FC Prishtina kërkon drejtësi në gjyq ndaj disa klubeve të Shqipërisë

FC Prishtina do të takohet me disa klube të Shqipërisë jo në fushën e blertë së paku për ndonjë ndeshje miqësore, por në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv për ndarje të drejtësisë.

Kjo pasi klubi më i madh kosovar ka vendosur ta mbrojë veten dhe të drejtën e saj përmes rrugëve ligjore nga dëmet e vazhdueshme që ia kanë shkaktuar disa nga klubet e Shqipërisë, raporton “Zëri”.

Siç dihet, nga FC Prishtina kaherë kanë dalë futbollistë për arenën ndërkombëtare, madje edhe në kohët më të vështira, atëherë kur futbolli i Kosovës ishte i izoluar në katër anët. Disa klube të huaja edhe në atë kohë kanë shpreh respekt për FC Prishtinën, madje duke ia dhënë edhe hisen që i takonte nga transferimi ish futbollistëve të vet.

Por, qasje krejt tjetër kanë pasur disa klube shqiptare, të cilat kanë marrë futbollistë në FC Prishtinë si në “bahçe të babës”, të cilët pastaj i kanë shitur në klube të huaja duke përfituar shuma të mëdha parash dhe duke mos ia ndarë klubit kosovar as hisen minimale, e madje duke mos ia shpreh as edhe një “falënderim” simbolik.

Dhe, për klubet e tilla bardhekaltrit kanë ngrit padi në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Llozanë. Prishtinasit nuk i kanë treguar emrat e klubeve të paditura, por nuk ka se si të shpëtojë klubi i madh shqiptar, Skënderbeu, i cili ka marrë shumë lojtarë në Kosovë e Prishtinë me papërgjegjësi. Ndërsa, së fundmi klubi korçar fitoi shuma të mëdha parash nga shitja e Liridon Latifit dhe Agim Zekës, duke mos ia nda asnjë cent klubit amë, FC Prishtinës.

“I kemi paditur klubet e papërgjegjshme të cilat i kanë marrë tre-katër lojtarë dhe asnjëherë nuk janë paraqitur në klubin amë, në FC Prishtinë. Paditë kanë të bëjnë ndaj klubeve të Shqipërisë. Besoj se do ta fitojmë të drejtën tonë për disa lojtarë që na u patën rrëmbyer”, ka deklaruar për “Zërin” presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi.

“Klubet e shteteve tjera i kanë kryer obligimet ndaj nesh dhe nuk kemi pasur probleme me to. Ato e kanë respektuar mundin e FC Prishtinës rreth edukimit dhe zhvillimit të futbollistëve që i kanë marrë. Kurse klubet nga Shqipëria kanë pasur sjellje dëshpëruese dhe na kanë detyruar të ndërmarrim masa juridike dhe ligjore.

Klubet nga Shqipëria kanë përfituar para të majme ndërsa asnjë falënderim nuk ia kanë shprehur FC Prishtinës e lëre më diçka më shumë”, ka theksuar Ejupi.

Sipas rregullores së FIFA-s, klubit amë në të cilin një futbollist është edukuar dhe zhvilluar prej moshës 12-vjeç deri në moshën 23-vjeç, i takon 5 për qind e shumës nga çdo transferim./Zëri

Gazetari

Read Previous

Dogana konfiskon 500 mijë copë cigare

Read Next

Trajneri i parë i Ronaldos: Fenomen që 12 vjeç