Grenell komenton letrën e dërguar Presidencës gjermane, ku kërkohet liberalizimi i vizave për Kosovën

I dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka reaguar pasi 32 anëtarët e Parlamentit të Bashkimit Evropian kanë nënshkruar një letër drejtuar kancelares gjermane Angela Merkel dhe ministrit të Brendshëm, Horst Seehofer.

Në letrën e dërguar, siç është bërë e ditur, u është kërkuar që çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën ta vendosin në axhendën e Këshillit të BE-së gjatë Presidencës gjermane.

Dhe lidhur me këtë, Grenell ka thënë se ky është një lajm i mirëpritur, edhe nëse bëhet fjalë vetëm për disa industri të synuara të biznesit.

“Më në fund. Ky është një lajm i mirëpritur edhe nëse është vetëm për disa industri të synuara të biznesit”, ka shkruar Grenell në Twitter.

Sipas tij, përqendrimi i SHBA-së në normalizimin ekonomik ka motivuar veprime nga evropianët.

“Dhe ne jemi të lumtur t’i shohim ata duke udhëhequr”, ka shkruar më tej Grenell

Ndryshe, në një letër të dërguar nga Raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon-Taubadel, e nënshkruar edhe nga 32 eurodeputetë, të dërguar kancelares gjermane, Angela Merkel dhe ministrit të Brendshëm gjerman Horst Seehofer, është kërkuar nga ata që të vendosin axhendën e liberalizimit të vizave të Kosovës në axhendën e Këshillit të Bashkimi Evropian gjatë presidencës gjermane, që fillon më 1 korrik.

“Për momentin, Kosova është një nga vendet e pakta evropiane të mbetura, qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë lirshëm në zonën Shengen pa viza. Sidoqoftë, kjo nuk varet më nga kosovarët. Procesi për të arritur liberalizimin e vizave supozohet të bazohet në kritere objektive, të cilat, siç u njoftua nga Komisioni Evropian, është përmbushur në korrik 2018, saktësisht dy vjet më parë”, citohet të ketë shkruar von Cramon.

“Standardet janë përmbushur nga Kosova. Ata kanë bërë detyrat e tyre të shtëpisë, tani është radha jonë të mbajmë premtimin tonë. Ne po e humbim besueshmërinë tonë kur një vend i tretë të bëjë atë që ne kërkojmë prej tyre, por ata nuk marrin atë që u kemi premtuar atyre”, ka shkruar Von Cramon.

Ardian H

Read Previous

E pabesueshme – Vdes nga koronavirusi, familja djeg gabimisht trupin e një tjetri!

Read Next

Gastronomet nuk po zbatojnë rekomandimet, ministri Krasniqi paralajmëron mbylljen e lokaleve