Gjendja në Gjakovë : 8 persona të infektuar me COVID -19 të shtrirë në spital, 3 në pritje të rezultatit

Numri i pacientëve të infektuar e të hospitalizuar me Covid-19 është duke u rritur nga minuta në minutë në Kosovë. Tashmë të gjitha spitalet rajonale kanë hapur dyert dhe janë duke trajtuar pacientë me Covid-19. Në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës “Isa Grezda” aktualisht janë të hospitalizuar 8 pacientë që kanë rezultuar pozitiv me koronavirus, ku katër prej tyre janë me oksigjenoterapi. Spiali ka në gadishmëri 30 shtretër për pacientët e prekur me Covid-19, shkruan Gazeta Express.

Këtë e ka konfirmuar për Express drejtori i këtij spitali, Hilmi Shala i shtoi se aty janë të shtruar edhe 3 persona të tjerë të cilët janë në pritje të rezultatit.

Ai po ashtu tha se gjendja e pacientëve të tjerë me COVID19 që janë të shtrirë në spitalin e Gjakovës është në përgjithësi stabile.

“Momentalisht i kemi 11 pacientë të hospitalizuar… Tetë janë pozitivë pozitiv. 4 persona pritet që t’i bëhen testet. me siguri që sot do u bëhen atyre që janë në pritje…Besoj që janë tre”, tha Shala për Express.

Shala tha se Spitali i Përgjithshëm i Gjakovës për trajtimin e personave të infektuar me COVID19 i ka në dispozicion 30 shtretër.

Drejtori i këtij spitali thotë se po ashtu kanë edhe pajisje medicinale dhe mbrojtëse për trajtimin e këtyre pacientëve.

“I kemi 30 shtretër në repartin e Infektives bashkë me Dermatologjinë që janë të përgatitur për trajtimin e pacientëve me COVID…Mostrat merren këtu testet bëhen në Institutin në Prishtinë…Kemi kapacitete t’i trajtojmë këtë numër të pacientëve për momentin, por nëse vazhdon fluksi në rritje pastaj vështirësitë mund t’i kemi më vonë. Për momentin është mirë, pajisjet që na shërbejnë për luftimin e COVID-it i kemi”, theksoi drejtori i spitalit të përgjithshëm të Gjakovës.

Por drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Gjakovës, Hilmi Shala e sheh më problematike menaxhimin e pandemisë nëse kemi rritje të rasteve pozitive me COVID19.

“Nëse vazhdon ky fluks i pacientëve, ky ritëm në Kosovë atëherë do jetë problem në krejt Kosovën jo vetëm në Gjakovë ky ritëm i testeve pozitive i rezultateve atëherë do na shkaktojë problem”, u shpreh ai.

Shala theksoi se në këtë spital janë duke u kryer edhe shërbime të tjera mjekësore sipas nevojës së pacientëve.

Vetëm në ditën e djeshme në Kosovë pozitiv me COVID19 kanë rezultuar 79 persona, kurse 71 kanë rezultuar si të shëruar. Kurse, aktiv me koronavirus vazhdojnë të jenë 1250 persona.

Fitore H

Read Previous

Ndalohen tubimet e më shumë se 50 personave

Read Next

Policia në Hong Kong bën arrestimet e para në protestën kundër ligjit të vendosur nga Pekini