Rreth 150 banesa të uzurpuara në kryeqytet

Banojnë në to, por nuk kanë as edhe një dokument të vetëm që do t’ua dëshmonte pronësinë mbi ato banesa. Një numër i madh banesash që janë në pronësi të Ndërmarrjes Publike Banesore po shfrytëzohen jashtëligjshëm nga qytetarët tash e sa kohë. Madje, për disa prej tyre kjo ndërmarrje është edhe në konteste gjyqësore.

Janë rreth 150 banesa e prona të ndryshme në kryeqytet që shfrytëzohen nga qytetarët pa ndonjë marrëveshje me Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB). Këto objekte nga NPB-ja llogariten si të uzurpuara dhe kjo ndërmarrje pret që të lirohen vetëm përmes vendimit të gjykatës.

Së paku kështu ka deklaruar për Ndërtimi.info, zëdhënësja e NPB-së, Rajmonda Ahmetaj.

Numri më i madh i pronave të uzurpuara janë në lagjen “Dardania”, “Bregu i Diellit”, “Eqrem Çabej” si dhe objekte të tjera në qendër të Prishtinës.

“Është një numër i madh pronave të uzurpuara dhe të cilat pritet të lirohen përmes gjykatës. Në Dardani kemi 131 banesa të cilat janë të uzurpuara që nga paslufta ( 24 prej tyre janë liruar), Bregu i Diellit 2, gjithsej 43 banesa, Eqrem Çabej 7 banesa, objekti i Kino ABC në qendër të Prishtinës”, ka thënë Ahmetaj.

Ajo ka bërë të ditur se përveç këtyre banesave, ka edhe shumë lokale tjera afariste të cilat janë uzurpuar në mënyrë të jashtëligjshme ose janë marrë nën menaxhim nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), nën pretendimin se janë prona shoqërore .

Për të gjitha këto raste, Ahmetaj po thotë se NPB-ja ka inicuar procedura gjyqësore dhe se janë në pritje të vendimeve të gjykatës për to.

E në mesin e uzurpatorëve ka edhe fytyra publike, ani pse zyrtarë nga NPB-ja nuk po përmendin emra.

“Kjo informate është dhëne në gjykatë me rastin e inicimit të procedurave për lirimin e tyre. Kemi shume prona te cilat janë të uzurpuara dhe për të njëjtat kemi iniciuar edhe procedura gjyqësore të cilat ende nuk kanë përfunduar”, ka deklaruar zëdhënsia e NPB-së, Rajmonda Ahmetaj për Media “Ndërtimi.info”.

Veç pronave të uzurpuara, kjo ndërmarrje ka në pronësi edhe asete të tjera që kapin vlera milionëshe, disa prej të cilave që nga pas lufta nuk kanë qenë të evidentuara në financë.

Sipas vlerësimit të pronave për vitin 2017-të, vlera neto e pronave të NPB-së ishte 5 milionë e 94 mijë e 297 euro.

“Në vitin 2017 është bërë vlerësimi i pronave. Vlera neto e të gjitha pronave deri në datën e vlerësimit ka qenë 5,094,297.79 euro, kurse vlerësimi i këtyre pasurive nga vlerësues të certifikuar të pasurive është 72,434,756.94 euro”.

E në NPB thonë se në vitin 2018, kjo ndërmarrje ka evidentuar dhe regjistruar një parcele e disa shtëpi që vlera e tyre ka qenë 0 euro, por me vlerësimin e fundit vlera e tyre është rritur në qindra mijëra euro.

“Me rivlerësim vlera parcelave rritet për 517,000.00 euro dhe vlera e shtëpive rritet për 690,000.00 euro. Me vlerësimin e fundit vlera totale është 68,547,459.15”, thuhet në përgjigjet e NPB-së për Ndërtimi.info.

Gazetari

Read Previous

Majko: Nëse negociatat kushtëzohen me kampe refugjatësh, më mirë të mos ketë ftesë nga BE

Read Next

Trudeau e quan të gabuar veprimin e SHBA-së për ndarje familjare të emigrantëve