Nis zgjerimi i rrugës Gjilan -Prishtinë, nuk përmendet as kostoja as afati

Sot kanë nisur punimet për ndërtimin e rrugës me katër korsi që lidh Gjilanin me Prishtinën, raporton Gazeta Express.

Në ceremoninë e fillimit të punimeve për rrugën me katër korsi Gjilan-Prishtinë ka marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi që në Gjilan u pritën nga kreu i kësaj komune, Lutfi Haziri.

Fjalën i pari e mori kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri që falenderoi Qeverinë e Kosovës për përshpejtimin e punëve për nisjen e projektit.

Në anën tjetër, kreu i Qeverisë, Avdullah Hoti tha se komuna e Gjilanit është duke bërë një punë të mirë në qeverisjen lokale, posaçërisht me luftimin e pandemisë.

Në festën e nisjes së një rrugë të rëndësishme për gjilanasit ishte edhe ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi.

Abrashi tha se me dekada kanë munguar zhvillime të tilla në këtë komunë.

“Jemi prapë në Gjilan për fillimin e këtij projekti të përbashkët. Do të vijmë pas disa javësh për tenderimin e autostradës së Bresalcit. Gjilani po e merr vëmendjen e duhur nga Qeveria Hoti ku me dekada të tëra kanë munguar zhvillimet”, ka thënë ai

Fitore H

Read Previous

Arrestohet burri që sulmoi ish-gruan e tij në Viti

Read Next

Hyseni në Bruksel, Stano zbulon agjendën e takimeve të sotme