“Pija alkool çdo ditë”, rrëfimi i brazilianit Sisinjo: Te Reali më urrenin “shefat”

Sisinjo nuk e “kafshon” kurrë gjuhën. Është i drejtpërdrejtë dhe i thotë gjërat ashtu siç i mendon. Ish-mbrojtësi brazilian prej disa vitesh shfaqet në televizone dhe në gazeta duke treguar aventurën e hidhur që pati në Madrid, krisjen me kapitenët e kësaj skuadre, por edhe problemet që pati me alkoolin.

Krisja te Reali- Gjithmonë e ka thënë se aventura e tij te Reali nuk ka qenë ashtu siç priste dhe për këtë fajësin peshat e rënda të skuadrës, të cilët nuk e përkrahën kurrë. Ai nuk e kujton pozitive kohën kur mbante veshur fanellën “Galaktike”.

“Kur Roberto Karlos u largua nga skuadra, unë isha titullar, Ramos ishte mbrojtës qendre dhe ndonjëherë i djathtë, ndërsa Salgado ishte mbrojtës i tretë. Kasijas vendosi që të hiqte dorë nga të qenit kapiten i dytë vetëm e vetëm që Salgado të luante. Shefat e grupit te Reali ishin Guti, Salgado, Helguera, Kasijas dhe Raul.

Ata bënin çfarë të donin aty. Një ditë Ronaldo bëri një ndeshje të keqe dhe të nesërmen nisën menjëherë shkrimet në gazeta se Raul ishte më i mirë sesa Ronaldo. Një çmenduri e vërtetë. Salgado i takonte të gjithë në dhomat e zhveshjes përveç meje. Gjithmonë më injoronte”, tregon Sisinjo.

Problemet me paratë- Kur mbrojtësi brazilian erdhi në futbollin europian, të ardhurat e tij personale u rritën ndjeshëm. Ai ka treguar që deri kur ishte lojtar i Atletikos së Mineiros ai pinte thjesht një birrë sepse nuk kishte para. Pastaj nisi të pinte gjithçka… “Shkova në dyqanin e Bekhamit për të bërë blerje dhe mora 3 gjëra. Kur shkoj te shitësja për të paguar më tha se kushtonin 25 mijë euro. Nuk e kujtoj si një eksperiencë të bukur”, tregon braziliani.

sisinjo55

Alkooli dhe duhani- Për një pjesë të gjatë të karrierës së tij, Sisinjo pinte duhan dhe alkool. Dy vese që i kishte që në adoleshencë dhe e shoqëruan gjatë gjithë karrierës së tij. “Nisa të pi alkool që kur isha 13-14 vjeç. Më thanë se birra është e mirë dhe nisa të pija.

Gjithçka nisi me një gotë dhe pastaj nuk ndaloi deri kur isha 30 vjeç. Thuajse 20 vite duke pirë. Kur gjërat më shkonin keq, pija më shumë. Nuk e kontrolloja dot pijen, por pija deri sa të rrëzohesha në tokë. Kam pirë edhe duhan për 11 vite nga 1999-ta deri në vitin 2000. Kisha një të mirë: Unë pija duhan vetëm kur pija alkool, por problemi është që pija alkool gjithë ditën”, thotë Sisinjo.

Fitore H

Read Previous

Aksident i rëndë në autostradën Prishtinë-Ferizaj, dyshohet edhe për të vdekur

Read Next

38 persona vdesin në 24 orë, rritet numri i viktimave nga koronavirusi në Zvicër