“DITA E PLISIT”, libër me vlera kombëtare

Shkruan: Bedri Tahiri

(Ismet Krasniqi-Prend Buzhala, DITA E PLISIT, vëllimi IV, Prishtinë, 2018)

Plisi, simboli ynë kryesor i identitetit kombëtar, përherë ka zgjuar kërshërinë dhe interesimin e studiuesve tanë dhe të huaj, për të qëmtuar në historinë e tij të stërlashtë, me rrënjë deri tek pellazgjishtja e më larg, ku me plis kokë paraqitën edhe Odiseu, Papa Klimenti Albani etj. E bardha ka origjinën të ndriçimi hyjnor. Kjo është ngjyra jonë kombëtare, që parimisht dominon në veshjet tona, por mbulesa e kokës, PLISI, përherë ka mbetur me ngjyrë të bardhë. Për të janë thurur këngë e legjenda, janë shkruar poezi e tregime, janë mbajtur simpoziume e janë zhvilluar debate.
Mirëpo, kësaj teme, më seriozisht iu kanë rrekur studiuesit e krijuesit klinas, Ismet Krasniqi-Lala dhe Prend Buzhala, duke organizuar manifestimin “DITA E PLISIT”. I filluar si një nismë individuale e regjionale (edicioni i parë u mbajt më 2014 në Muzeun etnik të shkrimtarit Gjon Gjergjaj në Krushevë të Vogël të Klinës), ai, sa vete e po merr konturat e një Manifestimi gjithëkombëtar, që, pa dyshim, po lë gjurmë krenarie në sfondin e përgjithshëm të trashëgimisë sonë kombëtare. Dhe, aq më mirë, kur të gjitha ato materiale po grumbullohen, po sistemohen dhe po publikohen në një libër, duke ia shtuar vlerën edhe Plisit, edhe traditës sonë, edhe etnografisë e edhe historisë në përgjithësi.
Edicioni IV i këtij manifestimi u mbajt në Kullën-Muze të Azem Galicës në Galicë, më 28 tetor 2017 dhe doli i mrekullueshëm. Programi qe i larmishëm, me muzikë, recitime, kumtesa, anekdota, por edhe mysafirët ishin të veçantë, kishte përfaqësues nga të gjitha trojet etnike shqiptare si dhe Poeteshat shqiptare, që për të 35 herë u tubuan në Vushtrrinë e Hasan Prishtinës. Kështu që, ato materiale, pas një punë të zellshme me akribi fanatiku, nga autorët Ismet Krasnqi e Prend Buzhala, lexuesit do t’i afrohen si vëllimi i katërt, i edicionit IV, me titullin e njëjtë “DITA E PLISIT”.
Pra, siç u tha edhe më lart, libri në vete ngërthen materiale të shumta e të larmishme, por me një tematikë të përbashkët, mbështetur në tabanin kombëtar. Mbarështrimi i lëndës është bërë sipas një strukturimi konvencional, duke u ndarë në kapituj e nënkapituj, gjë që e lehtëson komunikimin me lexuesin. Materialet janë organizuar në:
1. Kumtesa e trajtesa për Plisin,
2. Reportazhe, mbresa, fjalë përshëndetëse,
3. Portrete, analizë veprash,
4. Poezi e këngë për Plisin,
5. Fotoalbumi

1. Në kumtesat e lexuara atë ditë, para mysafirëve të shumtë, të cilëve u vëzullonin plisat e bardhë në kokë, në Kullën e besësë e të trimërisë, që dikur, me urtësinë e vet ua kalonte edhe Parlamenteve evropiane, u trajtuan e u shoshitën deri në imtësi, tema intersante që lidheshin me Plisin dhe koloritin e tij shumëdimensional nëpër epokat e ndryshme historike. Gjallimi i tij përballë sfidave të jetës tregon më së miri ekzistencën e etnisë sonë në trojet tona stërgjyshore, me rrënjë të thella nën shkëmbinjtë strallorë. Bardhësia e tij mundi errësirën e natës pesëqindvjeçare të pushtuesve aziatikë e më vonë atë të cerberëve të përtej Tunës…

Kësaj radhe për Plisin dhe rëndësinë e tij nëpër kapërcyellët e historisë, ligjëruan: Dr. Mehmet Rukiqi, Daut Demaku, Muhamet D. Rugova, Pro. Dr. Masar Rizvanolli, Brahim Avdyli, Xhemaladin Salihu, Berat Luzha, Bedri Tahiri dhe Prend Buzhala…

“Gjithmonë plisi është konsideruar dhe konsiderohet shenjë e autoktonisë etnike shqiptare. Kjo shenjë e identitetit shqiptar, ka rrënjë të moçme, mu si lashtësia e qenies së tij në gjuhë, trashëgimi e kulturë. Plisi shënjonte krenarinë e shqiptarit, kudo e kurdo që gjendej jashtë shtëpisë së tij”,- konstaton në fillim të kumtesës së tij Prend Buzhala, me titull “Dekalog për plisin shqiptar”, për vazhduar me shkoqitje e zbërthime interesante.

Ndërkaq, Muhamet D. Rugova, në kumtesën etij “Plisaxhiu më i ri nëpër vorbullën e jetës”, duke folur për Zenun Damon Lilën, rrëfen një histori interesante për plisaxhiun e ri e njëkohësisht edhe për procesin e punimit të tij.

Pro. Dr. Masar Rizvanolli me kumtesën “Qeleshepunuesit e Gjakovës” sejll fakte të rëndësishme e mjaft interesante për zanatin e qeleshepunuesve në Gjakovë, duke shpjeguar edhe llojet e qelesheve. Është me rëndësi që edhe vetë shqiptarët në Luftën e Kosovës (1389) kishin bartur qeleshe të bardha në formë të rrumbullakët.

Për gjenezën dhe lashtësinë e plisit më gjerësisht shkroi Brahim Avdyli në kumtesën “Përdorimi i plisit gjatë mijëvjeçarëve dhe interpretimet tona”. Ai shkon larg e larg, deri te Pellazgët dhe hyjnitë, të cilët paskan bartur plisin e bardhë, i cili, në fakt, është gjysma e vezës hyjnore…

Xhemaladin Salihu në kumtesën “Presheva dhe plisi i bardhë nëpër kohë”, konstaton se preshevasit me xhelozi të madhe ruajtën traditën e tyre kulturore, sidomos veshjen kombëtare me Plisin e Bardhë.

Ndërkaq, Berat Luzha sejll një shkrim interesant “Oda e mysafirëve-monument etnografik dhe institucion i trashëgimisë kulturore”, ku flet për rëndësinë e këtij institucioni, ku me sukses është ruajtur qenia jonë kombëtare. Mos të harrojmë se Berati edhe sot e ka një odë të tillë në vendlindje.

Dr. Mehmet Rukiqi ligjëroi për simbolikën dhe rëndësinë etnografike të plisit dhe evokoi figurën historike të Azem Galicës, sipas traditës popullore”…

Në anën tjetër, Daut Demaku, u paraqit me një vështrim tjetërfare, duke shtjelluar në përqasje me shëndetin dhe ndërkomunikimin kulturologjik të bartjes së Plisit.

Në kuadër të kumtesave janë përfshirë edhe anekdotat e Salih Zogianit, të cilat janë një pasuri e begatë e trashëgimisë sonë popullore.

2. Kapitulli i dytë i librit që po e shqyrtojmë “DITA E PLISIT”, përmban reportazhe, mbresa dhe fjalë përshëndetëse, të cilat, gjithashtu, paraqesin një pasuri shkrimore etnografike historike për Plisin dhe vlerat e tij kombëtare.

Që në fillim kemi Prend Buzhalën me shkrimin”Plisi i bardhë, ai Flamur shpirti”, kushtuar Haxhi Sylë Delisë nga Zhebeli i Gjakovës, i cil kaloi nëpër kalvaret e jetës zezonë, deri edhe përjetues i luftës së fundit të UÇK-së, por kurrë nuk u dorëzua.

Bedri Tahiri me fjalën e tij përshëndetës “Mysafirët e veçantë në Kullën e Azem Galicës” para lexuesit shpalos një historik të shkurtër të luftëtarve të Azem Galicës, duke gërshetuar e ndërlidhur tubimin e sotëm me kuvendet e kryetrimit që atëbotë, me trimat e tij, organizonte në Kullën e tij legjendare, në selinë e Arbërisë së Vogël.

Ndërkaq, kryetari i Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyqi”, z. Agron Isa Gjedia, i cili me sukses organizon “Festën e Plisit të Bardhë” (Ku edhe unë, në Dajt, më 26 8 2002, u nderova me titullin “HASAN PRISHTINA”), në fund të përshëndetrjes, u shpreh: ”Kjo ditë mbetet për t’u shënuar në kujtesë ndryshe nga ditët e tjera”.

Në këtë kapitull janë përfshirë edhe shumë reportazhe e lajme kulturore të portaleve e të gazetave të ndryshme, të cilat në mënyrë përmbledhëse japin atmosferën madhështore të asaj dite me përmasa kombëtare. Pos këtyre që u thanë, aty gjejmë edhe fjalët e mysafirëve: Rifat Jashari, Ndua Sana, përfaqësues i shoqatës “Dukagjini” nga Shkodra, Prel Milani, këngëtarët, Tahir Seferi nga Shkupi e Nazmi Hajdari nga Ferizaji, përfaqësuesi i shoqatës “Miqtë e Amerikës”, z. Agim Rexhepi etj.

Këtu vlen të veçohet reportazhi i Milazim Kadriut “Në kullën e Azem Galicës u mbajt manifestimi “Dita e Plisit”, si dhe ai i Besim Cengut “Plisi është lashtësia, identiteti dhe dëshmia më autetntike e ekzistencës tonë si popull i lashtë”. Ky i fundit, më shumë i ngjason kumtesës dhe mjafton të citojmë fillimin: ”Pas gjuhës, plisi është gjurma më e lashtë që e tejaklon vjetërsinë prej më shumë së 8 mijë vitesh, që kur ka filluar të kultivohet e mbarështrohet delja nga njeriu”…

Kjo pjesë përmbyllet me falënderim, mirënjohje, prozë poetike etj.

3. Në kapitullin “PORTRETE, ANALIZË VEPRASH”, janë vendosur shkrimet e Ismet Krasniqit për dy rapsodët e njohur, Nazmi Xh. Hajdarin e Ferizajt dhe Tahir Seferin e Shkupit si dhe shkrimi i gjatë e analitik i Gjon Neçajt për Ali Dacin, mësuesin e veprimtarin e shquar, themeluesin e organizatës “KOSOVA” për Sanxhakun.

4. Kapitulli i parafundit “POEZI E KËNGË PËR PLISIN” paraqet atraktivitet të veçantë poetiko- letrar. Këtu, me krijimet e tyre, janë radhitur: Sabri Hamiti, Ramadan Mehmeti, Ahmet Selmani, Rami Kamberi, Gjin Morina, Demë Mulliqi, Halil Xani, Sadbere Gagica-Spahija, Shaban Pllana, Sulejman Dërmaku, Sylë Bajrami, Agim Desku, Sejdi Berisha, Ajet Shala, Ramë Smajlaj, Sheremet Prokshi, Sherife Berisha- Thaçi, Remzije Zekolli, Ismet Krasniqi, Raif Gashi, Zhuljeta Grabocka-Çini, Musa Japolli, Mentor Thaçi, Elfie Luzha dhe Silva Xhemo (Alisa Sila).

5. Nëse i besojmë, dhe patjetër duhet besuar, asaj thënies së mençur se një fotografi flet më shumë së njëmijë fjalë, atëherë kapitulli që ia shton vlerat librit “DITA E PLISIT”, padyshim mbetet ai i fundit “FOTOALBUMI”. Në të janë paraqitur mbi dhjetëra fotografi, të shkrehura nga duart mjeshtërore të fotoreporterëve Sadri Miftar Hadergjonaj dhe Kaltrina Krasniqi e të përzgjedhuar nga syri i artistit, Ismet Krasniqi, të cilat mjaft bindshëm pasqyrojnë rrjedhën dhe ecurinë e Manifestimit, mbajtur më 28 Tetor 2017, në Kullën e Azem Galicës.

Përfundimi

Duke mos e zgjatur më shumë, ngase verdiktin më të saktë e japin vetë lexuesit, mund të konstatohet se libri “DITA E PLISIT”, vëllimi i katërt, i autorëve Ismet Krasniqi e Prend Buzhala, paraqet një mozaik të shkëlqyer ylberor, me ngjyrime studimore, poetike, muzikore, tregimtare e me foto që flasin vetë.

Pra, është një libër me vlera të mëdha kombëtare, i nevojshëm për bibliotekat tona personale e shtetërore, për të rinj e për të moshuar, sepse, në të gjejnë informacione të mjaftueshme për simbolin tonë të stërlashtë kombëtar, për PLISIN, për hsitorikun e tij, që na shpie deri në kohët mitike.
Autorëve u dëshirojmë shëndet e suksese të mëtejme, ndërkaq librit, mirëpritje nga lexueist!

Galicë, më 13 maj 2018

Gazetari

Read Previous

Qëllimet e martesës në Islam

Read Next

Moti në Kosovë