Gazeta austriake shkruan për thashethemet: Thaçi ishte i gatshëm për “marrëveshje të ndytë” për t’i ikur aktakuzës

Gazeta e njohur austriake, Der Standard, ka shkruar sot se presidenti i vendit, Hashim Thaçin po tentonte një marrëveshje të ndytë për Kosovën, që të ikte nga aktakuza e Gjykatës Speciale, raporton Gazeta Express.

Në këtë shkrim të publikuar në Der Standard, thuhet se presidenti ishte rrugës për në Shtetet e Bashkuara, aty ku do të nënshkruhej një marrëveshje ekonomike me Serbinë, kur u njoftua për aktakuzën.

“Ai tashmë mezi priste për një fotografi me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump të shtunën në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti i Kosovës ishte rrugës për në Uashington për të nënshkruar një marrëveshje ekonomike me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq. Mirëpo, udhëtimi i tij u prish pas një lajmi që bëri bujë pasditen e të mërkurës: presidenti duhet të justifikohej lidhur me krimet gjatë luftës në Kosovë para Gjykatës Speciale në Hagë. Prokurori i ka ngritur akuzat”, nis shkrimi i gazetës së njohur austriake, ku njoftohet gjithashtu se presidenti pas lajmit për aktakuzë ka anuluar udhëtimin e tij për në Uashington.

“Thaçi është kthyer menjëherë dhe ka udhëtuar për në Kosovë. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti anuloi gjithashtu udhëtimin e tij për në Uashington pasi që u njoftuan për akuzat”, thuhet në këtë shkrim.

Gjithashtu, përmenden akuzat që janë publikuar dje për presidentin Hashim Thaçi dhe kreun e PDK’së, Kadri Veselin.

“Është interesante se në lidhje me akuzat kundër Thaçit, në Kosovë dhe në qarqet diplomatike janë përhapur ditët e fundit thashethëme  se presidenti është i gatshëm të hyjë në një ‘marrëveshje të ndyrë’ me të dërguarin e Trumpit, Richard Grenell, i cili punon për Serbinë dhe Kosovën, vetëm për të shmangur akuzat para gjykatës. Për shkak të historisë së luftës, Thaçi ka qenë i shantazhueshëm për shumë vite. Grenell, nga ana tjetër, është i prirur të arrijë një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës- shumë për pakënaqësinë e BE, e cila është ngadalësuar- për të treguar se Trumpi është ‘dealmaker’ dhe për të fituar kështu postin e sekretarit të Shtetit në një mandat të dytë”, thotë shkrimi i Der Standard, ku flitet edhe për shkëmbimin me territore.

“Thaçi ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për ndryshim kufijsh përpara se të largohej për në Uashington. Të ashtuquajturat shkëmbime territoresh, për të cilat Thaçi dhe Vuçiq kanë rënë dakord pak vite më parë, ku bashkitë me popullsi serbe në veri të Kosovës, do i përkasin Serbisë, dhe bashkitë me popullsi shqiptare në Serbi, do i shkojnë Kosovës, bien në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjin ndërkombëtar”.

Fitore H

Read Previous

Gjyste Vulaj pozon gjysmë e zhveshur nga plazhi

Read Next

Tavolina e Brukselit gati për korrik, Stano: Presim të vazhdojë dialogu, pavarësisht aktakuzës ndaj Thaçit