Plani për Reagim Kombëtar për përballje me COVID-19, Veliu thërret për të hënën takim

Rritja e numrit të rasteve të të prekurve me COVID-19 dhe të atyre që po përfundojnë me vdekje, ka alarmuar institucionet qendrore. Kryeministri Avdullah Hoti ka kërkuar që të aktivizohet Plani për Reagim Kombëtar. Në Ministrinë që udhëhiqet nga Agim Veliu kanë thënë për Gazetën Express se takimi i parë për të funksionalizuar planin do të mbahet të hënën.

Qeveria e Kosovës është aktivizuar për të vënë në funksion Planin e Reagimit Kombëtar. Të hënën nën organizimin e Ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliut do të mbahet takimi i parë i Grupit Ndër Institucional për Menaxhimin e Incidenteve.

Lajmin e ka bërë të ditur në një përgjigje për Gazetën Express, shefi i stafit të Veliut, Bajram Gecaj.

Gecaj ka thënë se takimi do të mbahet të hënën në ora 14:00.

“Në bazë të kompetencave që rrjedhin nga Plani I Reagimit Kombëtar, Ministri Veliu do të mbajë takimin e Grupit Ndër-institucional për Menaxhimin e Incidenteve (GNMI), të Hënën 03 Gusht, 2020, nga ora 14:00”, ka thënë Gecaj.

Në MPB thonë se në këtë mënyrë do të planifikojnë dhe koordinojnë menaxhimin me pandeminë në mes të nivelit qendror dhe lokal.

“Grupi Ndër-institucional për Menaxhimin e Incidenteve  është entitet koordinues shumë-institucional i nivelit të zyrës qendrore i cili ndihmon menaxhimin strategjik të incidenteve vendore për Incidentet e Karakterit Kombëtar. Shërben si pikë qendrore për planifikim dhe koordinim strategjik qendror të menaxhimit të incidenteve”, ka thënë ai.

Gecaj shton se të pranishëm në takimin e së hënës do të jenë përfaqësues nga minsitritë, agjencitë tjera qeveritare, sektori privat e OJQ-të.

 “Grupi Ndër-institucional për Menaxhimin e Incidenteve  është i përbërë nga përfaqësuesit e lartë të segmenteve të MPB-së, ministritë përkatëse, agjencitë tjera qeveritare, OJQ-të, sektori privat si dhe ekspertet e fushave te ndryshme sipas nevojës”, ka thënë ai.

Institucionet shëndetësore në Kosovë ditëve të fundit kanë dhënë alarmin për mungesë të shtretërve për pacientë të infektuar me Covid-19 që kanë nevojë edhe për përkujdesje të mjekëve.

Derisa nga QKUK-ja janë publikuar disa fotografi ku pacientët po shihen duke marrë terapi në korridore të spitaleve, shifrat e të prekurve dhe atyre që kanë vdekur nga COVID-19 po vazhdojnë të jetë të larta.

Kjo e ka shtyrë Qeverinë e Kosovës që të dalë me disa kufizime të reja për qytetarët. Megjithatë, nuk po diskutohet shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, që do të pasonte me një mbyllje totale.

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka kërkuar dje në mbledhje të Qeverisë që të përfshihet Plani i Reagimit Kombëtar në luftimin e pandemisë.

Sipas tij, ky plan parasheh angazhimin e të gjitha ministrive dhe institucioneve qendrore dhe lokale, si dhe angazhimin e sektorit privat, si testimi ose resurset e sektorit privat, spitalet, duke përfshirë edhe produktet farmaceutike, shërbimet komunikuese, produktet e tjera mbrojtëse si dhe funksionet vitale shtetërore, sikur Policia e Kosovës, furnizimin me ujë, energji.

Qëllimi i Planit për Reagim Kombëtar, është që të vendoset qasje gjithëpërfshirëse kombëtare për menaxhimin e incidenteve ndaj të gjitha rreziqeve në spektrin e plot të aktiviteteve të parandalimit, gatishmërisë, reagimit dhe rimëkëmbjes.

Në Planin për Reagim kombëtar ofrohet një kornizë për ndërveprim qendror me pushtetin lokal dhe strukturat e degëve regjionale; sektorin privat dhe OJQ-të në kontekst të aktiviteteve të parandalimit, gatishmërisë, reagimit dhe rimëkëmbjes nga incidentet/emergjencat/fatkeqësitë.

Të gatshme për të bashkëpunuar me nivelin qendror në këtë drejtim janë shprehur nga Komunat e Kosovës.

Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka thënë për Gazetën Express se janë të gatshëm që të bashkëpunojnë për çdo masë që shpëton jetën e qytetarëve.

“Kryetarët e komunave çdo masë e cila e lufton parandalimin e përhapjes së koronavirusit do e respektojmë do e zbatojmë në terren përmes shtabeve emergjenteve komunale dhe mekanizmave tjerë. Deri më tani çdo obligim i cili iu është dhënë nga niveli qendror komunave ata e kanë përmbushur po edhe çdo kërkesë e komunave nga niveli qendror për koordinim është marrë parasysh. Si p.sh, çështja e gastronomisë, çerdheve, buxheti i komunave etj etj”, thotë ai.

“Deri tash çdo masë që ka ardhë prej niveli qendror e ka pas për qëllim ruajtjen e jetës, ende nuk e dimë çka përmban, kryetarët e komunave do të jenë gjithmonë për çdo masë. Komunat janë të gatshme me e pranu çdo masë që e shpëton jetën e qytetarëve”, ka deklaruar ai.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në mbledhjen e djeshme të Qeverisë ka kërkuar nga Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu që të thërras një takim me të gjithë bartësit e institucioneve, që të aktivizohen hapat e paraparë me Planin e Reagimit Kombëtar.

Fitore H

Read Previous

Rrahman Jasharaj kërcënon Hotin: Ligjin për Paga ose në shtator nisin telashet

Read Next

Qeveria franceze: rimbyllja e vendit duhet të shmanget, katastrofike për ekonominë