Karateistët kthehen nga Turqia me 17 medalje

Karateistët e Kosovës janë kthyer nga Turqia me 17 medalje të fituara, 3 medalje të arta, 6 të argjendta dhe 8 medalje të bronzta.

Karateistët e Kosovës kanë marrë pjesë në turneun e njohur të karatesë “Turkey Open”, ku pjesëmarrës ishin Turqia, Rusia dhe disa shtete të tjera të mëdha. Kosova në këtë turne në mënyrë ekipore është radhitur e dyta me gjithsejtë 17 medalje të fituara, sa kishte edhe shteti organizator, Turqia, raporton “ksp”.

Ekspedita e Kosovës arriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” të dielën në mëngjes, ku u prit nga familjarët dhe miqtë. Sekretari i Federatës së Karatesë së Kosovë, Nazmi Gashi, u shpreh i lumtur me suksesin e arritur, pasi pjesëmarrëse ishin shtete më të mëdha e më të zhvilluara ekonomikisht se Kosova.

“Gara ishte shumë e mirë. Morën pjesë 2 000 garues nga 40 shtete. Nga 40 shtete të cilat e kultivojnë karatenë në nivel shumë të fortë. Do të thotë, në nivel të përgjithshëm Kosova u rendit ne vendin e dytë, në ekipore patëm 2 vende të para, pastaj patëm 3 vende të para në individuale, patëm gjashtë medalje të argjendta dhe 7 medalje të bronzta. Jemi shumë të kënaqur si Federatë me nivelin e të rive që po tregohet sepse krejt gara është zhvilluar në 16 e poshtë për ne si Kosovë”, ka thënë Gashi. Ndërsa karateistja Rona Ermerllahu ishte mjaft e lumtur me sukseset e arritura në aspektin individual, por edhe ato me klub, duke vlerësuar këto suksese si historike për sportin e karatesë.

Gazetari

Read Previous

Bashkëpunimi në fushën e arsimit me shtetin gjerman, i nevojshëm për Kosovën

Read Next

Beqaj: Programi për financimin e NVM-ve dhe Start-upeve ka për qëllim përkrahjen e ideve inovative