Lajme Rajon Vend 

Pasoja të rënda për Kosovën nëse Kurti vazhdon ta mbajë të bllokuar dialogun me Serbinë

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, së fundi ka deklaruar se më i rëndësishëm është dialogu me serbët e Kosovës, sesa ai Kosovë-Serbi.

Madje, Kurti mbrëmë tha se marrëveshja e Asociacionit të komunave serbe është e ‘vdekur’, pasi është një projekt serb.

Deklaratat e tij kanë nxitur reagime në Serbi, ku zyrtarë të këtij shteti po pretendojnë se me Kurtin do të jetë e vështirë të arrihet një marrëveshje përfundimtare, pasi ai do të vazhdojë ta mbajë të bllokuar procesin e dialogut.

Duke e komentuar ardhjen e Kurtit në pushtet dhe mundësinë e rinisjes së dialogut, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se ndjehet i frikësuar me një zhvillim të tillë dhe ndikimin që mund të ketë në dialog, pasi që sipas tij deklaratat e fundit të bëra nga kreu i VV-së “janë tri herë më të këqija sesa të Ramush Haradinajt e Hashim Thaçit”.

Ndryshe mendon, profesori universitar dhe njohësi i çështjeve politike, Rrahman Paçarizi. Ai thotë se me Serbinë tani do të vendoset për marrëveshje përfundimtare, dhe nga bashkësia ndërkombëtare nuk do të insistohet në vazhdim të dialogut.

“Unë mendoj që Albin Kurti në momentin kur do ta marrë postin e kryeministrit të Kosovës do ta zhbllokojë dialogun në kuptimin e heqjes së taksës dhe aplikimit të parimit të reciprocitetit në raport me Serbinë. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se dialogu mund të vazhdojë i pa penguar pasi Kurti ka deklaruar se ka disa parime ku do të mbështet kur flitet për dialogun. Megjithatë, emisari i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, në vizitën e tij të fundit në rajon nuk e ka përmendur dialogun por marrëveshjen gjithëpërfshirëse, që do të thotë ka shumë mundësi që amerikanët ndoshta të koordinuar me partnerët e tyre evropian do ta ofrojnë një marrëveshje dhe nuk do të insistojnë në vazhdimin e procesit të dialogut”, ka thënë Paçarizi, për lajmi.net.

Ai mendon se në varësi se çfarë përmban marrëveshja, do të jetë përcaktuese nëse shqiptarët apo serbët në këtë rast do të jenë pala e cila do ta bllokojë apo do ta çojë përpara.

“Grenell nuk e ka përmendur as në takimet e tij në Kosovë dhe as në Serbi se do të flitet për dy opsione, qoftë për asociacionin qoftë për korigjimin apo shkëmbimin e territoreve dhe mendoj se pala kosovare mund të ndihet komode deri me njëfarë mase por sigurisht se dyja palëve do të iu jepet koha e mjaftueshme për ta analizuar marrëveshjen e cila do të iu vihet përpara. Krejt çka duhet është që të koordinohen mes vete krerët e institucioneve të Kosovës, përfshirë presidentin, kryeministrin, kryetarin e Kuvendit dhe opozitën, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje më kualitative. Nuk besoj se është në dorën e Kurtit apo të kujtdo qoftë që do të ishte kryeministër i Kosovës që t’i bllokojë apo zhbllokojë bisedimet sepse kjo do të kishte pasoja të mëdha për Kosovën”.

Tutje, Paçarizi thotë se Kurti duhet të jetë shumë më i kujdesshëm kur bëhet fjalë për dialogun, veçanërisht për raportet me partnerët ndërkombëtarë.

“Kurti do të jetë shumë më i kujdesshëm sesa Haradinaj kur bëhet fjalë për dialogun me Serbinë, e sidomos kur bëhet fjalë për raportet me partnerët ndërkombëtarë. Kurti duhet ta dijë që më nuk është lider i opozitës por kryeministër i Kosovës, përfaqëson qytetarët e Kosoëvs të cilët në shumicë kanë votuar për të. Prandaj, ai duhet të jetë personi i cili duhet t’ia rikthej vendit partneritetin me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian, dhe në mes këtij parnteriteti dhe dialogut me Serbinë ta gjej mesin e artë, proceset të shkojnë përpara, Kosova të mos dëmtohet dhe të mbetët partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare. Tek e fundit kjo është detyra e krerëve të institucioneve të Kosovës sepse qytetarët i kanë votuar ata për ta ruajtur këtë partneritet”, ka përfunduar Paçarizi.

Theksojmë se procesi i dialogut Kosovë-Serbi është bllokuar që nga nëntori i vitit të kaluar, për shkak të taksës 100% të vendosur ndaj produkteve serbe. 

Të fundit nga kategoria

Leave a Comment

Social media & sharing icons powered by UltimatelySocial