Konjufca tregon dy momentet e papritshme nga aktakuza nga Thaçit e Veselit

Glauk Konjufca në emisionin Desku ka thënë se nga aktakuza ndaj Thaçit e Veselit kishte dy momente që ishin të papritura për të.

Ai thotë se një aktakuzë e tillë ka dëmtuar shumë Kosovën, derisa thekson se kjo duket se paska qenë e lidhur krejtësisht me zhvillimet politike.

“Kjo e ka dëmtuar Kosovën për shkak se Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka deponuar një aktakuzë ndaj presidentit dhe ndaj Veselit. Nga perspektiva e shtetësisë e dëmton interesin e shtetit tonë për shkak se Thaçi është president. Është dëmtuese. Ishte një deklaratë shtypi, që është diçka e pazakontë. Ajo ishte deponuar më 24 prill, pra ajo paska ndodhur para dy muajve dhe nuk ka pasur lajm. Kjo del se ka qenë e lidhur gjithçka me zhvillimet politike”, ka thënë Konjufca.

Për të janë dy çështje të papritshme nga kjo aktakuzë.

“Dy për mua ishin momentet jashtëzakonisht të papritshme e para që Prokuroria thotë se është e detyruar ta lëshojë këtë deklaratë për shkak të obstrukimeve të Thaçit dhe Veselit. Synon të thotë diçka më shumë se përpjekja për anulimin e Speciales gjatë 2016, sepse duket sikur, fjala që përdoret është në vazhdimësi, njëfarë lloj obstrukimi në vazhdimësi, dhe përdor fjalën sekrete. Dhe e dyta është se për çka ngritet kjo aktakuzë dhe aty njëra prej kategorive që përmendet është edhe çështja e kundërshtarëve politikë”, ka thënë Konjufca. “Vet mandati i Speciales dhe koha kur ajo e ka fushëveprimin e saj e ka deri në vitin 2000 dhe nënkuptohet sikur Zyra e Prokurorisë Speciale pretendon se ka gjetur diçka edhe në këtë drejtim. Përmenden krimet e luftës, krimet kundër njerëzit, torturat, zhdukja e dhunshme e njerëzve dhe e fundit kundërshtarët politikë”.

Ai thotë se një lajm i tillë është tronditës, derisa thekson se kjo është dëmtuese për çfarëdo procesi në Kosovë.

Tutje Konjufca i ka bërë një analizë se si ka ardhur deri te Gjykata Speciale, derisa ka thotë se janë të ndërlidhura Pako e Ahtisarit, letrat e Ban Ki Munit, Raporti i Dick Martyt, procesi i dialogut e Gjykata Speciale.

“Vetëvendosje e ka shpjeguar prej vitit 2011 kur kanë filluar negociatat me Serbinë që faktikisht dialogu me Serbinë dhe procesi i Gjykatës Speciale janë dy anë të së njëjtës medalje, këtë e kemi thënë vazhdimisht. Për shkak se e dini kur ka nis procesi i Speciales, është raporti i Dick Martyt, që kishte dalë sapo u përfunduar zgjedhjet e vitit 2010. Raporti i Dick Martyt, kjo lidhet me faktin se pas letrave të Ban Ki Munit, udhëheqës i Kombeve të Bashkuara para 12 viteve thoshte se me këtë Planin e Ahtisarit që kishte ardhur nga OKB”, ka thënë ai.

Tutje ai shton se zyra që e kishte ngarkuar Ahtisarin ka qenë zyre e OKB-së.

“Pastaj Ban Ki Mun del me letrat e tij dhe thotë se Kosova e ka implementuar Planin e Ahtisarit, por Serbia nuk po e pranon dhe për këtë ka nevojë që të fillojë një proces i ri negociator i cili do të arrinte te një marrëveshje tjetër se si me i akomoduar jetesën e qytetarëve të etnisë serbe brenda Kosovës. Kështu është esenca pak a shumë e letrave të tij”, ka thënë Konjufca.

Konjufca shton se prej vitit 2008 është shtyrë procesi dhe Kosova nuk i është përgjigjur kësaj.

“Dhe pastaj del edhe Raporti i Dick Martyt që çoi në Gjykatën Speciale, dhe ky ka dalë në dhjetorë dhe menjëherë kryeministri Thaçi në atë kohë, në mars 2011, pra tre muaj pas daljes së Raportit të Dick Martyt, Thaçi kishte dalë dhe kishte thënë se është i gatshëm për negociata me Serbinë. Pra, unë i shoh krejtësisht të ndërlidhura. Qysh prej 8 marsit të vitit 2011 kur kanë filluar negociatat që atëherë quheshin teknike i ka pasur udhëhequr Edita Tahiri. Prej vitit 2011 deri më 2014 nuk kishte pas asgjë konkrete”, ka thënë ai.

Tutje Konjufca shton se në vitin 2014 vjen zotri Clint Williamson, i cili ngarkohet për të zbritur në Kosovë dhe me ekipin e tij për t’u marrë me të gjeturat konkrete të Raportit të Dick Martyt, dhe konstatimet që i ka dhe gjetjet që pretendon se i ka Williamson çojnë në dritën e gjelbër për krijimin e Gjykatës Speciale, e cila në fillim nuk u krijua në qershor 2015 edhe me rezistencën e opozitës.

“Vazhdimisht u thoshim deputetëve se themelimi i një gjykate të tillë është dëmtues për Kosovën sepse është e njëanshme”, ka thënë Konjufca.

Ardian H

Read Previous

Një fabrikë ushqimi në Mbretërinë e Bashkuar bëhet vatër e koronavirusit, konfirmohen 97 raste

Read Next

A do të shfuqizohet Gjykata Speciale në Uashington, Gjermania e paralajmëron Hotin: Mos bëni marrëveshje të pista