‘Spitali me shpejtësi të madhe’: Brenda trenit me të cilin po transportohen të prekurit me coronavirus në Francë

Një nga trenat me shpejtësi të lartë në Francë, që zakonisht përdoret për të bartur udhëtarët dhe turistët në të gjithë vendin, është pajisur për të transportuar pacientë me coronavirus nga lindja e prekur në spitalet në perëndim.

Sipas medieve franceze, përcjell Telegrafi, çdo kabinë të trenit, përveç pacientëve, përfshin edhe një mjek të kujdesit intensiv, një anestezist dhe tre infermierë.

Në total, rreth 50 persona, përfshirë kujdestarët dhe stafin ndihmës, janë në bord gjatë transportit.

“Rajoni lindor është në kulmin e valës së tij, të cilin me siguri do ta përjetojmë në rajonet tona në javët e ardhshme”, shpjegon Lionel Lamhaut, mjeku përgjegjës për transportimin e pacientëve.

“Ideja është që të punohet rajonet tjera për të marrë pacientë nga rajonet që janë në kulmin e plotë të epidemisë, për t’i transportuar ata drejt rajoneve aktualisht më të qetë, dhe më pas këto rotacione mund të ndodhin në të gjithë vendin apo edhe në Evropë”.

Po sipas të njëjtit medium, për disa javë, spitalet në Francën lindore janë mbushur nga një fluks i madh pacientësh.

Ndërkohë thuhet se një aeroplan i ushtrisë franceze Airbus tashmë ka evakuuar disa pacientë në spitale të tjerë në vend. Ndërsa disa të tjerë janë dërguar me helikopter në vendet fqinje, veçanërisht në Gjermani.

Ndryshe, Franca njoftoi gjithsej 25.233 raste të konfirmuara COVID-19 të mërkurën pasi numri i vdekjeve arriti në 1.331, me 231 vdekje të reja brenda një dite.

Shumica e rasteve kanë ardhur nga lindja e vendit, ku spitalet kanë luftuar për të përballuar ngarkesën.
Autoritetet franceze kanë thënë se më shumë trena mund të organizohen nëse është e nevojshme.

Ndërkohë, Presidenti Francez Emmanuel Macron tha se Franca do të nisë një operacion të ri ushtarak dhe një plan “masiv” investimesh për spitalet për të ndihmuar në kontrollin e pandemisë coronavirus.

Operacioni ushtarak, i quajtur Operacioni Rezistencë, do të përqendrohet në misionet e logjistikës, ndihmës shëndetësore publike dhe mbrojtje në territorin francez dhe territoret e huaja, tha Macron.

Duke folur në Mulhouse, në Francën lindore, ai njoftoi një “plan masiv” për të ri-financuar spitalet dhe sektorin e kujdesit francez.

Mjekët dhe infermierët francezë kanë bërë thirrje për fonde urgjente për më shumë se një vit, duke paralajmëruar se sektori po luftonte shumë përpara pandemisë coronavirus. /Telegrafi/

Ardian H

Read Previous

Erdogan: Koronavirusin do ta mposhtim për dy ose tri javë

Read Next

Konjufca e quan të pacipë mocionin e mosbesimit, thotë se Veliu e mori atë që meritoi