Mes interesit shtetëror, presionit ndërkombëtar dhe pazareve politike – VV e LDK assesi të arrijnë marrëveshje

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës assesi nuk po arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët për formimin e qeverisë.

Në takimin e grupeve punuese të të dy partive, për shumë pak ditë u harmonizua planprogrami qeverisës, por në ndarjen e posteve është hasur ngecje, shkruan lajmi.net.

Liderët e të dy partive, Albin Kurti e Isa Mustafa janë takuar disa herë me radhë por takimet ishin të pasuksesshme – marrëveshja nuk është as afër.

Problem për arritjen e marrëveshjes po del ndarja e posteve shtetërore e me theks të veçantë pozita e Presidentit që është kërkesë eksplicite e LDK-së në tavolinën e bisedimeve me LVV-në.

E zvarritja e formimit të koalicionit ka irrituar edhe Bashkimin Evropian të cilët me anë të një komunikate kanë kërkuar nga të dy partitë që sa më shpejtë të jetë e mundur ta formojnë qeverinë.

“Seanca konstitutive e Kuvendit është caktuar të mbahet më 26 dhjetor. Zgjedhjet e përgjithshme të 6 tetorit i dhanë mundësinë popullit të Kosovës të ushtrojë të drejtën e vet demokratike për të votuar dhe zgjedhur udhëheqësit e vet. Ky është thelbi i procesit demokratik. Ne besojmë se palët në fjalë do të arrijnë konsensusin e nevojshëm për të tejkaluar sfidat e mbetura. Kosova duhet që me urgjencë të vazhdojë punën në reforma për zhvillim ekonomik dhe shoqëror, si dhe sundim të ligjit, zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë dhe dialogun me Beogradin të cilin e lehtëson BE-ja. Nevojitet një formim i shpejtë i qeverisë për të çuar përpara këto procese, në interes të Kosovës dhe popullit të saj dhe në përputhje me Kushtetutën dhe dëshirën e shprehur të elektoratit.”, thuhet në reagimin e tyre.

Formim sa më të shpejtë të qeverisë kanë kërkuar edhe ambasadorët e shteteve më të fuqishme të botës në Kosovës, ai i SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë.

Për t’ia dhënë një shtysë formimit të koalicionit për vizitë në të dy partitë, përveç ambasadorëve kanë qëndruar edhe dy deputetët e partisë së kancelares gjermane Angela Merkel, Peter Beyer dhe Christian Schmidt.

Të dy në konferencën për media të mbajtur pas takimit me zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë dhënë mesazh të qartë se duan formimin sa më të shpejtë të qeverisë në Kosovë.

Schmidt, para mediave ka thënë se është shumë e rëndësishme që Kosova të ketë një qeveri stabile, dhe të mos ketë lojëra, shkruan lajmi.net.

“Jemi të njëjtit mendim, që për një vend që sapo ka dalur nga zgjedhjet, është e rëndësishme që të ketë një qeveri stabile dhe mos të ketë lojëra, dhe mendoj që modeli spanjoll nuk është një model që është për t’u imituar”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Peter Beyer tha se është shumë e rëndësishme që liderët politikë të kuptojnë përgjegjësinë që kanë për formimin e institucioneve të reja të vendit.

Ai tha se ata nuk janë duke intervenuar apo interferuar në koalicionin mes VV-së e LDK-së, por se janë duke përquar mesazhe dhe këshilla.

“Të gjithë që janë të përfshirë në këto negociata duhet ta kuptojnë se s’mund të humbin në detaje teknike. Duhet formimi i një qeverie funksionale për të mirën e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Beyer.

Por presioni dhe interesi ndërkombëtar që Kosova të formojë më shpejtë qeverinë dhe të fillojë punën në këtë situatë kaotike nuk po i ngusin LDK-në e Vetëvendosjen të kalkulojnë për pozitat që do t’i kenë në qeverinë e ardhshme.

Sa më shumë që kalon kohë, situata midis zyrtarëve të këtyre dy partive sa shkon e tensionohet dhe përmendja e zgjedhjeve të parakohshme është bërë diskurs ditor.

Dje, zyrtarë të Vetëvendosjes kanë publikuar një sondazh të titulluar “Nëse zgjedhjet do të mbaheshin të dielen”, gjë që e qet Vetëvendosjen fituese absolute të zgjedhjeve.

Madje, deklarata nga zyrtarë të Vetëvendosjes shprehin mos-besim ndaj LDK-së e deklaratat e LDK-së akuzojnë Vetëvendosjen për papjekuri politike.

Se a do të ketë marrëveshje apo jo, mbetet të shihet, tani kur kanë mbetur vetëm edhe 4 ditë kohë para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës e cila do të mbahet me 26 dhjetor.

Gazetari

Read Previous

Fondi rezervë i Kosovës pa asnjë cent

Read Next

Zidane: Ky është trajneri më i mirë në botë