerëzi dhe fisnikëri, nuk dalin as motivet kaq të fuqishme. Këto i gjejmë në poezitë e kësaj  përmbledhjeje:“LIRISË”,“LIRIA”,“LULËKUQET E LIRISË”, “PAVARËSIA”, “KRENARIA JONË”, “DËSHMORI”, “HISTORIA”.

Vargjet e cituara më parë nga përmbledhja “ÇASTE SHPIRTI” shënjojnë nivelin e lartë artistik që përshkon gjithë poezinë e Bedri Tahirit. Gërshetimi i natyrshëm i lirikës dhe epikës del në shumë poezi përkushtuese për figura të ndritura kombëtare, si në: “ADEM JASHARIT”, “PËRTEJ VDEKJES” , “SHTJEFËN GJEÇOVIT”, “SHTERG I QIEJVE”, “I PËRJETSHMI”, “KALTËRSI ZYMTËSIE”, “MENDJENDRITURI”, “SHPIRTBARDHI”, “PREHU NË PËRJETËSI”, “NUK MË BESOHEJ”, “ORAKULLI”, “PAVDEKËSIA”, “NUK VDES PROFESORI E ARTISTI”, “BESNIK I SË VËRTETËS”, “LOTI MË NGRIU NË QEPALLË”. Atë çfarë bëri ky poet, përmes këtyre vargjeve, është përkushtimi ndaj figurave të ngritura kombëtare, njerëzve të penës dhe të pushkës, atyre, të cilëve duhet thurur vargje nga çdo poet e shkrimtar.

Bedri Tahiri, në krijimet e tij poetike, portretizon e përjetëson për mrekulli edhe figurat madhore kombëtare si Gjergj Kastriotin -Skënderbeun, Adem e Hamëz Jasharin, Hasan Prishtinën, Azem e Shote Galicën, etj., të cilat i transformon me mjeshtri të rrallë të diskursit letrar, duke i vënë në funksion të ideve artistike. 

Duke e shikuar në tërësinë e saj, mund të themi lirisht se krijimtaria poetike e Bedri Tahirit, tashmë zë një vend të merituar, jo vetëm në kuadër të poezisë lirike, që u krijua e krijohet në Kosovë, por edhe të letërsisë shqipe në përgjithësi në trojet shqiptare. Bedri Tahiri tashmë ka krijuar profilin e tij të dëshmuar krijues, që është vlerësuar, jo vetëm nga lexuesit e shumtë anekënd trojeve shqiptare, por edhe nga vetë kritika letrare.Vushtrri, dhjetor 2019

Të fundit nga kategoria

Leave a Comment

Social media & sharing icons powered by UltimatelySocial