Lajme Vend 

Bie frikshëm niveli i ujit në Përlepnicë, gjilanasit rrezikojnë të mbesin pa ujë

Banorë të Komunës së Gjilanit tash e dy muaj janë duke u përballur me mungesë të ujit për pije.

Niveli i ujit në pendën e Përlepnicës, nga i cili furnizohen me ujë të pijshëm rreth 60 për qind e qytetarëve të  Komunës së Gjilanit, ka rënë nga 30 metra në 8.90 metra.

Shkak për këtë është thatësia e madhe nga mungesa e reshjeve atmosferike muajve të fundit, që janë burim i furnizimit me ujë të kësaj pende.

Kryeshefi i Ujësjellësit Rajonal “Hidromorava”, Muhamed Suliqi, i kanë thënë lajmit se nëse niveli i ujit bie nën 7 metra, shfrytëzimi i ujit është i pamundur.

“Përderisa nuk bie shi nuk mund të përmirësohet, krejt varet nga kushtet atmosferike se nuk kemi atje ndonjë burim që rrjedh lumë atje për tu mbushur, por edhe ato kroje që kanë qenë atje janë shterur sepse varen nga të reshurat atmosferike të ujit. Për momentin nivelin e kemi 8.90 ku deri në 7.5 metra mund të marrim ujë teknikisht”, ka thënë Suliqi.

Suliqi po ashtu ka thënë se kanë bërë planin për menaxhimin e kësaj situate dhe kanë gjetur alternativa tjera të furnizimit me ujë, si dhe kanë bërë reduktime të ujit në mbrëmje.

Sipas tij, reduktimet te Penda janë nga ora 21:00 deri në ora 06:00 të mëngjesit. Ndërsa në Bajë janë nga ora 24 deri në 06:00 të mëngjesit, kurse furnizimi nga puset në Velekincë është 24 orë në 7 ditë.

“Kemi gjetur alternativa ku vazhdimisht i kemi njoftuar edhe qytetarët, jemi duke punuar në atë drejtim, besoj që shumë shpejt do t’i aktivizojmë puset të FSK-ja. Nëse vazhdon kjo gjendje edhe një kohe të gjatë atëherë problemin mund ta kemi te Penda që mund të ndërpritet për shkak të sasisë së ujit, por me këto burimet të tjera që i kemi, atëherë do t’i furnizojmë qytetarët me ujë, por me reduktime. Nuk do të thotë që qytetarët mbesin pa ujë, por vetëm me reduktime, pra kemi edhe alternativa tjera. Penda është burimi kryesor, por mbi të gjitha ne kemi edhe burime tjera dhe e kalojmë këtë situatë bashkërisht”, ka thënë tutje ai.

Kujtojmë, se një gjendje e tillë në Gjilan kishte mbretëruar edhe gjatë muajit qershor, ku niveli i ujit në pendën e Përlepnicës, kishte rënë në 16.50 metra.

Për këtë kryetari i komunës së Gjilanit kishte shpallur edhe gjendje emergjente për shfrytëzimin e ujit. 

Të fundit nga kategoria

Leave a Comment

Social media & sharing icons powered by UltimatelySocial