Pacolli pritet të udhëtojë në Serbi (Dokument)

Autori: Lajmi.net Lajme, Politikë21:05, 17 July 2018

Zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, mund të shkojë në Serbi, të shtunën, në rast se autoritetet e këtij shteti i japin leje.
Në emër të tij është adresuar një ftesë për të qëndruar, më 21 e 22 korrik, në qytetin e Novi Pazarit, por edhe në disa komuna tjera në zonën e Sanxhakut.

Ftesa, të cilën e ka siguruar Klan Kosova, është bërë nga Këshilli Kombëtar Boshnjak.

Pacolli është ftuar në cilësinë e Zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, të Republikës së Kosovës.

Nmri dy i qeverisë së Kosovës është paraparë të marrë pjesë në takimin solemn të Këshillit Kombëtar Boshnjak dhe në tribunën me temën: “Procesi i vendosjes së stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal në Ballkan”.

Agjenda për ditën e dytë, sipas ftesës, parasheh vizita nëpër komunat tjera të Sanxhakut dhe rrafshnaltën e Peshterit.

“Pranimi i kësaj ftese dhe ardhja juaj i bën nder të madh Këshillit Kombëtar Boshnjak, boshnjakëve dhe të gjithë qytetarëve të Sanxhakut”, thuhet në fund të ftesës, që është nënshkruar nga sekretari i Këshillit, Mirza Hajdinoviq.

E Pacolli, në një prgjigje për Klan Kosova, ka thënë se do të shkojë në Novi Pazar, nëse autoritetet e Serbisë i japin leje.

Sanxhaku është një rajon që shtrihet në Serbi e Mal të Zi, e i cili banohet kryesisht me popullatë boshnjake. Deri vonë, në pjesë të ndryshme të kësaj zone kanë jetuar edhe shqiptarët.

Gazetari

Read Previous

Cilat janë kafshët më inteligjente sipas Ku’ranit?

Read Next

Kosova merr statusin e anëtarit asociues në organizatën e Frankofonisë