Katër skuadrat e para përballen mes vete

Suhareka e Gjakova do të jenë nikoqire të derbive të Superligës në basketboll.

Skuadrat e katërshes së parë do të përballen mes vete në javën e pestë të Superligës. Ndeshjet luhen të shtunën (sot) dhe të dielën. Liderja, Z Mobile Prishtina, të shtunën (sot) luan në Suharekë ndaj Golden Eagle Yllit vendës dhe vlerësohet favorite. Ylli është i katërti, ndërsa i ka humbur dy takimet e fundit.

Më shumë rivalitet se në Suharekë pritet të ketë në Gjakovë, ku të dielën nga ora 16:00 takohen Rahoveci dhe Ponte Prizreni, shkruan sot Koha Ditore. Rahoveci është i dyti me tetë pikë, sa i ka edhe Prishtina, derisa Ponte Prizreni është i treti me shtatë pikë, përkatësisht me bilanc prej tri fitoreve e një humbje. Ndonëse pa ndonjë histori të gjatë në Superligën e Kosovës, Rahoveci e Ponte Prizreni tashmë llogariten prej skuadrave kryesore në vend, nëse për bazë merret renditja në tabelë.

Për Ponte Prizrenin është vetëm edicioni i parë në Superligë, por nga kjo skuadër kanë premtuar se do të ndalin serinë e fitoreve të Rahovecit.

“Pa dyshim që udhëtojmë për fitore. Do të njoftojmë ekipin e Rahovecit me shijen e humbjes”, ka thënë trajneri i Ponte Prizreni, Arbnor Rifati.

Te Rahoveci kanë plane për të dalë edhe në arenën ndërkombëtare, pasi të ndërtohet palestra në këtë qytet, që është në përfundim e sipër. Synim drejtuesit e klubit kanë, po ashtu, që të vazhdojnë të jenë prej skuadrave kryesore në vend.

Ndërkohë lojtarët janë të vendosur që të vazhdojnë serinë e fitoreve.

“Në secilën ndeshje futemi me synim për të fituar. Ndaj Ponte Prizrenit synojmë të vazhdojmë serinë në të cilën jemi. Do të japim maksimumin për fitore, ndërsa besoj se do të jetë një ndeshje e mirë”, ka thënë basketbollisti Rron Ukaj.

Gazetari

Read Previous

Hoxhaj: BE-ja tregohet e padrejtë nëse vizat s’hiqen këtë vit

Read Next

Palmer: Sa më shpejtë një marrëveshje Prishtinë – Beograd, nuk ka vija të kuqe