Kaosi i ndërtimeve në Fushë Kosovë, objektet e ngjitura njëra me tjetrën (Hulumtim)

Kaosi i ndërtimeve vend e pa vend në Komunën e Fushë Kosovës ka marrë përmasat e një katrahure urbanistike. Hapësirat skaj rrugëve kryesore te qytetit janë mbushur me qindra ndërtesa të larta që jo vetëm u kanë zënë pamjen , por edhe janë ngjitur trup më trup me njëra-tjetrën.

Për shkak të afërsisë që ka Komuna e Fushë Kosovës me Prishtinën, ka bërë që shumë banorë nga vende të ndryshme të Kosovës të vendosen në këtë komunë dhe të blejnë banesa për arsye të çmimit më të ulët. Banorët dhe shumëkush tjetër që kalon në Fushë Kosovë e krahasojnë për të keq këtë qytet me Durrësin ku në bregdetin  e këtij qyteti të Shqipërisë ka me mijëra ndërtime pa leje të ndërtuara pa kurrfar kriteri.

 

 

Dikur nëpër lagjet e Fushë Kosovës zënin vend shtëpi të ulëta të vendosura rend me rend duke i përfillur me përpikmëri planet rregulluese të asaj kohe, tashmë këto shtëpi nuk ekzistojnë , vendin e tyre e kanë zënë ndërtesat e larta ngjit a ngjit njëra-tjetrës, me lloj-lloj ngjyrash e lloj-lloj planesh arkitekturore. Krejt këto ndërtime dhe i gjithë ky kaos urbanistik po bëhet me leje të institucioneve të vendit, si të nivelit komunal poashtu edhe të atij qëndror. Indeksonline ka bërë një hulumtim në disa lagje të Fushë Kosovës ku shihet se nëpër shumë ndërtesa pa problem mund të kalosh nga ballkoni në ballkonin përballë ndërtesës tjetër, kjo për shkak të afërsisë së tyre.

Rasti më ekstrem duket të jetë ky ndërtim që ka nisur skaj rrugës “Nënë Tereza”, pra rruga kryesore që çon për në Prishtinë. Fillimisht të krijohet përshtypja se ky ndërtim është duke u bërë pa leje por sapo afrohesh afër vëren se kompania ndërtuese “Naki Trade” ka vendosur reklamën e kompanisë dhe numrin e lejës 05.NR.259 të lëshuar nga drejtoria e urbanizmit të Fushë Kosovës me datë 17.07.2018. Indeksonline ka siguruar këtë leje ndërtimore të lëshuar nga Drejtoria e Urbanizimit e Fushë Kosovës drejtor i së cilës është Abdullah Prebreza. Emri i këtij projekti quhet “Shumëbanesor me Afarizëm, B+P+8” që do të thotë se me përdhesen ky objekt do të ndërtohet 10 kate i lartë. Ne i shkuam në zyre drejtorit të urbanizimit , Prebreza dhe kërkuam sqarime se në bazë të çfarë kriteresh e ka lëshuar këtë leje kjo drejtori.

Ai nuk dëshiron të flas publikisht por thotë se gjithçka është në rregull me këtë leje dhe se kjo leje në bazë të ligjit për ndërtim, i plotëson të gjitha kriteret e planit zhvillimor urban të Fushë Kosovës. Drejtori i Urbanizimit, Abdullah Prebreza arsyetohet duke thënë se ndërtesat për skaj saj janë të ndërtuara pa leje dhe për neve ato ndërtesa nuk ekzistojnë. Në pyetjen tonë se a i pengon kjo ndërtesë banorët e ndërtesave fqinje pasiqë kjo ndërtesë siç shihet edhe në foto, në njërën anë është ngjitur me ndërtesën fqinje ndërsa në anën tjetër është vetëm 1.5 metra larg nga ballkonet e ndërtesës tjetër.

Abdullah Prebeza fajëson banorët e ndërtesave fqinje se ata vet i kanë fajet sepse i kanë blerë banesat të cilat nuk kanë leje. Edhe nga ana mbrapa gjithashtu është e ndërtuar një tjetër ndërtesë 10 katëshe dhe për çudi zyrtarët komunal thonë se gjithçka është në rregull me këtë ndërtim. Në ligjin për ndërtimet të larta  thuhet se sipërfaqja e ndërtuar duhet të jetë 40% ndërsa 60 % është e paraparë për parkingje dhe gjelbërim por  kjo ndërtesë as për së afërmi nuk i plotëson këto kritere. Drejtoria e Urbanizmit ia hedhë fajin Drejtorisë së Inspektoriatit të Fushë Kosovës për shakak se nuk ka reaguar kur janë tejkaluar lejet ndërtimore në dy ndërtesat përskaj objektit të kompanisë “Naki Trade” që po ndërtohet tani . Ndërkohë, Drejtori i Inpeksionit në Komunën e Fushë Kosovës, Afrim Krasniqi ,thotë se nuk mban përgjegjësi për këto ndërtime pasiqë kur e ka marr detyren në vitin 2015 këto ndërtesa kanë qenë të përfunduara.

Banorët e ndërtesave fqinje kur kanë nisur punimet në këtë vend, në kushte anonimiteti thonë se pronari i kompanisë u ka thënë se ky ndërtim do të shkoj veëm dy kate lart, ku do të bëhen objekte afariste. Kur kanë parë se ndërtimet nuk po ndalen dhe katet po vazhdojnë të rriten madje duke punuar edhe natën , atëherë banorët kanë lajmëruar komunën. Inspektoriati komunal ka reaguar duke ia ndalur menjëherë punimet kompanisë dhe vendosur shiritat e sigurisë objektit përreth objektit. Këtë e konfirmoi edhe drejtori i inspektoriatit , Afrim Krasniqi. “Ne kemi reaguar menjëherë dhe ia kemi ndërprerë punimet kompanisë ndërtuese, por pas tre ditësh ne jemi detyruar ta lejojmë sepse pronari na e ka treguar lejën e ndërtimit ku përfshihen edhe katet e larta”. Kryenspektori thotë se kësaj kompanie ia kanë proceduar mbi 10 raste për tejkalim të lejeve ndërtimore në gjykatë, por gjykatat kompetente nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim dhe i ka zvarritur lëndët me qëllim duke mos marrë asnjë vendim. Sipas kryeinspektorit, gjykatat me qëllim i zvarrisin lëndët për të nxjerrë më pastaj vendime të tilla si për shembull, i ka skaduar afati lëndës apo na thonë vetë neve që t’i sjellim palët e paditura në gjykatë pasi që ata nuk marrin pjesë në proceset gjyqësore.

Banorët e ndërtesës fqinje janë tejet të shqetësuar me këtë ndërtim dhe thonë se kjo ndërtesë po ua vështirëson jetën në banesat e tyre sepse ata më nuk do ta shohin diellin me sy. Një nga banorët thotë se ka pasur një iniciativë për ta bërë një peticion në komunë për ndalimin e ndërtimit të këtij objekti, mirëpo iniciatori është tërhequr pasiqë është ndier i kërcënuar. “Na kena dasht me ba një peticion me ja dërgu komunës po meniher na kanë kërcnu dhe jena tërhjek s’kena guxu”. Kush ju ka kërcnuar? “Kush ka me na kërcnu, mafia na ka kërcnu, këtu krejt shteti është i lidhën me mafinë e ndërtimit kqyre qka na kan ba, këta mos me kan të lidhen me shtet nuk guxojn me ba kësi sene” shprehet i shqetësuar banori teksa hapë perden e dhomës duke treguar me dorë ndërtesën që po i afrohet ballkonit të banesës së tij vetëm pak centimetra më tutje. “Ne kur i kemi ble banesat jemi kanë në komunë dhe atje na kanë thanë se nuk do të ndërtohen më në këtë vend objekte të larta, po kqyre tash qka janë tu ba, s’ki as ku me u anku as qka me ba se k’tu ska as shtet as ligj as kurgjo ” shpreht i revoltuar banori. Banorët e dy ndërtesave të ngjitura njëra me tjetrën me përfundimin e këtij objekti jo vetëm që nuk do ta shohin diellin por as dritën me sy. Jeton Sopa

Gazetari

Read Previous

Amazona ka 11 mijë degë, 13 prej tyre më të mëdha se Reni në Gjermani (foto/video)

Read Next

Presidenti pyet Kim Kardashian: Po ti çfarë pune bën?, ja përgjigja e saj