Rrëmbyesi i autobusit dorëzohet pasi presidenti ukrainas ia plotësoi një kërkesë të çuditshme

Një person i armatosur që i kishte marrë peng 13 persona në një autobus është dorëzuar para policisë në Ukrainë pasi presidenti i këtij vendi ia plotësoi kërkesën për ta rekomanduar filmin “Earthlings”, ku bëhet fjalë për keqtrajtimin e kafshëve.

Rekomandimi që presidenti Volodymyr Zelenskiy bëri përmes Facebook-ut për ta shikuar këtë film ndikoi që t’i jepet fund pengmarrjes që zgjati disa orë në qytetin Lutsk, ku personi i quajtur Maksym Kryvosh e mori peng një autobus të udhëtarëve dhe kërkoi që dhjetëra zyrtarë qeveritarë të pranonin se janë terroristë.

Gjatë këtij incidenti, Kryvosh qëlloi me armë dhe e sulmoi dronin e policisë me granatë. Ndonëse askush nuk u lëndua seriozisht, raportohet se një plumb për pak sa nuk e ka qëlluar komandantin e përgjithshëm të policisë.

Videoja e presidentit me rekomandimin për ta shikuar filmin “Earthlings” u fshi nga rrjeti social pasi rrëmbyesi u dorëzua. “Jeta e njerëzve është vlera më e rëndësishme. Nuk e kemi humbur askë”, thuhet në deklaratën e presidentit.

Kryvosh është aktivist për të drejtat e kafshëve. Ai më parë kishe qenë rreth dhjetë vjet në burg për mashtrim dhe armë dhe nga policia cilësohej si person i paqëndrueshëm.

Fitore H

Read Previous

“Nisin përplasjet Hoti-Thaçi, presidenti do të tentojë këtë gjë përmes njeriut të tij”

Read Next

Pompeo tregon planin e SHBA-së, synojnë ta kthejnë gjithë botën kundër Kinës