Skandaloze: Zyra e Prokurorit të Specializuar shkeli rregulloren e punës, etiken profesionale dhe ligjet e veta

Njoftimi i djeshëm i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në ditën kur presidenti Thaçi ishte nisur drejt SHBA-së, po shihet nga të gjithë si një veprim politik që e minoi dialogun në Uashington. Nga analistë vendorë dhe ndërkombëtarë ky njoftim interpretohet si i pazakonshëm dhe tejet tendencioz, me një gjuhë tërësisht jozyrtare, ku Zyra e Prokurorit të Specializuar tregon vetëm që propozuar aktakuzë, por ligjërisht ajo aktakuzë nuk ka asnjë vlerë juridike pa u konfirmuar nga Gjyqtari i Procedurës paraprake.

Megjithatë, publikimi i këtij njoftimi është jashtë çdo etike profesionale.

Në një proces gjyqësor hapi i parë është propozimi i aktakuzës nga ana e prokurorit të rastit tek Gjyqtari i Procedurës paraprake.

Hapi i dytë është njoftimi i të pandehurit për pretendimet e prokurorit dhe njoftimi i palës që ai përcaktohet ta mbrojë. Në këtë rast, përveçse kishim shkelje të procedurave ligjore dhe shkelje të rregullores, kishte edhe një qasje tërësisht të njëanshme dhe vendim arbitrar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për ta bërë njoftimin publik, pa e pranuar asnjë argument të palës mbrojtëse dhe pa u konfirmuar ende aktakuza.

Pas këtyre dy veprimeve, si hap i tretë do të duhej të ishte mbajtja e seancës së Gjyqtarit të Procedurës paraprake për konfirmim ose hudhje poshtë të aktakuzës.

Ndërsa, hapi i katërt i ka dy rrugë dhe nëse aktakuza e prokurorit hudhet poshtë nga gjyqtari për shkak se ajo nuk është e mbështetur, atëherë ai rast mbyllet dhe nuk bëhet publik. Por, nëse aktakuza konfirmohet nga ana e gjyqtarit të procedurës paraprake, atëherë ajo aktakuzë zyrtarizohet dhe e plotë i ofrohet të pandehurit dhe palës së tij mbrojtëse së bashku me të gjitha masat përcjellëse.

Vetëm pas të gjithë këtyre hapave duhet të bëhet publike një aktakuzë dhe tek në këtë rast fillon shkallshmëria e një gjykimi, me proces të ngjashëm me procedurat e të gjitha gjykatave të Kosovës.

Siç konfirmohet lehtësisht edhe nga një lexim i zakonshëm i Rregullores me të cilën funksionon Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara, në këtë rast kishim tejkalim të procedurës bazuar në kompetencat e një prokurori. Po ashtu, kishim edhe qasje shumë selektive duke i veçuar prej tyre qëllimshëm vetëm dy emra nga tërë lënda e dorëzuar. Por, ky është edhe presion politik i prokurorit që i bëhet Gjyqtarit të Procedurës paraprake për ta konfirmuar aktakuzën e përgatitur nga ai dhe nëse e analizojmë momentumin e publikimit të atij njoftimi, atëherë është edhe ndikim në një proces të rëndësishëm politik, siç ishte dialogu në Uashington, pasi që siç thuhet në njoftim lënda ishte dorëzuar para rreth dy muajsh.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në këtë rast mori shumë role dhe ndër to janë roli i Gjyqtarit të Procedurës, roli i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun, roli i Zyrës së Administratorit dhe madje edhe rolin e analistit politik, duke shkruar një njoftim publik vetëm me argumente politike, pa asnjë argument ligjor.

Paragrafi i tretë i këtij njoftimi është edhe shkelje e të drejtave fondamentale, sepse e paragjykon fajësinë e dy ish-udhëheqësve të UÇK-s dhe kjo është edhe shkelje e Kushtetutës së Kosovës.

Saktësisht me bërjen publike të këtij njoftimi, me atë gjuhë politike, Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka shkelur edhe Rregulloren e Procedurës dhe Provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Në këtë rast është shkelur rregulli nr. 6 (Mosrespektimi i Rregullores), i cili thotë se çdo mosrespektim i Rregullores që shkakton padrejtësi ligjore thelbësore përmendet menjëherë, por jo më vonë se dhjetë (10) ditë pasi të jetë ditur për mosrespektimin. Gjithashtu, sipas këtij rregulli, paneli mund ta shqyrtojë një mosrespektim të tillë proprio motu, si edhe të marrë masat e duhura për garantimin e integritetit dhe drejtësisë së procesit.

Por, i ka shkelur edhe rregullat 81 (2) dhe 88 (1), ku rregulli 81 në paragrafin 2 thotë se një palë në procesin fillestar ose të mëpasshëm para Dhomave të Specializuara, ose Administratori, që kërkon ndryshimin e masave mbrojtëse të urdhëruara: (a) i paraqet kërkesë panelit i cili ka urdhëruar masat mbrojtëse; ose (b) në qoftë se ai panel nuk është më i angazhuar me procesin fillestar, panelit të angazhuar me procesin e mëpasshëm.

Në këtë rast kishim një njoftim publik pa u urdhëruar asnjë masë mbrojtëse dhe pa u njoftuar pala.

Ndërsa, rregulli 88 (1), që sqaron statusin publik të aktakuzës, thotë shumë qartë që vetëm pas konfirmimit prej gjykatësit të procedurës paraprake, aktakuza bëhet publike.

Fitore H

Read Previous

KQZ-ja planifikon të shpenzojë mbi 14 milionë euro për vitin 2021

Read Next

Shoqata “Jetimat e Ballkanit” do të ndërtojnë shtatë shtëpi në Drenas