Lajme Vend 

Kolaps në Kosovë: Shëndetësia, arsimi, dogana dhe policia në grevë

Të premten shëndetësia e Kosovës do të jenë në grevë prej orës 07:00 deri në 15:00. Po ashtu dhe Arsimi. Të gjitha universitetet, shkollat, e çerdhet në Kosovë janë në grevë dy orëshe.  Pjesë e grevës pritet të jenë edhe Dogana dhe Policia e Kosovës.  Greva do të mbahet për shkak të dërgimit në Kushtetuese të Ligjit të Pagave nga avokati i popullit.

Spitalet, Pediatria, Gjinekologjia e të gjitha Klinikat e Specializuara së bashku me të gjitha institucionet e tjera të shëndetësisë në vend duke përfshirë këtu edhe Qendrat Klinike Familjare nuk do të punojnë gjatë ditës së premte.

Në fakt shëndetësia e Kosovës do të jenë në grevë prej orës 07:00 deri në 15:00.

Blerim Syla, kryetar i Sindikatës së Shëndetësisë të Kosovës ka treguar se greva në shëndetësi do të zgjasë 7 orë.

Ai ka treguar se të gjitha institucionet shëndetësore në Kosovë nuk do të punojnë dhe brenda njësive do të trajtohen vetëm rastet të cilat janë urgjente.

“Greva në shëndetësi fillon nga nesër prej orës shtatë të mëngjesit deri në 15:00. Nuk do të trajtohet asnjë rast përveç rasteve urgjente. Mjekësia primare sekondare dhe treciare të gjitha institucionet shëndetësorë do të jenë në grevë por do punohet brenda njësive ku ka raste urgjente”.

Sipas tij greva do të jetë vetëm të premten si një paralajmërim por nëse nuk merren pagat sipas ligjit të pagave atëherë greva ka mundësi të vazhdojë.

“Kjo është vetëm një grevë paralajmëruese e nëse nuk merren rrogat sipas ligjit të pagave Sindikata do të mblidhet sërish për të marrë një vendim për veprimet e mëtutjeshme”.

E në grevë nesër përveç sistemit të shëndetësisë do të jenë edhe sistemi i arsimit.

Këshilli Drejtues i SBASHK-ut pas diskutimeve të shumta e duke përcjellë zërin e të punësuarve në arsim, njofton se kanë autorizuar kryetarin e SBASHK-ut dhe kryesinë që në koordinim me Federatën e Sindikatës së Shëndetësisë dhe atë të Policisë të nisin bashkërisht me veprime sindikale.

“Duke u bazuar në këtë dhe në koordinim të plotë me këto dy federata të premten (13.12.2019) mbahet grevë dyorëshe paralajmëruese në çerdhe, në Universitete dhe në të dy ndërrimet e mësimit në të gjitha shkollat e Kosovës me kërkesën drejtuar institucioneve që të punësuarit në arsim dhe gjithë të tjerët pagën e dhjetorit ta marrin bazuar në Ligjin e pagave”, thuhet në njoftim.

Greva dy orëshe në çerdhe fillon nga ora 6:30 deri në orën 8:30.

Greva në Universitete greva fillon në orën 8 deri në orën 10:00.

Greva në shkollat e Kosovës mbahet në dy orët e para në të dy ndërrimet.

“Greva dy orëshe në arsim është alarmi i fundit dhe kushdo që punon për të zhgënjyer punëtorët e arsimit, shëndetësisë dhe të policisë së Kosovës duhet ta dijë se do të përballet me reagimet shumë më radikale sindikale”.

Kurse, Sindikata e Doganës ka paralajmëruar se çdo devijim për të mos zbatuar Ligjin për Paga do të jetë i papranueshëm për ta.

Të fundit nga kategoria

Social media & sharing icons powered by UltimatelySocial