Presidenti Thaçi ende s’ka bërë deklaratë pas lajmit të djeshëm nga Haga

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi nuk ka bërë ndonjë deklaratë apo s’ka mbajtur konferencë për media edhe një ditë pas njoftimit nga Haga se është dorëzuar aktakuzë ndaj tij.  Ai dje ka anuluar udhëtimin drejt Ëashingtonit, ndërsa  sot ka reaguar duke e publikuar në rrjetet sociale një  emblemë të UÇK ‘së. Ende s’ka ndonjë njoftim nga Presidenca se kur pritet Thaçi t’i drejtohet qytetarëve e asnjë ide se cili do të jetë veprimi i tij pas lajmit nga Haga.

Presidenti Hashim Thaçi ende nuk ka bërë ndonjë deklaratë pas lajmeve se në Hagë është dorëzuar aktakuzë kundër tij, Kadri Veselit dhe tetë ish-pjesëtarëve të tjerë.

Nga zyra e Presidentit ka reaguar këshilltari kryesor i Thaçit dhe shefi i stafit Bekim Çollaku duke thënë se përpjekjet për rishkrimin e historisë do të dështojnë.

“Nuk ka asgjë më të neveritshme dhe më të pështirë, kur gjoja në emër të drejtësisë njollosen, akuzohen, gjykohen e madje edhe dënohen luftëtarët e lirisë. Çmimi i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës është tepër i lartë, prandaj përpjekjet për përmbysjen dhe rishkrimin e historisë janë të destinuara të dështojnë” ka shkruar Çollaku.

Ai rreth aktakuzës ka bërë edhe një reagim në Twitter. Këshilltari tjetër Ismail Syla ndërkaq reagoi ndaj Veton Surroit I cili për lajmin e hagës tha se po fillon ç’kapja e shtetit.

“Veton Surroi nuk ia falë Hashim Thaçit çlirimin (çkapjen) e Kosovës nga Serbia” ka shkruar Syla.

Derisa Zyra Prokurorit të Specializuar njoftonte se presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe kreu i PDK’së, Kadri Veseli po hetohen për krime të luftës, i pari i Shtetit ishte rrugës për në Uashington, aty ku me datë 27 qershor do të mbahej takimi i parë Kosovë – Serbi me ndërmjetësimin amerikan.

Megjithatë, Kosova dhe Serbia nuk do të arrijnë që pas dy vitesh të kthehen në tavolinë të bisedimeve, pasi që vizitën aty e kanë anuluar liderët e Kosovës, presidenti Thaçi dhe kryeministri Avdullah Hoti.

Një zhvillim i tillë ka ngritur reagime të shumta në vend, për faktin se është bërë publikimi i emrave pak ditë para takimit në Uashington, për të cilin është thënë se mund të i sjellë Kosovës dhe Serbisë marrëveshje në fushën e ekonomisë.

Derisa nga krerët e partive ka pasur deklarime në parim për luftën e UCK’së, disa ia kanë përmendur dorëheqjen Presidentit.

Ish -deputeti i kësaj partie, Naser Rugova pas lajmit për aktakuzën ka thënë se dorëheqja është akt moral dhe burrëror.

Megjithatë, i pari i shtetit ende nuk ka folur.  I vetmi reagim që ka bërë tash e 24 orë ishte ai përmes Facebook’ut, kur ndërroi fotografinë në profilin e tij, me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje e kontaktuar nga Gazeta Express nuk ka kthyer përgjigje nëse Thaci duhet të largohet nga zyra.

Në AAK në anën tjetër shprehen se Kosova duhet të funksionojë normalisht, pasi që ky proces është farsë. Vitin e kaluar kreu i AAK’së Ramush Haradinaj kishte dhënë dorëheqje nga posti i Kryeministrit pasi kishte marrë ftesë nga Haga për intervistim.

Në një përgjigje për Gazetën Express, deputeti i AAK’së, Pal Lekaj ka thënë se sjellja e prokurorit bie ndesh me rregulloren e punës së këtij institucioni.

“Sjellja e prokurorit të dhomave të specializuara karshi luftës së UÇK-së, liderëve institucional e politik të Kosovës, me publikimin (në shkelje të çdo rregulloreje) e akuzave “për krime lufte” në momentet më kulmore të procesit të normalizimit të raporteve, Kosovë – Serbi, është argument i mjaftueshëm se me çfarë procesi farsë kemi të bëjmë” ka thënë Lekaj.

Ai thotë se Presidenti duhet të vazhdojë të punojë normalisht.

“Përkundër këtij presioni nga qarqe jo miqësore, Kosova dhe udhëheqësit e saj, duhet të vazhdojnë funksionimin normal, në krye të institucioneve e në shërbim të vendit, me unitet të plotë e të palëkundur nga e drejta për çka luftuam dje, për të mbrojtur pragun e shtëpive tona, e do të vazhdojmë të “luftojmë” sot, për kauzën e Kosovës me sovranitet e integritet të plotë shtetëror. Me miqtë tonë, Amerikën në radhë të parë, do ta përmbyllim Kosovën si shtet në të gjitha drejtimet kombëtare e ndërkombëtare”, ka thënë Lekaj.

Ehat Miftaraj, jurist nga IKD në një prononcim për Gazetën Express thotë se Thaçi do të duhej të dorëhiqej për shkak të ruajtjes së kredibilitetit të zyrës së presidentit edhe pse në bazë të Kushtetutës nuk është i obliguar të bëjë diçka të tillë.

“Edhe pse në kushtetues dhe ligjor Presidenti i Republikës nuk ka pasoja juridike dhe nuk është i obliguar të dorëhiqet në aspektin moral dhe etik, dhe me qëllim të ruajtjes së integritetit dhe kredibilitetit të Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës dorëheqja si akt moral do ishte vendimi më i duhur”, ka thënë ai.

I njejti shton se një vendim i tillë i presidentit do të dëshmonte guxim dhe kurajo.

“Një veprim i tillë i Presidentit do të dëshmonte guxim dhe kurajo si dhe do të dërgonte mesazhin se interesi publik është më i rëndësishëm se interesi personal. Krejt kjo edhe përkundër faktit se aktakuza e ngritur ende nuk është konfirmuar nga ana e gjykatës”, thotë ai.

Analisti Fitim Salihu në anën tjetër, shton se presidenti duhet të jep dorëheqje në rast se Gjykata konfirmon aktakuzën.

“Në rast se Gjykata konfirmon aktakuzën dhe presidenti pranon aktakuzë zyrtare, pa dyshim që duhet të jap dorëheqje. Jo vetëm presidenti, por secili ish-ushtar ose ish-epror që akuzohet dhe ndaj të cilit fillon procesi gjyqësor, paraprakisht do të duhej të jepte dorëheqje nga pozita shtetërore që e mbanë”, ka thënë Salihu.

Presidenti i vendit, Hashim Thaci në vazhdimësi kishte përsëritur se nuk kishte marrë ftesë nga Specialja për intervistim. I pyetur nëse do të jepte dorëheqje pas ftesës, në emisionin Pressing në T7, i pari i shtetit kishte thënë se nuk e ka ndërmend të jep dorëheqje.

“As ndërmend s’e kam, pse të jap dorëheqje? Intervistimi është krejt normal”, ishte shprehur ai.

Ardian H

Read Previous

Njeriu i afërt me Azem Sylën dhe bashkëpartiaku i Hardinajt dërgohet në Hagë

Read Next

Gazeta angleze rendit Dukagjin Lipën ndër baballarët më joshës të VIP-ave