Lajme Vend 

Ofensiva ‘agresore’ e Speciales, OVL e UÇK-së, politikanëve: Mos ia vazhdoni mandatin kësaj gjykate

Rreth shtatë ftesa të reja kanë arritur sot për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga Gjykata Speciale, e vetëm në 10 ditët e fundit janë mbi 50 të tilla.

Kështu deklarojnë në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, që sipas tyre, rreth katër persona pritet të arrestohen deri në muajin nëntor.

OVL e UÇK-së është shprehur e brengosur me numërin e madh të ftesave nga Gjykata Speciale derisa kanë thënë se do të diskutohet edhe mundësia e protestave.

Nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj për lajmi.net është shprehur se nuk janë marrë vendime të tilla por se do të diskutohet në mbledhje të kryesisë.

“OVL nuk ka marrë këso vendime ende, do të diskutohet në mbledhje të kryesisë. Nuk mund të them se do të ndodhin protestat”, tha Haradinaj për lajmi.net.

Haradinaj, i pyetur nëse protestat mund të ndikojnë që të mos i vazhdohet mandati Gjykatës Speciale në vitin 2020 ku do të votohet në Kuvend, ai tha se nuk do t’i detyrojnë me dhunë politikanët në një vendim të tillë.

“Politikanët nuk i detyrojmë me dhunë, sepse as nuk kanë nënshkru me dhunë e as nuk duhet ta hjekin me dhunë. Politikanët duhet të binden se kanë bërë gabim që e kanë nënshkruar. Unë mendoj që ne nuk do të bëjmë protesta të dhunshme, por politikanët duhet të marrin hapat që mund t’i bëjnë”, tha Haradinaj.

Sipas tij, situata politike në Kosovë momentalisht është kritike dhe nuk i konvenon Kosovës tollovia.

“Tani për tani nuk na konvenon tollovia, sidomos në këtë fazë politike që është shteti dhe sigurisht Gjykata e shfrytëzon këtë vakum”, tha Haradinaj.

Më tutje, Haradinaj tha se ka informata që Gjykata do të fillojë me arrestime, që të arsyetohet puna dhe fondet që ka marrë kjo gjykatë deri më tani.

Sipas tij, kjo gjykatë do t’i lirojë të gjithë sepse bazohet në trillime dhe kamufllazhë.

“Unë kam informata nga disa shokë avokatë që Gjykata do të fillojë me arrestime që të arsyetohen fondet dhe puna që e ka bërë deri tash kjo gjykatë edhe pse mendoj se Gjykata do të dalë me vendime që t’i lirojë njerëzit sepse është ngritur në bazë të trillimeve dhe kamufllazhës. Sepse e dimë që kjo gjykatë bazohet në të dhënat e Dick Martyt për transplantim organesh që ne sot, në këtë kohë, nuk i ka as Shqipëria as Kosova mundësitë e tilla”, tha Haradinaj për lajmi.net.

Sipas raportimeve nëpër media, Gjykata Speciale pritet që gjatë muajit nëntor të fillojë me ngitjen e aktakuzave të para për ish-pjestarët e UÇK-së.

Të fundit nga kategoria

Leave a Comment

Social media & sharing icons powered by UltimatelySocial