Bota Lajme 

Ukraina nis hetim penal për urën lidhëse të Rusisë me Krimenë

Ukraina ka nisur hetim penal pas hapjes zyrtare të linjës hekurudhore që lidh Rusinë dhe Gadishullin e Krimesë, të pushtuar nga Rusia.

Treni rus, në pronësi të kompanisë hekurudhore, Grand Service Express, është nisur nga Shën Petersburgu më 23 dhjetor dhe ka arritur në Sevastopol më 25 dhjetor.

Treni i kësaj kompanie private ka qenë i pari që ka kaluar nëpër këtë urë.

Kievi, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ndërtimin e urës nga Rusia, duke e konsideruar si shkelje të sovranitetit të Ukrainës.

Për më shumë, fuqitë evropiane kanë vendosur sanksione në kompanitë e lidhura me ndërtimin e urës 19-kilometërshe.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ka thënë përmes një deklarate më 25 dhjetor se ka “hapur rast penal në lidhje me kalimin ilegal të një treni pasagjerësh në kufirin shtetëror të Ukrainës”.

Moska ka hapur zyrtarisht urën për trafik hekurudhor më 23 dhjetor.

Zona për trena përbën zgjerim të urës, pasi në maj të vitit të kaluar, Rusia ka hapur këtë urë për shfrytëzim nga makinat.

Ura ka kushtuar 3.7 miliardë dollarë dhe është më e gjata në Evropë, duke tejkaluar edhe Urën Vasco de Gama në Portugali.

Krimea është e lidhur vetëm me Ukrainën, andaj për ta lidhur atë me Rusinë është nevojitur një urë.

Departamenti amerikan i Shtetit ka dënuar ndërtimin e urës, duke thënë se është bërë “pa lejen e Qeverisë së Ukrainës”, transmeton rel.

Rusia ka aneksuar Gadishullin e Krimesë nga Ukraina më 2014. Ky aneksim nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar.

Rusia po ashtu ka mbështetur luftëtarët separatistë në luftimin e forcave të Kievit në lindje të Ukrainës, në një luftë që ka lënë të vrarë më shumë se 13,000 persona nga viti 2014.

Të fundit nga kategoria

Leave a Comment

Social media & sharing icons powered by UltimatelySocial