Kush janë “të tjerët” dhe pse Prokuroria Speciale bëri publik vetëm emrat e Thaçit dhe Veselit?

Zyra e Prokurorit të Specializuar sot ka paraqitur tek Dhomat e Specializuara një propozim-aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës.

Në këtë propozim-aktakuzë, e cila sipas njohësve të çështjeve juridike është konsideruar në kundërshtim me rregullat e brendshme të Gjykatës Speciale pasi është bërë publike ende pa u konfirmuar nga gjyqtari i procedurës paraprake, përmend emrat e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, shkruan lajmi.net.

E në këtë komunikatë të lëshuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, përveç emrit të Thaçit e Veselit përmenden edhe “të tjerë”, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur për publikun. Ndërsa, përmendja e emrave të Thaçit e Veselit dhe përpilimi i kësaj komunikate ka ngjallur reagime të mëdha në opinion.

“Më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Në Aktakuzë pretendohet se Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në Aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.“, thuhet në këtë komunikatë.

E për publikimin e propozim-aktakuzës, Zyra e Prokurorit Special kishte një arsyetim të çuditshëm. Janë bërë pothuajse më shumë se dy vite prej kur Kuvendi i Kosovës kishte tentuar shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale, ndërsa, ata sot, arsyetojnë publikimin e propozim-aktakuzës, me këto veprime të një pjese të deputetëve të Kosovës.

“Aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e ZPS-së se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm. Një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar Aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat. Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim THAÇIT dhe Kadri VESELIT për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së. Besohet se z. THAÇI dhe z. VESELI kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë, Nëpërmjet këtyre veprimeve, z. THAÇI dhe z. VESELI kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës.”, thuhet në komunikatë, ku pjesa e fundit ku thuhet “Nëpërmjet këtyre veprimeve, z. THAÇI dhe z. VESELI kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, tingëllon sipas ekspertëve si deklaratë politike e jo njoftim për ngritje të aktakuzës.

Gjithashtu, Zyra e Prokurorit Special është si duket e vetëdijshme se publikimi i aktakuzës është në kundërshtim me rregullat e brendshme të kësaj gjykate, për arsye se në pjesën e fundit shprehet: “Një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar Aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat. Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim THAÇIT dhe Kadri VESELIT për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së.”

Se publikimi i kësaj aktakuze është në kundërshtim me rregullat e brendshme të Gjykatës Speciale ka thënë edhe avokati i akredituar i Gjykatës Speciale, Tomë Gashi nëpërmjet një postimi në Facebook-un e tij.

“Gjykata Speciale e bëri publike aktakuzën e parë të ngritur nga Zyra e Prokurorit Special në kundërshtim me rregullat e saj ligjore. Aktakuza e ngritur nga Prokuroria dhe e dorëzuar në Gjykatë Speciale në Hagë, ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli është ende e pakonfirmuar nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake”, tha avokati Gashi.

E se me këtë publikim të aktakuzës janë thyer rregullat e Prokurorisë Speciale dhe Gjykatës dhe se janë shkelur të drejtat e të akuzuarve e ka thënë edhe avokati i famshëm amerikan që mbrojti gjeneralin kroat Ante Gotovina, Luka Misetic.

Ai akuzon Specialen e Hagës për thyerje të rregullave.

“Hashim Thaçi nuk është i paditur, e as nuk është  konfirmuar padia nga Gjykata për më shumë se dy muaj. Prokurori shkeli të drejtat e Thaçit duke shkelur konfidencialitetin e kërkuar me rregulla juridike, pak para takimit të tij me Trumpin. Kjo gjë ngre dyshime për përfshirje të politikës në këtë çështje”, shkruan Misetic.

Edhe ish-zëdhënësi i Tribunalit të Hagës për ish-jugosllavi Dardan Gashi, ka thënë se është bërë shkelje e rregullorës së punës nga Gjykata Speciale me bërjen publike të dorëzimit të aktakuzave ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli.

Gashi për Klan Kosova tha se kjo praktikë nuk është parë deri më tani.

“Me këtë rast të publikimit të propozim-padisë ndaj personave të cekur, është bërë shkelje e rregullorës së punës. Propozim padia nuk publikohet pa u vërtetuar aktakuza. Kjo po shihet qartë se është politike dhe dëmton personat në proces”, ka thënë ai.

E se kjo aktakuzë mund të jetë politike e ka thënë edhe analisti i njohur amerikan dhe profesori i Institutit John Hopkins, Daniel Serwer. Ai ka thënë se këto aktakuza nuk janë vetëm një çështje personale për Thaçin dhe Veselin, por sipas tij janë çështje institucionale e ndërkombëtare.

Sipas Serwer, ajo që e bën edhe më të dyshimtë këtë është fakti se po ndodh pak para takimit të 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë dhe sipas Serwer dikush mbase mund ta ketë menduar që publikimi i kësaj aktakuze do ta vendosë presidentin Thaçi nën presion.

Propozim-aktakuza e Zyrës së Prokurorit Special mund të hidhet poshtë nga Gjykata pasi e njëjta është ende në shqyrtim nga gjyqtari i procedurës paraprake që e bën përsëri të jashtëligjshme publikimin e saj në këtë kohë.

E njëjta, është dërguar në Dhomat e Specializuara më datë 24 prill, saktësisht dy muaj nga sot – e publikimi i saj rastis të bëhet saktësisht 3 ditë para takimit Kosovë – Serbi në Uashtington, në të cilin tashmë edhe zyrtarisht nuk do të marrë pjesë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Thaçi sot e ka informuar Të Dërguarin Special të presidentit të SHBA-ve Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell se nuk do të jetë pjesë e takimit dhe se ka anuluar udhëtimin e tij për në Uashington.

Gjithashtu, Thaçi e ka njoftuar Grenellin se ka vendosur të mos jetë pjesë e diskutimeve, derisa çështjet ligjore të atyre pretendimeve të Zyrës së Prokurorit Special të zgjidhen.

“Presidenti i Kosovës sapo na ka informuar se ka anuluar udhëtimin e tij në Uashington pas njoftimit të dalë nga Zyra e Prokurorit Special. Unë e respektoj vendimin e tij për të mos marrë pjesë në diskutime derisa çështjet ligjore të atyre pretendimeve të zgjidhen”, shkruan Grenell.

Lidhur me aktakuzën e propozuar nga Zyra e Prokurorit Special ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, i cili nëpërmjet një konference për media tha se: “Në këtë deklaratë, Prokurori përpiqet ta arsyetojë vendimin e tij të padrejtë dhe të pazakonshëm, duke pretenduar se unë dhe Presidenti kemi tentuar të pengojmë punën e Dhomave të Specializuara. Dyshimet e ngritura janë plotësisht të pavërteta dhe nuk qëndrojnë”.

“Një tjetër shqetësim është dyshimi i bazuar se motivet e vërteta të këtij Prokurori janë krejtësisht politike. Duke pasur parasysh kohën dhe rrethanat, pak ditë para takimit në Shtëpinë e Bardhë, me të drejtë janë ngritur dyshime se kjo është rastësi”, tha Veseli.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ende nuk është deklaruar publikisht lidhur me këtë propozim-aktakuzë.

Dyshimet e ekspertëve të fushës lidhur me publikimin e kësaj aktakuze, përpilimin e saj dhe deklaratën e Zyrës së Prokurorit Special do të diskutohen edhe më tutje në opinionin publik, derisa nuk dihet nëse dy ish-komandatët e UÇK-së do të ndërmarrin iniciativa ligjore për publikimin e kësaj aktakuze pa u konfirmuar nga Gjykata, pra në kundërshtim me ligjet e Gjykatës por edhe me të drejtat e njeriut.

Fitore H

Read Previous

Suspendohet polici kosovar që në Facebook shprehu gëzim për aktakuzën ndaj Thaçit dhe Veselit

Read Next

Daniel Serwer: Nuk ka asnjë shans që prokurori i emëruar nga Trump të mos e dijë për Thaçin