Film Kulture 

Fazli Muharremi, aktori, skenaristi dhe regjisori, që gjithë jetën i kushtoi artit dhe kulturës

Intervistoi: Esat Vatovci

Ka mbi tridhjetë vite që merret me teatër, aktrim, pastaj regji teatrale e po ashtu edhe me regji filmike. Ka realizuar një numër të madh rolesh në teatër, por edhe në film. Ka realizuar një numër të madh shfaqjesh teatrale, përfshirë drama dhe komedi. Po ashtu, ka realizuar edhe një numër të madh filmash dokumentarë. Ka dhënë kontribut të madh në teatër, fillimisht si aktor, regjisor, por edhe si një nga përkrahësit më të mëdhenj të brezit të ri në formimin e tyre, qoftë si aktorë, por edhe në regji. Është ky aktori, skenaristi dhe regjisori vushtrrias, Fazli Muharremi – Tali, i cili është tashmë emër i njohur në publik për angazhimin e tij të madh dhe punën e palidhshme që e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë në teatrin e qytetit të Vushtrrisë. Duke marr si shkak angazhimin e tij, sukseset që ka pasur deri më tani, por edhe kontributin e madh në fushën e teatrit, Vizioni.info ka realizuar një intervistë me Fazli Muharremin, i cili ka folur për të gjitha angazhimet e tij, që nga fillimi i karrierës, para tridhjetë vitesh e deri më tani.

Vizioni.info: Jeni një nga aktorët dhe regjisorët e parë në komunën e Vushtrrisë. Cila është përgatitja juaj profesionale në aktrim dhe regji?

Fazli Muharremi: Sa i përketë përgatitjes profesionale në fushën e aktrimit, kam diplomuar si aktor në Fakultetin e Arteve, te profesor Enver Petrovci.

Vizioni.info: Kur keni filluar të merreni me aktrim? Cilat kanë qenë rolet e para që keni luajtur dhe në cilin teatër keni filluar aktrimin?

Fazli Muharremi: Në vitin 1989 jam angazhuar në teatrin e Vushtrrisë në shfaqjen “Ali Pashë Tepelena” me regji të Fetah Mehmetit, tani i ndjerë, në atë kohë kjo shfaqje mori disa çmime nëpër festivale të ndryshme si në Prizeren dhe vizita në Zvicërr. Së bashku me Xhemajl Cecelinë, Agim Myftiun, Muharrem Qirezin, Qamil Sahitin, etj., në kushte shumë të vështira e mbanim gjallë aktivitetin teatral. Filluam të përgatisim shfaqje teatrale duke kërkuar lokal më lokal mjete, kështu që vullneti qytetar ka qenë i jashtëzakonshëm. Xhemajl Cecelia e kishte bërë dramatizimin e romanit “Gjarpijt e gjakut”, të Adem Demaçit dhe në këtë dramë më ofruan rolin kryesor, shfaqje që u shpërblye në Festivalin e Teatrove në vitin 1993. Kam realizuar role në komedinë “N’shkofsha mos u kthefsha”, në shfaqjen “Unë nuk e solla Doruntinen” me regji të Faik Ispahiut, në komedinë “Programi Satelitor”, në dramën “Çlirimi” kam realizuar rolin kryesor në shfaqjen për fëmijë “Udhtimet e ariut shqiptar”, etj.

Vizioni.info: Cilat kanë qenë teatrot ku keni realizuar role teatrale?

Fazli Muharremi: Rolet teatrale dhe regjitë që kamë bërë për drama, komedi dhe shfaqje të ndryshme, i kamë realizuar në teatrin e Vushtrrisë dhe atë të Mitrovicës.

Vizioni.info: Cilin rol do ta veçonit, të cilin e keni luajtur me më së shumti pasion?

Fazli Muharremi: Në filmin artistik “Kufomat” regjinë e te cilit e ka bërë Luan Kryeziu, kam realizuar rolin e Salihut. Një rol që kur e shikova filmin thash gogja gogja. Por, kam punuar me dashuri sepse ishim të etshëm për film.

Vizioni.info: Përveç roleve teatrale, merreni edhe me regji? Kur keni filluar të merreni me regji?

Fazli Muharremi: Pas lufte u angazhova në teatrin e Vushtrrisë u punësova si përgjegjës i teatrit dhe qëllimi ynë ishte ta bëjmë funksional teatrin, nuk kishim mjete të paguajmë regjisorë dhe nuk bënte që të ndalemi. Formuam teatrin e fëmijëve dhe teatrin e të rinjëve. Teatrin e fëmijëve e udhëhiqte aktorja Arlinda Gjaka, kurse atë të të rinjëve e udhëhiqja unë. Ndërkaq që nga viti 1999 fillova të merrem edhe me regji.

Vizioni.info: Cilat shfaqje teatrale i keni realizuar si regjisor dhe në cilin teatër?

Fazli Muharremi: Shfaqja ime e parë si regjisor ka qenë “Tollovia e madhe në kafene”, ishte komedi dhe është reprizuar 12 herë. Të merresh me regji duhet të jesh gogja i guximshëm. Pastaj vazhdova me përgatitjen e komedisë “Supertezja”, komedi që mori vendin e dytë në Festivalin e Teatrove në Ferizaj. Komedinë tjera të realizuara janë edhe “Drejtor a kryetar”, “Baba Sheik”, “Dhënderri nga Parisi”, “Burri burrë”, “Mirëmëngjesi interesi”, “Aufidersehen”, “Çifti i shqyer”, “Akademia policore”, ” Hajdutët nuk vijnë gjithmonë për të keq”, etj. Këto shfaqje i kam realizuar nē teatrin e Vushtrrisë.

Vizioni.info: Po ashtu, merreni edhe me realizimin e filmave dokumetarë? Cili ka qenë filmi i parë dokumentar që e keni realizuar?

Fazli Muharremi: Filmi i parë dokumentar ka qenë “Cops for kids”, që i kushtohet policit amerikan Dale Samuels, ky film në vitin 2004 ka marr pjesë në Dokufest në Prizren. Deri më tani kam realizuar mbi 20 filma dokumentarë. Kam realizuar filmin dokumentar për masakrën e Studimes. Filmin dokumentar për Hasan Prishtinën pastaj “E drejta ime”, “Jeta në kontejnere”, “Divorci në mes kanunit dhe gjykatave”, “Toleranca ndërferare”, “Orët e vjetra”, “Qyteti i trashëgimisë dhe poezisë”,”Isa Boletini”, etj.

Vizioni.info: Prë disa vite keni realizuar edhe emisionin “Vikendi”. Kur keni filluar me atë program dhe sa ka zgjatur ai?

Fazli Muharremi: Emisioni “Vikendi” ka qenë komplet ide e aktorit të ndjerë Blerim Peci. Aty për 5 vite për çdo të shtunë në RTK1 kemi ofruar një emision të këndshëm që sot po mungon shumë. Sot po i mungon shumë artit aktori Blerim Peci. 5 vite ishin shumë të këndshme me këtë emision.

Vizioni.info: Keni realizuar edhe projektin “Të udhëtojmë nëpër botë”, i cili ka qenë i suksesshëm. Si ka lindur ideja dhe si e keni realizuar, cilat kanë qenë vlerësimet për këtë projekt, pasi që dihet se ka pasur një natyrë edukative-arsimore për fëmijët?

Fazli Muharremi: Në televizionet tona mungojnē shumë emisionet edukative për fëmijë dhe duke e parë këtë vakuum më lindi ideja që ta realizojë emisionin për fëmijë “Të udhëtojmë nëpër botë”, 20 episode janë emetuar në RTK1 për çdo të shtunë, skenarin dhe regjinë i kamë realizuar unë.

Vizioni.info: Tani, cilat janë projektet teatrale të realizuara këtë vit?

Fazli Muharremi: Në këtë vit teatri i qytetit të Vushtrrisë ka realizuar dy premiera të sukseshme. Komedia “Burri i gruas sime”, me regji të Qamil Sahitit, një shfaqje që morri pjesë në Festivalin e Teatrove në Suharekë. Ndërsa më 6 dhjetor u shfaq komedia “Nuk do të paguajmë” e autorit Dario Foo e me regji të Besar Zahitit. Një shfaqje që u mirëpritë nga publiku. Edhe pse salla e teatrit të Vushtrrisë është duke u renovuar, ne nuk e ndalëm aktivitetin teatral, premierat ishin në teatrin e Mitrovicës, e edhe atje salla stërmbushej me publik.

Vizioni.info: Cilat janë projektet e filmave dokumentarë që jeni duke i realizuar, apo që pritet të shfaqen si premiera së shpejti?

Fazli Muharremi: Në këtë vit kam arritur t’i përfundojë tre filma dokumnetarë që janë shumë me rëndësi për mua si regjisor, por edhe artdashësit. Filmi “Shkëmbimi” i dedikohet ngjarjes së 8 janarit të vitit 1999, kur në Zonën Operative të Shalës ndodh ngjarja që 8 ushtarë serb zihen rob nga UÇK-ja, këmbëngulësia e Shtabit të ZOSH e faktirizon UÇK-në. Këtë film mendoj ta shfaqi si premierë më 8 janar. Filmi tjetër dokumentar është për Ymer Prizrenin, ku ne mendojmë që pas premierës ky film të shfaqet për nxënësit e shkollave. Dhe filmi i tretë i realizuar për këtë vit është “Dita e minatorit”, ne si ekip kemi hyrë në minierë 860 metra thellësi dhe kemi realizuar një film me porosi. Në momentin që hyni në minierë kur dilni jashtë do ta çmoni profesionin tuaj. Pra, për vitin 2019 kam realizuar tre filma dokumentarë.

Vizioni.info: Nga përvoja juaj e gjatë në teatër dhe në film, cili do të ishte mesazhi për ata që dëshirojnë të merren me teatër, film dhe filma dokumentarë.

Fazli Muharremi: Sot jemi mësuar ti dëgjojmë të thonë ‘s’jetohet këtu”. Unë me plot përgjegjësi e them se ky është vendi që ju ofron kënaqësi. Për këto 30 vite të punës sime si aktor, skenarist e regjisor, pata mundësinë që popullit tim t’i ofrojë shfaqje, filma, emisione e dokumentarë që kudo që do të isha, nuk do të kisha mundesi. Ne duhet ta heqim këtë fjali ‘s’ jetohet këtu’, ne duhet ta respektojmë njeri-tjetrin dhe duhet të vazhdojmë të punojmë në të mirë të vendit. /Vizioni.info/

0 Reviews

Write a Review

Të fundit nga kategoria

Social media & sharing icons powered by UltimatelySocial