Kulture Letërsi 

Një libër i rrallë që lajtmotiv ka jetën

Shkruan: Bedri TAHIRI

(Esat Vatovci, Pelerinë mëkatesh, Lena, Prishtinë, 2019)

Se poezia lirike nuk është thjesht një shfrim ndjenjash momentale, por edhe një perceptim e një shënjues ngjarjesh të caktuara kohore, është vërtetuar që nga lashtësia. Poezia thotë shumë në pak kohë, – shprehet Bukowski. Këtë na e dëshmon edhe më bindshëm poeti vushtrrias, nxënësi im i dikurshëm, që dallohej në aktivitete të lira e në mësime, i zellshmi Esat Vatovci. Emri i tij nuk është i panjohur për lexuesin, por këto ditë doli me librin e tij të parë poetik, me një titull paksa provokues e sugjestiv Pelerinë mëkatesh.
Ky libër poetik, në vete ngërthen poezi të hartuara në kohë të ndryshme e me një tematikë të larmishme, por, që në fakt, të gjitha i përshkon një frymë e lehtë freskuese, një suferinë përplot gjallëri e optimizëm, pa lënë anësh as majën e mprehtë të hostenit për t’i shpotitur paudhësitë e jetës hileqare. Kjo penë e stërholluar ecën rravgimeve të jetës, duke mos u hepuar para tyre për asnjë çast, por, përkundrazi, i sfidon ato suksesshëm dhe çan lirshëm shtigjeve të ardhmërisë. Poeti është qenie me prirje profetike, shkruante Aristoteli në “Poetikën” e tij dhe kishte të drejtë.
Libri Pelerinë mëkatesh, vjen si një margaritar i shkëlqyer për lexuesin kureshtar dhe poezitë e tij, bazuar në tematikë e përmbajtje, janë strukturuar në tri cikle: Nëpër kohë të vështira, Thërrime jete dhe Përpara jetës. Thënë të drejtën, në të parë, kjo ndarje nuk paraqet ndonjë skemë të ngurtë klasike, ngase ato përbëjnë thuajse një tërësi organike, me porosi të qarta e me synime të përparuara. Vetë titujt e poezive janë të përzgjedhur dhe mjaft domethënës, gjë që dëshmon përkushtimin e autorit si krijues që synon të ecën përpara, drejt majave të suksesit.
Bota e tij poetike është e larmishme, ashtu siç është edhe vetë jeta. Sidoqoftë, ato krijime të bukura artistike, me vlera mbi mesataren, kanë ngjyrime ylberore, që për një nuancë paraqesin sfond në vete.
Te cikli i parë, Nëpër kohë të vështira, vetë titulli jep të kuptosh se kemi të bëjmë me përvijime nëpër kohë të vështira e zezona, pra me fatet noprane historike të qenies sonë kombëtare. Kështu në poezinë Rrënjët nuk shkulen dot, del pathyeshmëria e etnisë sonë nëpër shekuj:

Kot i shkundin gjethet në vjeshtë
Sërish në pranverë lulëzojnë
Rrënjët nuk shkulen dot

Siç shihet, lajtmotiv i shumicës së këtyre poezive mbetet jeta! Kështu, cikli i dytë, mban titullin Thërrime jete dhe nis me një poezi për jetën dhe për shpresën, duke i ndërlidhur ato midis tyre natyrshëm e pashkëputshëm:

Shpresa bëhet jetë
Jeton deri në pafundësi

Kësaj pene të kujdesshme krijuese nuk i shpëton dot as plaga jonë që ende kullon gjak: copëtimi i trojeve stërgjyshore. Te poezia Sikur të ishim një, apostrofohet dëshira e të gjithë shqiptarëve, ribashkimi ynë kombëtar:

Sa mirë do të ishte
Të ishim bashkë
Shqipëri

Dhe, pas gjithë këtyre rravgimeve të jetës, vjen ndjenja që botën e mban gjallë: Dashuria! Kjo shprehet në mënyra të ndryshme, herë si idilikë, herë si mjegull, herë si harrim, por më se shumti si Pelerinë, që përpiqet t’i mbulojë mëkatet e atyre që nuk durohen pa e ngrënë mollën e Adamit:

Fjalët e heshtjes
Falin mëkatet pendestare

Metamorfoza e vargjeve të kësaj përmbledhjeje ecën natyrshëm dhe evoluimi pozitiv hetohet nga poezia në poezi. Vargu i saj, të shumtën i liruar nga klishetë e demoduara, synon strukturat dhe përmbajtjet moderniste. Madje, mu atëherë kur lirohen nga skematizmi konvencional dhe nga ngurtësia e teorive metrike, ato dalin më të bukura, më të kapshme, më të fuqishme e më të realizuara.
Nëse i referohemi thënies së lashtë metaforike se, libri i parë është çelësi për t’i hapur portat e mbretërisë së quajtur letërsi, atëherë, lirisht mund të konstatojmë se kësaj ia ka dalë suksesshëm poeti Esat Vatovci me librin mjaft premtues Pelerinë mëkatesh.
Në përmbyllje, autorit i dëshirojmë shëndet e suksese të mëtejme në fushën e krijimtarisë e librit mirëpritje nga lexuesit.

Galicë, 25 gusht 2019

Të fundit nga kategoria

Leave a Comment

Social media & sharing icons powered by UltimatelySocial