Haradinaj: Qeveria do të angazhohet që kampi i KFOR-it gjerman të bëhet histori suksesi

Sot u mbajtë ceremonia lamtumirëse për ushtarët e KFOR-it gjerman në sheshin Shatërvan të Prizrenit, ku parakalimi i ushtarëve dhe atyre të Forcave të Sigurisë të Kosovës u bë nën tingujt e Orkestrës Ushtarake të Forcave Alpiniste të Bundeswehr-it.
Me këtë rast kryeministri i vendit Ramush Haradinaj falenderoi ushtarët gjerman për angazhimin e tyre ofrimin e sigurisë, dhe Gjermaninë për mbështjen e gjithanshme për Kosovën, Pas ceremonisë Haradinaj u prit në mënyrë solemne nga kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, ku është bërë edhe lansimi i Parkut Inovativ dhe Trajnues.

Haskuka, në fjalën e tij gjatë lansimit të Parkut Inovativ dhe Trajnues, tha se ky park do të jetë një monument i miqësisë në mes të popullit të Kosovës dhe Gjermanisë.

Njoftimi i plotë:

“Është një moment shumë i veçantë në jetën time, përderisa e kujtoj këtë shesh, këtë qytet dhe shtetin tonë në vitin 1999 dhe nevojat e asaj kohe. Pra, them se është shumë i veçantë, sepse sot, kam nderin që në emër të Republikës së Kosovës, Qeverisë e popullit tonë t’i them faleminderit, fillimisht, secilit ushtar gjerman që ka shërbyer në shtetin tonë përgjatë këtyre njëzet vjetëve. Ju faleminderit të gjithë juve”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë ceremonisë lamtumirës të ushtarëve të KFOR-it gjerman dhe shndërrimit të kampit ushtarak gjerman në “Park Inovativ dhe trajnues të biznesit”.

Ceremonia lamtumirëse për ushtarët e KFOR-it gjerman u mbajt në sheshin Shatërvan të Prizrenit, ndërsa parakalimi i ushtarëve të KFOR-it gjerman dhe atyre të Forcave të Sigurisë, u shoqërua nën tingujt e Orkestrës Ushtarake të Forcave Alpiniste të Bundeswehr-it.

Duke folur para të pranishmëve, kryeministri Haradinaj, falënderoi ushtarët gjerman për përkushtimin dhe angazhimin e tyre në ofrimin e sigurisë për qytetarët tanë.

“Kjo ngjarje sot, është poashtu e veçantë, për faktin se me ne janë miq të veçantë nga Berlini. Shumë faleminderit të gjithë ju që jeni prezentë sot, këtu. Prizreni është kryeqyteti historik i Kosovës dhe në rajonin tonë njihet si qytet historik dhe shpirtëror. Është qytet i vlerave dhe vlerësimit, si dhe vend i njerëzve që dinë të bëjnë dhe të mbajnë miqësitë. Për këtë arsye, dua t’iu them ushtarëve gjermanë dhe Bundeswehr-it, se sot është dita juaj dhe të jeni krenarë me veten tuaj. Keni shërbyer në emër të shtetit tuaj në një vend përgjatë kohës më të vështirë, keni shërbyer në vazhdimësi dhe falë jush, sot, ky shtet, ky popull, jeton në paqe. Pra, të jeni krenarë, sepse ky është suksesi juaj”, tha kryeministri Haradinaj.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj shprehu mirënjohje për Gjermaninë dhe mbështetjen e saj të gjithanshme dhënë Kosovës.

“Si rezultat i kësaj, Kosova, sot, është shtet paqësor, në të cilin shoqëria jonë multi-etnike dhe me religjione të ndryshme jeton në harmoni. Ne jemi të përkushtuar ta mbajmë dhe ta ruajmë paqen, të cilën na keni ndihmuar ju ta arrijmë. Ju faleminderit që na keni ndihmuar, poashtu, në ngritjen e institucioneve tona të sigurisë, Policinë dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës. Investimi juaj është shumë i çmuar. Këtu ndodhen sot kolegët tuaj, që do ta vazhdojnë punën tuaj. E dimë që KFOR-i do të vazhdojë të qëndrojë këtu dhe e dimë që ushtarët gjermanë do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë, në Bazën Kryesore të KFOR-it”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se ju do të vazhdoni të qëndroni edhe për një kohë në kampin ushtarak në Prizren, ngase, nga sot fillon edhe transformimi nga kampi ushtarak në Park Inovativ-Trajnues dhe të biznesit.

Kryeministri Haradinaj, u tha ushtarëve gjerman që të jenë të sigurt se flamuri gjerman do të mbetet i ngritur lartë, falë shërbimit të tyre të dinjitetshëm, profesional dhe të standardit të lartë dhe do të mbetet i ngritur lartë, sepse do të kujdesemi që përmes Parkut Inovativ-Trajnues e të biznesit, të vazhdojmë ta mbajmë praninë tuaj këtu.

“E shfrytëzoj këtë mundësi, që t’iu bëjë ftesë kompanive gjermane, sepse ky është një vend adekuat për të investuar. Kosova është vendi i duhur për të investuar. Pra, ju lutem, investoni në Kosovë. Qeveria do të angazhohet fuqishëm që ky kamp, tani park, të kthehet në tregim suksesi. Edhe një herë, faleminderit të gjithëve”, tha kryeministtri Haradinaj, i cili i dorëzoj dekoratën, komandantit gjerman, Hoffman.

Sekretarja e Shtetit në Ministrinë për Bashkëpunim Ekonomik, Maria Flachsbarth, duke i quajtur marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Kosovës një miqësi speciale, tha se është hera e parë që nga vitit 1945 kur Gjermania ka intervenuar në një konflikt përmes trupave ushtarake. “Menjëherë pas përfundimit të konfliktit, Gjermania e mbështeti Kosovën me masa emergjente. Që atëherë, shtetit ynë nuk e ka braktisur Kosovën. Së bashku ne kemi arritur shumë, dhe kur shikojmë mbrapa, shohim një bashkëpunim të besueshëm, suksesshëm dhe profesional”, tha ajo.

Fjalime mbajtën edhe përfaqësues të tjerë të lartë të KFOR-it gjerman.

Pas kësaj ceremonie, Kryeministri Haradinaj, mori pjesë në pritjen solemne të organizuar nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, për KFOR-in dhe delegacionin e lartë gjerman ku është bërë edhe lansimi i Parkut Inovativ dhe Trajnues.

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, në fjalën e tij gjatë lansimit të Parkut Inovativ dhe Trajnues, tha se ky park do të jetë një monument i miqësisë në mes të popullit të Kosovës dhe Gjermanisë.

Kryeministri Haradinaj në fillim të këtij viti pat nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverise Gjermane për ta shndërruar Kampin Ushtarak të KFOR-it gjerman në Prizren në Park Inovativ Trajnues, si pjesë e përpjekjeve të Qeverisë për zhvillim ekonomik dhe gjenerimin e vendeve të reja të punës.

Gazetari

Read Previous

A ka përçarje mes Hashim Thaçit e Kadri Veselit? Tregon presidenti

Read Next

Menduh Thaçi tregon arsyet e dështimit të Referendumit në Maqedoni