LDK-JA KËRKON DORËHEQJEN E GLAUK KONJUFCËS OSE PUSHTETIN 60-40

Një marrëveshje për bashkëqeverisje mes VV-së dhe LDK-së, nuk pritet të ndodhë shpejt as pas ofertës së fundit të Albin Kurtit. Zyrtarë të LDK-së i kanë thënë Gazetës Insajderi se kjo ofertë nuk është asgjë përveç rritje e posteve. Ata po kërkojnë ndarje të pushtetit 60-40 në favor të partisë së tyre ose dorëheqjen e Glauk Konjufcës.

Lidhjes Demokratike të Kosovës duket se nuk po i pëlqen oferta e fundit e Lëvizjes Vetëvendosje të cilën mbrëm i ka dërguar Albin Kurti, Isa Mustafës përmes së cilës propozonte rritjen e numrit të ministrive.

Gazeta Insajderi merr vesh nga burime brenda LDK-së se do ta refuzojnë këtë ofertë nga Lëvizja Vetëvendosje. Pasi sipas tyre kjo nuk është asgjë tjetër pos rritje e posteve.

Në LDK insistojnë se pushteti ekzekutiv, duhet të jetë 60-40 në favor të këtij subjekti ose dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca , shkruan Gazeta Insajderi.

Gazeta Insajderi ka raportuar sot për ofertën që mbrëmë Kurti i ka dërguar Mustafës përmes së cilës i ka propozuar rritjen e numrit të ministrive nga 12 në 14. Kësisoj, Lidhja Demokratike e Kosovës do të ketë gjashtë ministri, Lëvizja Veteëvendosje pesë, derisa minoritetet tri ministri.

Në këtë ofertë janë detajuar të gjitha pozitat që do të mbante secili subjekt.

“Kryeministri, kryetari i Kuvendit, zëvendëskryeministri i 2-të, një nën-kryetar Kuvendi, 5 ministri do t’i takonin Lëvizjes Vetëvendosje”, thuhet në propozim.

Lëvizja Vetëvendosje, në këtë propozim ka ofruar që LDK të ketë zëvendëskryeministrin e 1-rë, nënkryetarin e 1-rë të Kuvendit, 6 ministri, dy zv.ministra më shumë se LVV.

Po ashtu VV është pajtuar që LDK ta propozojë kandidatin për President i cili sipas VV-së plotëson të gjitha kushtet dhe te gjitha kriteret kushtetuese.

“Nëse, për çfarëdo arsye nuk zgjedhet Presidenti, atëherë LDK do ta marrë një ministri shtesë”, thuhet në propozim.

Gazetari

Read Previous

Papunësia Koncepti dhe llojet

Read Next

ISH DEPUTETI I AAK-SË THUMBON KURTIN: MANDATARI QË MRIZON NËN HIJEN E KUSHTETUTËS