Edhe Kate një dukeshë rebele. Në ditën e dasmës paska thyer këtë traditë 350-vjeçare

Princi William dhe Kate Middleton, ndryshe nga Meghan dhe Harry, kanë dalluar gjithmonë për faktin se mundohen t’i respektojnë me përpikëri rregullat dhe protokollet mbretërore. Kujtojmë që ata s’puthen në publik, Kate nuk i thyen protokollet e veshjes dhe nuk janë përfolur asnjëherë për skandale. Mirëpo, rregullat janë bërë për t’u thyer. Po, edhe nga një dukeshë si Kate!

Madje, Kate i ka thyer rregullat ende pa u bërë pjesë e familjes mbretërore. Në ditën e dasmës Kate dhe William kanë thyer jo një, por disa rregulla. I pari ishte fakti që ata kishin shoqërues (motra e Kate, Pippa Middleton dhe Princi Harry) – një traditë që nuk ekziston në dasmat mbretërore. Po ashtu, puthja e dytë që ata shkëmbyen në ballkonin e Pallatit Buckingham, si dhe fakti që nuk u nisën për muaj mjalti natën e dasmës, ishin thyerje e traditave.

Por, ka edhe diçka tjetër. Kate ka thyer edhe një traditë plot 350-vjeçare në ditën e dasmës. Ka të bëjë me flokët e saj. Dukesha zgjodhi që t’i mbante flokët lëshuar, ndërkohë që për 350 vite ka qenë traditë që çdo nuse mbretërore duhet t’i mbante flokët kapur në ditën e dasmës.

Sipas dokumentarit “William & Kate: The Journey”, dukesha u këshillua nga familja mbretërore që t’i mbante flokët kapur, siç ishte tradita, por ajo “luftoi” shumë, në mënyrë që t’ia arrinte qëllimit për t’i mbajtur lëshuar.

Megjithatë, ata ranë në një kompromis – Kate i mbajti flokët gjysmë-kapur. Ndërsa pas ceremonisë, me fustanin e dytë, ajo i lëshoi dhe i la me onde të mëdha, ashtu siç dëshironte prej fillimit. Epo, me raste edhe Kate qenka një dukeshë rebele!

Ardian H

Read Previous

Havertz s’dëshiron t’i komentojë spekulimet për Liverpoolin: S’dua ta prish

Read Next

Vaksina e shkencëtarëve kinezë, e sigurt në fazën e parë të provës klinike