Bilanci në Kosovë për Covid-19, personi i parë që vdiq nga ky virus ishte nga Podujeva

Kosova është duke u ballafaquar me virusin Covid-19, deri më sot janë testuar 13 mijë e 124 persona të dyshimtë për koronavirus dhe prej tyre pozitiv rezultojnë gjithsej 1 mijë e 32 raste.

“Nga data 08 shkurt deri më 23 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 13.124 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.032 raste, me gjithsej 29 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”, thuhet në njoftim të IKSHPK-së, shkruan Gazeta Sinjali.

Numri i të shëruarve është shumë më i lartë sesa i të infektuarave, pasi nga 1 mijë e 32 raste të infektimit,785 janë shëruar dhe 29 kanë vdekur.

Rasti i parë i vdekjes nga Covidi-19 në Kosovë ka ndodhur në Podujevë, saktësisht në fshatin Dumnicë. Viktima ishte 82 vjeçar i cili ishte infektuar nga djali i tij.

Me zvogëlimin e të infektuarve, qeveria në detyrë ka bërë lehtësimin e masave, faza e parë e lehtësimit ka ndodhur më 4 maji ndërsa faza e dytë ka filluar nga 18 maji.

Për shkak të koronavirusit, si asnjëherë më parë namazi i Bajramit nuk është falur në  xhamitë e vendit.

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, por edhe liderët politikë, kanë ftuar besimtarët dhe gjithë opinionin e gjerë që t’u përmbahen udhëzimeve dhe rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për t’u mbrojtur nga pandemia, duke anuluar edhe vizitat familjare.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 23 maj 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 5.378.403 raste të Covid-19 dhe 342.840 raste të vdekjes.

Fitore H

Read Previous

LDK’ja pret që brenda javësh Hoti të bëhet kryeministër

Read Next

COVID-19, mbi 1 200 persona në Prizren rrezikojnë të mbesin pa punë