Burim Gjaka; “Qeverisja E Mirë ” Në Kosovë Dhe Roli I Opozitës Në Këtë Qeverisje

Kur u mbajtën zgjedhjet vitin e kaluar dhe u votuan organet qeverisëse të vendit të gjithë ne menduam se do të kemi një qeverisje kredibile, të besueshme dhe punëtore në të mirë të vendit. Ky optimizëm i yni bazohej në dy arsye, e para u zgjodh për kryeministër njeriu i cili me vite trumbetonte se e donte atë pozitë dhe se do ta drejtonte siç është më së miri, duke pasur prapa edhe forcat tjera që kishin lider si Veseli e Limaj ( një treshe e fuqishme në praktikën politike) dhe e dyta pasi që mbeti një opozitë e fortë LDK-VV. Nga këto dy alternativa populli kishte shpresën se do të ndodhte një qeverisje e mirë dhe e kontrollluar nga një opozitë e fortë të cilët po ashtu kishin bër zhurmë kinse ishin kujdestarë të ndalimit të keqqeverisjes në vend.

Ekzekutivi filloi punën me pritje dhe premtime të jashtëzakonshme porse duke i zhgënjyer qytetarët shumë më shpejtë se që ishte pritur. Sfida e parë e kësaj qeverije ishte kalimi i demarkacionit në kuvend gjë që edhe ndodhi, por duke mos dhënë shpresa se mund të ketë diçka më ndryshe nga versioni të cilin e kishte kundërshtuar kryeministri aktual për kohë të tëra. Dhe për t`u argumentuar kjo mund të përdoret fakti se prej që është votuar ky version përfundimtar, asnjë veprim në drejtim të korrigjimit të gabimeve eventuale nuk ka ndodhur, edhe pse është votuar më këtë qasje dhe këtë arsyetim. Shkarkimi i bordeve të ndryshme, emërimet e njëpasnjëjshme në poste udhëheqëse pa pikë profesionalizmi, emërimi pothuajse çdo ditë i nga një zavendës ministri apo kordinatori, ngecja në fushën e njohjeve dhe skandali i fundit me rritjen e pagave janë vetëm disa nga njollat e kësaj qeverie.

Por cili është roli i opozitës në këtë katrahurë? Si ka mundësi gjithë ky luks i pushtetit në kurriz të qytetarëve dhe nuk kemi ndonjë organizim apo kundërshtim më serioz nga ana e opozitës, karshi kësaj “qeverisje të mirë”. Dërgimi i vendimit për rritje pagash në kushtetuese ishte gabim strategjiki opozitës, ngase është dashur të dihet se vendimi për rritje pagash reflekton edhe në rritjen e pagave të gjykatësve, prandaj ata nuk do të votonin kundër vetvetës. Vlenë të çmohet në këtë mes roli i ministrit të finacave z. Hamza, i cili po qëndron stoik në kundërshtimet e tij kundër këtij vendimi skandaloz i cili do ta varfëroj Kosovën edhe më tutje.

Momentalisht qeveria aktuale nuk i ka shumicën e votave në kuvend, dhe në një situatë të tillë kur kemi plotë arsye për zgjedhje, opozita do të duhej t`i ngjeshte radhët e veta dhe të kërkonte mocion mosbesimi për ta rrëzuar këtë qeverisje të cilën sa për folklor dhe marketing e kundërshtojnë çdo ditë, bile edhe vullgarisht. Por pse nuk po ndodh ky mocion mosbesimi, i cili kur do që të ndodhte do të ishte i mirëseardhur për popullin.

LDK si partia më e madhe opozitare po e ndjenë mungesën e liderit të saj z.Mustafa dhe si pasojë e mungesës së tij po u frigohet zgjedhjeve, ngase ka ambicie të mëdha, të shumë individëve brenda saj të cilët pretendojnë të jenë kandidatë serioz për kryeministër dhe kështu mund të ndodhë ndonjë përqarje e cila mund ta dëmtonte LDK-në si parti në zgjedhje. Këto ambicie janë bër edhe më të mëdha tashmë kur kjo parti llogarit veten si partia e parë në vend.

Në anën tjetër VV po u përton zgjedhjeve si pasojë e ndarjes në dysh dhe shkuarja në zgjedhje në një situatë të tillë kur nuk e din as saktësisht elektoratin që i ka ikur, apo i ka mbetur do të thoshte ecje në një rrugë pa dalje. Po ashtu në situatë gati të njejtë qëndron edhe PSD, e cila ende nuk e ka konsoliduar fuqinë e saj nëpër komuna dhe shkuarja në zgjedhje kur një parti është pa struktura është rrisk në vete. Në këtë situatë ndoshta partitë opozitare po presin që vendin ta dërgoj në zgjedhje vet z. Veseli, por edhe ky opcion është vështir i realizueshëm sepse as PDK nuk ka momentalisht strukturë stabile nëpër degë, prandaj edhe ka filluar zgjedhjet në rini duke u frikësuar turbulencave brenda partisë .

Konsiderojmë të gjithë në përgjithësi po u frikohen humbjes së mandateve dhe privilegjeve tjera dhe kur situata është e tillë të gjithë po bëjnë blerjen e kohës, por duke mos e pranuar se janë duke bër diçka të tillë. Në këtë situatë për të gjitha të këqiat që po i ndodhin vendit nga kjo qeveri nuk mund te shfajësohet as opozita, sepse nuk ka inciativa serioze për t`ia ndalur rrugën kësaj keqqeverisje. Këtu vlenë thënia e Colin Powell i cili thotë:
“Më jep njerëzit e duhur dhe nuk më intereson se çfarë organizate do më japësh, gjëra të mira do të ndodhin, më jep njerëzit e gabuar dhe nuk ka rëndësi se çfarë do të bësh me organizatën, gjëra të këqija do të ndodhin”.

Gazetari

Read Previous

Gjermania për “jetë e vdekje” me Suedinë, Belgjika për të kompletuar kualifikimin

Read Next

Rama shan qytetarin:Çfarë vodha unë mor të q**sha robt. Mor rrugaç, mor maskara…