Shitja e IPKO-s për “Telekom Srbija”, flasin aksionarët-Telekomi i Sllovenisë

Kompania e dytë më madhe e telefonisë mobile në Kosovë “IPKO”, i ka vënë në shitje të gjitha aksionet e saj. E për ta blerë IPKO-n ka shprehur interesim edhe kompania telefonike serbe “Telekom Srbija”, e cila madje i ka ofruar 155 milionë euro. Një pazar i tillë po konsideron me rrezik për sigurinë kombëtare të Kosovës, si nga politikanë, njohës të ekonomisë e kibernetikës. Po ndaj këtij rreziku potencial po vazhdon të hesht Qeveria, e cila nuk ka dhënë ende asnjë deklaratë.

Në vitin 2005 Telekomi i Sllovenisë e kishte përzgjedhur Kosovën për të investuar në tregun e telekomunikimeve, duke blerë aksione në kompanitë lidere të ofrimit të shërbimeve të internetit, IPKO, ku ndër aksionarët e shumtë ishte edhe ish- sekretarja e SHBA-së, Madeleine Albright.

Mirëpo në vitin 2018 Telekomi i Sllovenisë bleu të gjitha aksionet. Sot, IPKO, ka shumicën e tregut në Kosovë. Kjo kompani ofron shërbime të telefonisë mobile, shërbime të internetit dhe sistemit kabllor.

Por Telekomi i Sllovenisë vitin e kaluar ka vënë në shitje 100 për qind të aksioneve të saj dhe ende është në shqyrtim të ofertave që kanë bërë kompani të ndryshme.

Ditëve të fundit është raportuar për ofertën e lartë për blerjen e aksioneve të IPKO-s që ka dhënë operatori serb, Telekom Srbija, duke ofruar 155 milionë euro.

Një pazar i tillë e blerje nga kompania prej Serbisë po konsideron me rrezik për sigurinë kombëtare të Kosovës nga politikanë, njohës të ekonomisë e kibernetikës.

Agjencia e Lameve FaktePlus, ka kontaktuar Telekomin e Sllovenisë në lidhje me shitjen e këtyre aksioneve, mirëpo ata nuk kanë dhënë shumë detaje.

Katarina Preseren, nga zyra për Marrëdhënie me Publikun ka thënë që kur do të ketë ndonjë vendim për këtë çështje do t’i informojnë palët e interesit.

“Kur do të ketë ndonjë vendim për këtë çështje, do të informohen të gjitha palët e interesit, në bazë të kërkesave legjislative përmes tregut të bursës së Lubjanës”, ka thënë Preseren.

Për Fakte Plus, Preseren ka thënë që deri në përfundim të procesit nuk mund të japin komente ose informata.

“Deri në përfundim të procesit ne nuk mund të japim asnjë koment ose informatë në lidhje me shitjen e aksioneve të Telekomit të Sllovenisë”, tha Preseren.

Vitin e kaluar, saktësisht, më 5 korrik 2019, Telekomi i Sllovenisë ka vënë në shitje të gjitha aksionet e saj që i posedon në IPKO.

“Në përputhje me strategjinë e Telekomit të Sllovenisë, që përfshin edhe mundësinë e konsolidimit të mëtutjeshëm përmes zgjerimit dhe disinvestimit, Telekom Slovenia ka filluar aktivitetet për të shitur 100% të aksioneve të saj në IPKO Telecommunications LLc”, thuhet në njoftimin e Telekomit të Sllovenisë.

Kurse eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu në një prononcim të dhënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus ka thënë se kjo çështje është një sfidë për Kosovën, por duhet pasur kujdes të mos pengohet shitja e aksioneve e investimet në kompaninë IPKO.

“Duhet të kuptohet që kjo është një sfidë për Kosovës dhe për institucionet e veta. Mirëpo pasi flitet për ekonomi të tregut, integrim ekonomik dhe rajonalizim kam drojën që çdo pengesë e parashtruar në këtë proces të privatizimit do ta dëmtojë imazhin e Kosovës dhe do t’i demotivojë investitorët e huaj”, ka thënë ai.

Tutje ekonomisti Gërxhaliu pohon për rrezikun e mundshëm që i kanoset sigurisë shtetërore nëse Telekom Srbija përfundimisht i blen aksionet e IPKO- s që mbulon një pjesë të madhe të tregut kosovar.

“Në anën tjetër Kosova duhet ta ketë parasysh që nuk bëhet fjalë vetëm për shitjen e aksioneve ose kompanisë por edhe që rrezikohet siguria shtetërore sepse nëse nuk kemi mbrojtje të të dhënave si mund të kemi siguri shtetërore”, është shprehur Gërxhaliu.

Kurse rrezikun që paraqet për sigurinë blerja e IPKO-s nga një kompani serbe sidomos duke u bazuar në faktin e raporteve aktuale që ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë, flet edhe eksperti i kibernetikës, Mentor Hoxhaj.

“Në rrethanat momentale me relacionet mes Kosovës dhe Serbisë, ku Serbia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës dhe i minon interesat shtetërore të Kosovës, kjo do të paraqiste sfidë serioze të sigurisë shtetërore, sigurisë kibernetike dhe privatësisë së qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Për blerjen eventuale të IPKO-së nga “Telekom Srbija”, ka reaguar edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili ka thënë se kjo nuk duhet lejuar të ndodhë.

“Telekom Srbija paska dhënë ofertën më të lartë për ta blerë Ipkon. Më kujtohet kur para dy vitesh Banka Qendrore e Serbisë bllokoi blerjen e Telenor Bankës në Serbi nga shqiptari Elvin Guri. As oferta nuk do të duhej të lejohej. Së pari njohja, por edhe në rast njohjeje, asetet e ndjeshme duhet të jenë diskutim i sigurisë kombëtare”, ka shkruar ditë më parë Ahmeti.

Ai ka thënë se edhe IPKO duhet ta bëjë të qartë këtë sa më herët, ndërsa edhe Qeveria sa më shpejtë duhet të deklarohet bashkë me ARC për këtë çështje.

Mirëpo ndaj këtij rreziku potencial të sigurisë kombëtare të Kosovës po vazhdon të hesht Qeveria, e cila nuk ka dhënë ende asnjë deklaratë.

Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka dërguar pyetje në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, si dhe në Ministrinë e Financave, por që të dyja këto ministri ende nuk kanë kthyer përgjigje.

Fitore H

Read Previous

Në spitalin e Gjakovës katër pacientë me COVID-19 me oksigjenoterapi

Read Next

Paralajmërimi i SBAShK-ut pas vendimit të Kushtetueses: Presim që institucionet t’i ulin tensionet