Tahiri: Thaçi e Veseli gjithmonë ia kanë shuar ëndrrat Surroit, prandaj është shfrenuar

Ish-Ministri i Drejtësisë nga radhët e PDK’së, Abelard Tahiri ka thënë se Hashim Thaçi e Kadri Veseli, si drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë prishur përgjithmonë shumë ëndrra Veton Surroit.

Sipas tij, Veton Surroi sot shfrenohet nga entuziazmi, sepse për shkak të Thaçit e Veselit i janë shuar përgjithmonë ëndrrat jugosllave me të cilat është ngjizur.

“Ia kanë prishur ëndrrën e mëkëmbjes së Jugosllavisë, ëndrrën e Beogradit si epiqendër kulturore dhe politike të gravitimit të shqiptarëve, ëndrrën e orientimit titist të shoqërisë sonë të lirë. Hashim Thaçi e Kadri Veseli, si drejtues të UÇK-së, e kanë nxjerrë Kosovën nga periferia e historisë dhe e kanë bërë atë histori të suksesit, të pastër, të drejtë, të rreshtuar pro demokracisë dhe Perëndimit”, ka shkruar Tahiri.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar dje se ka dorëzuar aktakuzë ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli. Aktakuza pretendon se Thaçi dhe Veseli dyshohen se janë përgjegjës për vrasjen e 100 personave.

Në njoftimin nga Haga thuhet se një gjykatës i procedurës paraprake është duke e shqyrtuar aktakuzën dhe do të marrë vendim nëse do ta konfirmojë atë.

Aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e ZPS-së se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm.

Ardian H

Read Previous

“Dorëheqja e Presidentit është e pashmangshme për parandaluar njollosjen e shtetit në arenën ndërkombëtare”

Read Next

Zyrtare: Dortmundi transferon futbollistin e PSG-së