Lajme 

BE-së nuk i interesojnë deklaratat e Kurtit për dialogun, kërkon heqjen e taksës

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi është bllokuar që nga nëntori i vitit të kaluar, kur qeveria e Kosovës vendosi taksë 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe në krye ishte Ramush Haradinaj.

Në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit fituese doli Lëvizja Vetëvendosje me kandidatin për kryeministër, Albin Kurtin. Edhe pse Kurti është deklaruar pro heqjes së taksës dhe vendosjes së reciprocitetit me Serbinë, këta të fundit po e shohin proces të vështirë të dialogojnë me të.

Kjo për faktin se lideri i VV-së vazhdimisht ka deklaruar se prioritet duhet dhënë dialogut me serbët e Kosovës, si qytetarë të vendit tonë. Shpresat për dialog të mirëfillt, Kurti ua shuajti palës serbe kur të hënën tha se marrëveshja e Asociacionit të komunave serbe nuk do të zbatohet asnjëherë, shkruan lajmi.net.

“Asosacioni ka vdekur. Ai është projekt i Serbisë në Kosovë. Nuk është vullnet i minoritetit serb në vend. 132 mijë serbë i ka Kosova dhe asnjëherë nuk është dëgjuar nga ata ndonjë ankesë për krijimin e Zajednicës. Pse ata nuk kërkuan Asosacion? Kjo për shkak se nuk e duan këtë. Ata duan të drejtat e tyre dhe jo projekte shovinste të Serbisë në Kosovë. Serbia po kërkon të marrë diçka nga vendi ynë”, theksoi Kurti.

Zyrtarë serbë reaguan ndaj kësaj deklarate duke thënë se Kurti e ka për detyrë t’i zbatojë marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel nga paraardhësit e tij. Madje, drejtori i Zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq kërkoi reagim nga Bashkimi Evropian.

Sipas tij, duke mos inkurajuar krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe, Kurti e zhvlerëson drejtpërdrejt BE-në.

Mirëpo, deklaratat e Kurtit nuk ka pranuar t’i komentoj Bashkimi Evropian.

“Ne nuk i komentojmë komentet”, ka thënë për lajmi.net, zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiç.

Tutje, ajo ka ripërësëritur qëndrimet e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës është një proces i ngritur nga Asambleja e Përgjithshme e OKB dhe i mbështetur nga shtetet anëtare të BE-së. Që procesi të rifillojë, së pari kemi nevojë për një qeveri të re në Kosovë pas zgjedhjeve të 6 tetorit, dhe qeveria e re e Kosovës duhet të heqë taksën”, ka theksuar Kocijançiç

Sipas saj, Serbia gjithashtu duhet të sigurojë që të ruhet një mjedis i favorshëm për dialogun.

“Ne presim që të gjitha palët politike të qëndrojnë të përkushtuar ndaj këtyre proceseve, të cilat janë thelbësore për Kosovën, Serbinë dhe të ardhmen e rajonit. Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me shtetet anëtare dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara”, ka përfunduar zëdhënësja e BE-së.

Theksojmë se edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdimisht po insistojnë në vazhdimin e dialogut dhe arritjen e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi.

Ndërsa, ky proces do të vazhdojë të mbetet i bllokuar, derisa të krijohet qeveria e re e Kosovës.

Të fundit nga kategoria

Leave a Comment

Social media & sharing icons powered by UltimatelySocial