Çka është Shenzheni kinez që Grenell e përmendi si zgjidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Portali serb “Alo” ka analizuar se cili mund të jetë propozimi i të dërguarit special për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell për një model të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell ka dhënë një propozim në lidhje me Kosovën, raporton portali serb “Alo.rs”.

Është e vështirë të tërhiqet një paralele mes asaj që ka propozuar Grenell dhe zonën speciale ekonomike në Shenzen.

Por, nga deklaratat e Grenellit nuk mund të sqarohet se çfarë mund të përbëjë një zonë të tillë dhe me cilat themele mund të krijohet, deklaroi Milorad Denda, ish korrespodent i agjencisë së lajmeve “Tanjug”.

Grenell gjatë një interviste për televizionin amerikan “Newsmax” deklaroi se Beogradit dhe Prishtinës u ka propozuar modelin e bashkëpunimit ekonomik kinez në përputhje me zonën speciale ekonomike në qytetin kinez, Shenzen.

Denda ka theksuar se është e paqartë se për çfarë e kishte fjalën Grenell në lidhje me “mini Shenzen” apo “mini Shengen”, por nëse e kishte fjalën për “mini Shenzen”, e paqartë është se cili territor do ta përbënte zonën speciale mes Serbisë dhe Kosovës, nëse do të jetë Kosova, Kosova dhe Serbia ose i gjithë Ballkani, tha Denda.

Si lindi zona e Shenzhen?

Milorad Denda ishte korrespodent i agjencisë Tanjug nga Kina, kur, në gusht 1979, u krijua një zonë speciale ekonomike në Shenzhen, së bashku me katër zona të tjera të ngjashme në jug dhe juglindje të Kinës.

Denda karakterizon krijimin e këtyre zonave si hapa historikë dhe vizionarë të udhëheqjes së atëhershme kineze të udhëhequr nga Deng Xiaoping. Pastaj, për herë të parë në histori, Kina u hap vullnetarisht vendeve të huaja – ndaj kapitalit të huaj dhe biznesit të huaj, transmeton lajmi.net.

“Deri atëherë, Kina u hap vazhdimisht me forcë. Kujtojmë shekullin e 19-të dhe pushtimin e trupave britanike dhe franceze në Pekin dhe Kinën jugore, Luftërat e Opiumit, pastaj pushtimin e Japonisë në fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Pastaj, siç thoshte vetë Deng, për herë të parë, Kina vendosi të hapte veten drejt botës vullnetarisht, më vete, të fillojë të zhvillohet ekonomikisht dhe të mësojë nga të tjerët, gjë që është gjithashtu shumë e rëndësishme”, thotë Denda.

“Vendosja e zonave të veçanta ekonomike nënkuptonte vendimin për të organizuar prodhimin, marrëdhëniet ekonomike, tregtinë, sistemin e taksave në zona të caktuara të kufizuara gjeografikisht, duke ndjekur shembullin e ekonomisë kapitaliste, dhe që Kina të fillojë të mësojë nga ekonomitë e suksesshme të asaj kohe – thotë ai, shkruan Alo, transmeton lajmi.net.

Zonat janë ndërtuar në katër parime themelore – të ndërtohen duke u mbështetur në tërheqjen dhe përdorimin e kapitalit të huaj; që format kryesore ekonomike të jenë investime të përbashkëta Sino-të huaja, por duke sjellë kompani që janë plotësisht në pronësi të huaj; për të eksportuar sa më shumë që të jetë e mundur nga zonat dhe për të bazuar zonat ekonomike në ligjet e tregut.

“Zona e veçantë ekonomike në Shenzhen, afër Hong Kong, filloi të punojë mbi ato katër parime. Sot, Shenzhen është një qytet me gati trembëdhjetë milion banorë. Kur kaloni nga Shenzhen në Hong Kong sot, nuk e shihni atë ndryshim të madh, të cilin e pashë kur u transferova nga Kina në Hong Kong. Sot nuk ka asnjë ndryshim, as urban dhe as arkitektonik, nuk ka asnjë ndryshim në mënyrën e jetës. Sot, ai është pothuajse një qytet i lidhur”, përfundoi Denda.

Fitore H

Read Previous

Mbesa e Presidentit, deputetja e PDK’së: Aktakuza ndaj Presidentit e Kryetarit të PDK’së shantazh politik amatoresk

Read Next

Petritsch: Kam punuar që të ketë Gjykatë, Thaçi të japë dorëheqje si Haradinaj më herët