Dy fytyrat e Ramës kur Basha hap frigoriferin

Pak javë më parë, në stilin e tij të njohur, ku cinizmi dhe ironia rreken të mbulojnë të vërteta të rënda, Edi Rama u tha shqiptarëve se një ditë do t’u fanepsej jo vetëm në TV, por edhe kur të hapnin frigoriferin.

Pa kaluar shumë kohë, Lulzim Basha ka prodhuar një spot, duke hapur realisht frigoriferin e një familjeje të varfër në Tiranë. Aty shihej vërtet fytyra e qeverisjes së Edi Ramës.

Lideri i PD-së ka programuar një fushatë të cilës i ka gjetur sloganin më të goditur. #PotëDëgjoj, është mënyra më e mirë për të bërë diferencën me kundërshtarin e tij politik të drejtpërdrejtë.

Përballë një Edi Rame, që i ka mbyllur veshët ndaj çdo kritike që i vjen, që tani e ka për zor të qëndrojë edhe pas dyerve të BE-së, që është zhytur në delirin e atij që ka monopolin e së vërtetës, duke i ironizuar edhe mediat edhe opozitën edhe presidentin edhe liderët e Kosovës edhe deputetët e Bundestagut apo ata holandezë se ia fusin kot, është tejet produktive të japësh imazhin e atij që është i vëmendshëm ndaj atyre që mendojnë ndryshe.

Përballë një pushteti të izoluar në kullën e tij të fildishtë dhe që prodhon të mira vetëm për një grusht të pasurish është e domosdoshme të kesh veshë për zërin e atyre që e kanë bosh firgoriferin në fund të muajit.

Por, kjo fushatë, sado e gjetur të jetë nga zanatçinjtë e kësaj pune, përmban në vetvete dy risqe të mëdha. Ato lidhen me falcitetin e saj, si në formë ashtu edhe në përmbajtje.

Lulzim Basha e nisi atë me këmbën e gabuar.

Në një nga videot e para që shpërndau, ai tregoi se po bënte shfaqje. Duke u filmuar me një qese domate në dorë dhe duke shitur si qytetare një militante të partisë së tij, ai demonstroi se nuk i kishte veshët të hapura për qytetarët.


Gazetari

Read Previous

Surroi: Qeveria Kurti do të sjellë ndryshimin e madh

Read Next

Haziri: LDK ka vetëm një kandidat për president