Lajme 

Me zvogëlimin e qeverisë buxhetit do t’i kursehen rreth 15.5 milionë euro

Me zvogëlimin e qeverisë sipas premtimeve zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat pritet të arrijnë koalicion qeverisës, Instituti GAP thotë se buxhetit të Kosovës do t’i kursehen rreth 15.5 milionë euro për një mandat qeverisës.

Blendi Hasaj, hulumtues në Institutin GAP, thotë se sipas udhëzimeve administrative 04/2008 dhe 01/2008 zëvendëskryeministrat, ministrat, zëvendësministrat, këshilltarët politikë dhe shefat e kabineteve, përveç pagës mujore gëzojnë edhe benefite tjera shtesë, ku u mbulohet një shumë e caktuar për shpenzimet, drekave dhe telefonit mobil dhe fiks.

Sipas tij, nga shkurtimi i pozitave të paraqitura në inforgrafikë, shpenzimet për ushqim, karburante dhe telefoni do të reduktoheshin automatikisht për rreth 3.4 milionë euro në një mandat.

“Me zvogëlimin e qeverisë nga një koalicion i mundshëm mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, sipas kalkulimeve tona, buxhetit të shtetit të Kosovës do t’i kursehen rreth 15.5 milionë euro në një mandat qeverisës. Pra, nga premtimet, të cilat janë dhënë gjatë fushatës zgjedhore se do të kemi reduktim të numrit të ministrive nga 21 në 12, zvogëlim të numrit të zëvendëskryeministrave nga 5 në 2, po ashtu edhe zvogëlim të numrit të zëvendësministrave nga 80 sa ishin në qeverinë e kaluar në maksimum në 24 ose 2 zëvendësministra për një ministri… ne mendojmë se kursimi i buxhetit të shtetit të Kosovës do të jetë mjaft me impakt”, deklaroi Hasaj për KosovaPress.

Hulumtuesi në këtë institut ka theksuar se kosto për një ministri gjatë një mandati është diku rreth 1 milion euro, përfshirë këtu pozitën e ministrit, zëvendësministrit dhe këshilltarët.

“Përveç pagës bazë, të cilën  gëzon një ministër apo një zëvendësministër dhe kabineti i tij, ata gëzojnë edhe disa benefite të tjera shtesë që kanë të bëjnë me shpenzimet e reprezentacionit, si dhe shpenzimet të tjera për telefoni mobile dhe fikse dhe për karburantet. Andaj, nëse i fusim të gjitha këto shpenzime në një grup dhe bëjmë një llogari, kosto për një ministri gjatë një mandati është diku rreth 1 milion euro. Pra, flasim vetëm për ministrin dhe kabinetin e tij të ngushtë, ku bëjnë pjesë zëvendësministrat dhe gjashtë këshilltarë të tjerë, si dhe një këshilltarë i lartë”, thotë Hasaj.

Ai ka shtuar se VV-LDK kanë premtuar se do të shuhen pozitat e koordinatorëve nacional, ku në qeverinë e kaluar ishin katër pozita të tilla me pagë të ngjashme si ajo e postit të ministrave.

Ngjashëm, pritet që numri i këshilltarëve të zëvendëskryeministrave të mos jetë më i lartë se i atyre të kryeministrit/es, dhe që mund të ndodhë që zëvendëskryeministrat të mbajnë dhe poste ministrore, me gjithsej 12 këshilltarë të tillë.

Hasaj po ashtu thotë se përveç kursimeve, një qeveri më e vogël rrit edhe efikasitetin e koordinimin, shkurton kohën e marrjes së vendimeve, rrit besimin e qytetarëve, si dhe krijon adresa të qarta të përgjegjësisë.

Ndryshe, në bazë të grupeve punese nga të dyja partitë, LVV dhe LDK, janë dakorduar që qeveria e ardhshme të mos ketë më shumë se 12 ministri.

Të fundit nga kategoria

Leave a Comment

Social media & sharing icons powered by UltimatelySocial