Malazezët e Kosovës përkrahin Thaçin në krye të bisedimeve me Serbinë

Shoqata e Malazezëve të Kosovës i është bashkuar debatit të ngjallur së fundi lidhur me kredibilitetin e Presidentit Hashim Thaçi për ta udhëhequr dialogun me Serbinë. Sipas kësaj shoqate, Thaçi është personi më kompetent për ta drejtuar dialogun e Brukselit, përcjell KosovaPress.

“Presidenti Hashim Thaçi, si president i të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe si personalitet me përvojë të cilën e ka arritur në procese të vështira bisedimesh, është sigurisht personi me kompetent dhe kredibil të udhëheqë bisedimet me Serbinë. Janë të pakuptueshme kritikat e disa partive politike shqiptare të opozitës, të cilat e kundërshtojnë udhëheqjen e bisedimeve nga Hashim Thaçi. Animoziteti personal dhe interesi politik duhet të përjashtohen në këtë rast, sepse nga ecuria e këtyre bisedimeve varet e ardhmja jo vetëm e serbëve dhe shqiptarëve, por e ardhmja e gjithë Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se ata kanë besim që bisedimet do të mbyllen me nënshkrimin e marrëveshjes ligjore në mes të Beogradit dhe Prishtinës.

“Me këtë marrëveshje do t’i vihet pika urrejtjes shekullore në mes serbëve e shqiptarëve, e cila ka sjellë luftë, ndarje e vuajtje pothuajse në secilën shtëpi. Është koha që kësaj t’i vijë fundi dhe së bashku me shqiptarët e serbët të ndërtojmë të gjithë një të ardhme prosperuese për ne dhe fëmijët tanë”, përfundon reagimi.

Gazetari

Read Previous

Tërmetet në Shqipëri nuk rreshten as gjatë natës

Read Next

Edhe pas vdekjes qelizat e gjenet funksionojnë, dëshmon një studim i ri