Bota Lajme Vend 

Pse po e përkrahin kosovarët Erdoganin dhe ofensivën turke në Siri?

Në 1999-tën, Kosova u ishte përballë një gjenocidi dhe spastrimi etnik të kryer nga forcat paramilitare serbe. 20 vite më pas, qarqe të ndryshme brenda vendit tonë po u dalin në përkrahje ofensivave ushtarake turke që lanë të vdekur të paktën 14 civilë kurdë në Siri.

Mediat dhe rrjetet sociale në Kosovë ditëve të fundit janë mbushur me raportime për njerëzit dhe grupacionet që po i dalin në përkrahje ofensivës turke në Siri, shkruan lajmi.net.

Simboli ushtarak, si shenjë përkrahjeje për forcat turke u pa edhe tek fëmijët e klasës së katërt të një shkolle fillore në Prizren.

Foto: Nxënësit e klasës së katërt në përkrahje të ofensivës turke

Veç nxënësve, me ushtrinë turke u solidarizuan edhe shumë përkrahës të presidentit turk, Tayip Erdogan brenda territorit të Republikës së Kosovës.

E gjithë kjo situatë, sipas gazetares se njohur, Arbana Xharrës, po ndodh për shkak se Erdogan e ka shfrytëzuar fenë si mekanizëm për ta shtrirë ndikimin e tij në Ballkan.

Sipas Xharrës, është për keqardhje edhe fakti që asnjë lider shqiptar, nuk ka dënuar këto sulme që lanë të vdekur shumë civilë.

“Erdogani ka rritur dukshëm ndikimin e tij në Kosovë dhe në vende të tjera të Ballkanit. Ai ka shfrytëzuar religjionin si mekanizëm që të mos vihet në pikëpyetje agjenda e tij. Fatkeqësisht në kohën kur i gjithë perëndimi, liderë të vendeve të BE-së reaguan kundër sulmeve ushtarake të Turqisë kundër Kurëve, liderët shqiptarë heshtën”, thotë ajo.

Për fotografitë e shpërndara, veçmas atë të mësuesit me nxënësit e klasës së katërt dhe me simbolin ushtarak, ka folur për lajmi.net ish-deputeti turk në Kuvendin e Kosovës, Fikrim Damka.

Ndryshe nga Xharra, ai këtë e cilëson si diçka krejt normale, dhe që tregon përkrahjen për popullin turk.

Madje ai thotë se nëse nxënësit do të vepronin ndryshe, s’do kishte logjikë.

“Mësuesi i cili e ka bërë atë fotografi është në përkrahje të popullit turk. Nxënësat po ashtu janë të komunitetit turk, dhe nëse ata nuk e përkrahin popullin e tyre është pa logjikë. Na jemi me Turqinë sepse kjo ka qenë e gjitha me qëllimin e stabilizimit të regjionit”, thotë ai.

Sipas ish-përfaqësuesit të turqve në Kuvendin e Kosovës, i gjithë operacioni kishte për qëllim arritjen e paqes në Siri.

Për raportime, ai ua lë fajin edhe mediave, teksa thotë se realiteti qëndron ndryshe.

“Njerëzit tanë nuk e kuptojnë që kjo ofensivë, pra për këtë ofensivë janë pajtuar edhe me aleatët tjerë, përfshirë SHBA-të. Për pesë ditë ata kanë kryer ofensivën qëllimi i të cilës ka qenë të ketë paqe në atë regjion. Ju e dini shumë mirë sa refugjatë i kanë shpërngulur nga ai regjion për në Turqi. Mediat tona e kanë bërë kinse situatën se po terrorizohen kurdët dhe civilët. Ne pajtohemi dhe qëndrimi jonë është ky, sepse realiteti është i tillë”, përfundon ai.

Në këtë kontekst të publikimit të fotografive, më ashpër në qëndrim pozicionohet gazetarja Arbana Xharra.

Ajo thotë se kjo është vetëm tregues se sa shumë e ka rritur Erdogani ndikimin në Kosovë.

“Ne ndërkohë kemi parë aktivizimin e qarqeve të shumtë në mbështetje të Erdoganit, madje duke abuzuar edhe fëmijë. Ky është një sinjal i mjaftueshëm se sa ka arritur ndikimi i Erdoganit në Kosovë”, përfundon Xharra.

I një vije të ngjashme të mendimit me Xharrën është edhe sociologu Jeton Brajshori.

Ai për lajmi.net thotë se arsye e parë për përkrahjen e madhe që Erdogan ka në Kosovë, është religjioni.

Sipas tij, shumica e përkrahësve atë e shohin si liderin më të fortë për momentin në botën muslimane.

“Përkrahja e Erdoganit në Kosovë ka si pasojë disa arsye, por kryesorja është religjioni. Duke patur parasysh që mbi 90% e popullatës në Kosovë janë mysliman. Shumica e përkrahësve të tij, atë e shohin si liderin më të fortë për momentin në botën muslimane, po ashtu edhe investimet e shumta që ka bërë përmes organizatave të ndryshme të cilat kanë investuar në shkolla dhe tempujt fetar, dhe këto e bëjnë më të dashur për një pjesë të përkrahësve të tij”, thotë Brajshori.

Tutje, sipas tij, arsye tjetër është edhe zhvillimi ekonomik që ka pasur Turqia gjatë kohës që Erdogan ishte në pushtet.

“Mirëpo këta përkrahës harrojnë se ai zhvillim ka ndodhur në Turqi e jo tek ne”, thotë në këtë kontekst Brajshori.

“Besimi në mënyrë dogmatike tek një diktator si Erdogani i cili për qëllimet e tij e inskenoj edhe një grusht-shtet në vendin e tij vetëm për të spastruar të gjithë oponentët e tij politik dhe ushtarak, po ashtu edhe në kampanjën e fundit kundër kurdëve ku po vdesin civil të pafajshëm dhe dhunohen politikane kurde dhe ekzekutohen në mënyrë më primitive, pra me gure, tregon se mbështetja për të na dërgon në një rrugë të rrezikshme”, thotë ai.

Sipas sociologut Brajshori, imazhet me fëmijët që përkrahin veprime të tilla të dhunshme janë shumë shqetësuese, kur megjithatë siç thotë ai përkrahja për Erdoganin po bije edhe në Turqi.

Këtë sipas tij e tregon edhe vetë humbja e partisë së Erdoganit në Stamboll, ndërkaq që sipas tij populli i Kosovës duhet të vazhdojë të shikojë nga perëndimi dhe rinia sipas tij të fokusohet në mjetet demokratike përendimore, e jot ë kthehet në orient, në këtë kontekst sipas tij kosovarët duhet të fokusohen më shumë në problemet e tyre sesa të të tjerëve.

“Në aspektin gjeo-politik, nuk besoj se do të ketë pasoja të dukshme përkrahja e tij, sepse këta përkrahës janë një pjesë e vogël, por rritja e tyre  mund të vë në dyshim autoritetet ndërkombëtare për atë se kah dëshirojmë të shkojmë ne. Përfundimisht mendoj se me kalimin e kohës dhe duke parë veprimet e tij, njerëzit do t’i kthehen realitetit dhe do të shohin se besimi në Erdoganin ka qenë vetëm një fatamorgan”, thekson në fund Brajshori.

Kurdët aktualisht janë pakica më e madhe etnike në Siri. Ata përbëjnë 5-10 për qind të popullsisë siriane, që në vitin 2011 numëronte 21 milionë banorë.

Kurdët jetojnë kryesisht në veri të vendit, pranë kufirit me Turqinë, bashkë me arabët dhe grupimet e tjera etnike. Popullata të mëdha kurde jetojnë edhe në Turqi, Irak, Iran dhe Armeni.

Në total në rajon jetojnë 25-30 milionë kurdë, të shpërndarë në 5 shtete, dhe pa asnjë shtet kombëtar.

Turqia synon që kurdët t’i dëbojë nga zona kufitare për shkak se milicia është pjesë e një grupi gueriles kurd të njohur si Partia e Punëtorëve të Kurdistanit.

PKK ka zhvilluar prej vitesh një luftë guerilase brenda Turqisë. Ankaraja e sheh kontrollin e një zone kaq pranë kufirit të saj nga kurdët, si një kërcënim i madh për sigurinë e saj.

Ajo druhet se kjo zonë mund të shndërrohet në strehë të disidentëve që arratisen nga Turqia, apo në një “trampolinë” për rebelët që planifikojnë sulme në territorin turk.

Sidoqoftë, sulmet e fundit nga forcat turke në Siri, afër kufirit kanë lënë të vdekur të paktën 14 civilë të pafajshëm si dhe dhjetëra të plagosur rëndë.

Të fundit nga kategoria

Leave a Comment

Social media & sharing icons powered by UltimatelySocial