OKB: 1.2 milion shqiptarë kanë ikur nga vendi nga 1990 deri më sot

OKB në statistikat e saj për Divizionin e Popullsisë vlerëson se që nga viti 1990 deri në 2020, nga Shqipëria janë larguar rreth 1.2 milion persona. Bëhet fjalë për migracionin neto, që përfshin diferencën mes personave që kthehen dhe atyre që largohen.

Vala më e lartë e migracionit ishte në periudhën 1990-1995, kur kalimi nga ekonomia e centralizuar në atë të tregut dhe hapja e kufijve, bëri që shumë shqiptarë të largoheshin masivisht, përmes ambasadave, apo dhe anijeve. Gjatë kësaj periudhe kanë ikur 443 mijë emigrantë.

Tendenca vijoi dhe në 1995-2000, e nxitur nga trazirat e ’97-s. Gjatë kësaj periudhe u larguan 180 mijë persona. Pothuajse në të njëjtat nivele ishte tendenca e largimeve në pesëvjeçarin e ardhshëm.

Në periudhën 2005-2010 u konstatua sërish një valë e rritur migracioni, me 217 mijë të larguar.

NË 2010-2015, nga vendi u larguan 137 mijë persona.

Në pesë vitet e fundit, tendenca për të ikur nga vendi ka vijuar, ndonëse me ritmet më të ngadalta në 30 vitet e tranzicionit.

Divizioni i popullsisë së OKB-së ka bërë dhe parashikimet për migracionin e pritshëm në dekadat e ardhshme. Sipas statistikave të publikuara, të paktën edhe për pesë vitet e ardhshme 2020-2025, ikja do të vijojë të jetë me ritme të larta, me rreth 70 mijë persona të larguar neto.

Në 2025-2030, priten 55 mijë të larguar, për të vazhduar më pak në 5 vjeçarët në vijim me 40 mijë të ikur mesatarisht.

Si rrjedhojë, deri në vitin 2100, OKB parashikon se nga Shqipëria do të largohen edhe 615 mijë persona të tjerë.

Tendenca e lartë për emigracion dhe ulja e lindshmërisë kanë bërë që OKB të rishikojë vazhdimisht në ulje projeksionet për ecurinë e popullsisë. Sipas vlerësimit të fundit, që është bërë në vitin 2019, në të gjitha rastet, edhe në variantin optimist, – pra nëse merret një nivel zero emigracioni dhe ecuri normale e normave të fertilitetit-, në vitin 2100, Shqipëria nuk pritet që të ketë me shumë se 1.9 milionë banorë, raporton revista Monitor.

Në variantin e mesëm, Shqipëria nuk pritet të ketë më shumë se 1 milionë banorë.

Për skenarin e ulët (normë të lartë emigracionit dhe fertilitet të ulët), në Shqipëri në vitin 2100, sipas pritshmërive të departamentit të Divizionit të Popullsisë të OKB-së, në Shqipëri nuk pritet që të mbeten më shumë se 512 mijë banorë.

Fitore H

Read Previous

Trump urdhëron përjashtimin e imigrantëve pa dokumenta nga hartat zgjedhore

Read Next

454 raste të reja me COVID-19 në Gjermani