Katari ndihmon Kosovën me 6500 teste dhe gjashtë respiratorë për COVID-19

Sot pasdite në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, kanë arritur 6500 teste dhe 6 respiratorë, donacion nga Katarit, me qëllim të menaxhimit sa më të mirë të gjendjes me coronavirus.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, donacionin e shtetit të Katarit e konsideron shumë të vlefshëm në luftën kundër pandemisë COVID-19.

E SPONSORUARLEXO MË SHUMË

“Po e pranojmë një donacion të vlefshëm për institutin, për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve tanë. Falënderoj ambasadorin, jo vetëm për këtë ndihmë në këtë kohë por për gjithçka që ka ndihmuar nga viti 2000 e deri më sot, ndihmat e të cilëve janë milionëshe që i kanë shërbyer përmirësimit të jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës. Besoj që këto teste do të ndihmojnë në përmirësimin dhe mbrojtjen nga pandemia Covid-19, sigurisht ky bashkëpunim i joni do të vazhdojë me mirënjohje të veçantë për të gjithë ata që kanë mundësuar këtë donacion”, tha Zemaj.

Ambasadori i shtetit të Katarit, Ali bin Hamad, tha se marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Katarit, po përpiqet t’i shtyjë në nivel më të lartë, në të gjitha fushat.

“Shpresojmë që populli i Kosovës të kalojë sa më qetë këtë situatë, marrëdhëniet midis shtetit Katar dhe Kosovës janë te shkëlqyera. Jemi të angazhuat qe këto marrëdhënie t’i shtymë në nivele më të larta në të gjitha fushat. Sot me rastin e ndihmave mjekësorë kemi kënaqësi të qëndrojmë në Kosovë, këto ndihma përbehen nga 6500 tampon teste dhe 6 respiratorë. Lutemi që të gjithë të sëmurët të kenë shërim të shpejt dhe japin ngushëllime për viktimat nga pandemia”, tha ai.

Edhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani, tha se ky donacion do ta lehtësojë menaxhimin e pandemisë.

“Sot është nënshkruar memorandumi për dhurimin e 6500 testeve dhe respiratorëve për Covid-19. “Qatar Charity” në cilësinë e dhuruesit shpreh dëshirën që në betejën e luftimit të pandemisë, që po përballët Kosova dhe në përgjithësi Ministria e Shëndetësisë, të dhurojë donacion në sasi prej 6500 teste dhe 6 aparate të respiratorëve për qytetarët e Republikës së Kosovës. Kjo ndihmë do të na lehtësojë menaxhimin e mëtutjeshëm të pandemisë dhe në trajtimin e duhur dhe adekuat”, tha Ramadani.

Ndryshe, donacioni nga shteti i Katarit u mundësua nga organizata “Qatar Charity”.

Ardian H

Read Previous

Alarmon OBSH: Rritje ‘shumë domethënëse’ e rasteve në Evropë

Read Next

Rina Balaj sjell një tjetër pozë tërheqëse në rrjetet sociale