HOTI: LDK NUK KA HYRË NË QEVERI SI QIRAXHI, KURTI PO SILLET SI AUTOKRAT

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, duke arsyetuar mocionin e mosbesimit për Qeverinë Kurti, pjesë e së cilës bën pjesë edhe vetë, tha se një gjë e tillë duhet të bëhet për shkak të prishjes së marrëdhënieve me SHBA-në dhe tentimit të kryeministrit Albin Kurti që të nënshtrojë LDK-në.

Hoti, i cili është edhe nënkryetar i LDK-së, në seancën e jashtëzakonshme për mocionin e mosbesimit, tha se kjo parti ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim me partnerin e koalicionit.

“Angazhim i ynë në këtë qeveri ishte i sinqertë bashkëpunues dhe bashkërendues i të gjitha aktiviteteve. Kjo nuk ishte qeveri e Kurtit, por e VV-së dhe LDK-se si dy partnerë kryesorë përfshirë komunitetet. Ne nuk kemi hyrë në këtë qeveri si qiraxhi, por si zot shtëpie bashkë me VV, pasi ashtu kishte vendosur sovrani. Ishin të bindur se angazhimet e përbashkëta për t’i dhënë një qeverisje të re ishte qëllimi i dy palëve, por siç u pa, kjo nuk doli e vërtetë. Heqja dorë e kryeministrit karshi dialogut me Serbinë u bë pjesa kryesore e kësaj qeverie në ndërtimin e raporteve me SHBA që për ne ishte i papranueshme. Ne nuk mund të pranojmë që qeveria të bëhet shkaktare e sanksioneve ekonomike nga SHBA”, tha ai.

Sipas tij, kryeministri Kurti përmes veprimeve të tija ka dëshmuar se nuk dëshiro n partneritet me LDK-në.

“Përmes shkarkimit të Agim Veliu, LDK u bind se Kurti po dëshiron shkarkimin nga Qeveria. Veprimi i tij pas shkarkimit të Veliut tregoi qëllimin e vërtetë. Ai emëroi zëvendësministrin nga VV si ushtrues detyre në vend që të emëronte zëvendësministrin e LDK-së në këtë detyrë. Kjo i mundësoi atij shumicën në qeveri për të marrë vendime pa përfillur votat e partnerit qeverisës siç ka bërë me heqjen e taksës. Kjo nuk është mënyra e qeverisjes. Përmes veprimeve të tilla Kurti dëshmon se nuk dëshiron partneritet, por dëshiron t’i shërbejë atij. Ne nuk mund ta lejojmë këtë”, tha ai.

Ardian H

Read Previous

BEKË BERISHA I REAGON GLAUK KONJUFCËS: MË KUJTOHET KUR TË KISHTE ÇUAR SHIK-U NË AAK

Read Next

SHQIPËRIA PRITET TA NDËRTOJË NJË SPITAL BRENDA 20 DITËVE PËR TË INFEKTUARIT ME KORONAVIRUS