Hoxhaj në Londër: Normalizimi i plotë për ne nënkupton njohje dhe anëtarësim në OKB

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj po qëndron në Londër për vizitë zyrtare, ku ka takuar ministrin për Evropë dhe Amerikë në Qeverinë britanike, Alan Duncan, deputetë të parlamentit britanik, si dhe ka marrë pjesë në konferencën përgatitore për samitin e Londrës për Ballkanin Perëndimor të organizuar nga House of Lords.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj dhe ministri Duncan kanë diskutuar për Samitin e Londrës në Kuadër të Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet më 09 dhe 10 korrik, ndikimin dhe pritjet për Ballkanin Perëndimor pas këtij samiti.

Hoxhaj theksoi rëndësinë e pranisë së Britanisë së Madhe në Kosovë dhe në rajon. Tha se marrëdhëniet Kosovë – Britani janë të shkëlqyera dhe se ka pasur diskutime për bashkëpunim më të gjërë në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët.

Në konferencën për Ballkanin Perëndimor, Hoxhaj theksoi se shqetësime për sigurinë e Ballkanit janë çështjet e hapura mes shteteve, por edhe kërcënimet e jashtme siç bie fjala ndikimi i Rusisë, e cila punon vazhdimisht për destabilizimin e rajonit. Një shembull konkret, Hoxhaj tha se është qendra e inteligjencës ruse në Nish të Serbisë.

“Për të siguruar paqe dhe stabilitet në Ballkan, të gjitha vendet duhet të përkushtohen në rrugën drejt BE-së, e në veçanti Serbia. Ballkani Perëndimor duhet ta kapitalizojë momentumin pozitiv pas marrëveshjes Athinë – Shkup, derisa Kosova e Serbia po hyjnë në fazën finale të dialogut që duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellët dhe anëtarësim të Kosovës në OKB”, deklaroi Hoxhaj. /Vizioni.info/

Gazetari

Read Previous

Lladrovci del me një deklaratë ndryshe për Adnan Januzajn

Read Next

Katër gjëra e sjellin riskun: