Haradinaj: Vizita në Londër, e frytshme dhe e rëndësishme për vendin

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka vlerësuar shumë të frytshëm dhe të rëndësishëm për vendin, Samitin e Londrës, në të cilën Kosova është përfaqësuar nga vetë kryeministri Haradinaj.

Pas kthimit nga Lodra, në konferencën për medie, kryeministri Haradinaj tha se Procesi i Berlinit është një instrument shtesë nga Bashkimi Evropian për Ballkanin Perëndimor, për gjashtë vendet që ende nuk janë anëtare, dhe në kuadër të këtij procesi ka ngjarje të rëndësishme, dhe njëra nga këto ngjarje e rëndësishme për Kosovën, ishte Samiti i Londrës, në të cilën Kosova ka marrë pjesë në dy sesionet e Samitit, përcjellë Vizioni.info.

Kryeministri Haradinaj tha se në kuadër të Samitit të Londrës, ka zhvilluar takime bilaterale me udhëheqës të institucioneve të larta të Mbretërisë së Bashkuar.

“Ditën e parë të qëndrimit kam zhvilluar takim bilateral me Ministrin e Shtetit për Forca të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, Mark Lancaster, me të cilin kam biseduar për tranzicionin e FSK-së dhe mund të them se në këtë temë me Londrën jemi mirë”, tha kryeministri Haradinaj.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj tha se në Londër është takuar edhe me ministrin e Shtetit për Tregti Ndërkombëtare, George Hollingbery dhe grupin e miqësisë Parlamentare Kosovë – Mbretëri e Bashkuar dhe se bashkëbisedimi me ta ishte fuqizimi i bashkëpunimit ekonomik mes dyja vendeve.

Kryeministri Haradinaj tha se në punimet e Samitit të Londrës, ka shprehur qëndrimin e Kosovës dhe mirënjohjen për Bashkimin Evropian, vendet e botës, aleatëve për ndihmën që i kanë dhënë Kosovës në çështjen e sigurisë, në fushën politike dhe atë ekonomike.

“Kosova sot është e gatshme të bëjë partneritet për këto tema me të gjitha vendet e botës. Pra, nuk jemi vetëm ata që kërkojmë ndihmë, por jemi ata që sot afrohemi për partner në temat e sigurisë përmes tranzicionit të FSK-së, në temat ekonomike përmes investimeve dhe në tema politike, procesin e anëtarësimit”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, theksoi se përveç pritjes nga nikoqirja, kryeministres së Mbretërisë së Bashkuar, Theresa May, respekt të madh për Kosovën kanë treguar të gjithë pjesëmarrësit në këtë Samit.

“Bashkëbisedova me kryeministrin e Polonisë, Greqisë, Serbisë, por me rëndësi ishin dy takimet bilaterale me Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel dhe Kancelarin e Aurstrisë, Sebastian Kurz”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se në takim me kancelaren Merkel ka biseduar për agjendën evropiane të Kosovës.

Kryeministri Haradinaj falënderoi kancelaren Merkel dhe kancalerin Kurz për respektin që i kanë bërë Kosovës, duke thënë se të vetmet takime bilaterale që ata kanë zhvilluar në këtë Samit, kanë qenë me Kosovën.

“Liberalizimi i vizave nuk është betejë e humbur, por kemi punë. Ne do të punojmë intensivisht me të gjithë që kjo të arrihet”, tha kryeministri Haradinaj.

Në konferencë Kryeministri Haradinaj iu është përgjigjur edhe pyetjeve të gazetarëve për proceset politike në vend. /Vizioni.info/

Gazetari

Read Previous

Haradinaj: USAID ka instaluar një dimension alternativ të përkrahjes, duke avancuar resurset e përgjithshme në përputhjet me nevojat e vendit

Read Next

“Fama Event” produksioni që fikson momentet magjike