Lajme 

Avni Dehari: Konkluzionet e ekspertizës thonë se Astriti është vrarë

Pas marrjes së raportit nga Instituti zviceran, ka folur babai i Astrit Deharit. Avni Dehari ka thënë se e kanë marrë raportin në dy kopje, dhe sipas konkluzioneve ka dalë se Astrit Dehari është vrarë.

Tutje ai ka kërkuar që të hapen hetimet për rastin e ndodhur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren para 3 vjetëve.

“Tash sa dolëm nga prokuroria ku ishin të pranishëm kryeprokurori dhe Metush Biraj. Raportin na e kanë dhënë në dy kopje, në dy gjuhë dhe të përkthyer. Sipas konkluzioneve, bëhet fjalë për vrasje e jo për vetëvrasje. Sipas ekspertizës, bëhet fjalë për vrasje dhe duhet të hapen hetimet për vrasjen”, ka thënë ai.

Babai i Astritit, Avni Dehari, pas marrjes së raportit ka deklaruar se shteti është munduar ta fshehë gjithë rastin.

Ai e ka bërë fajtor prokurorin Sylë Hoxha, i cili në fillim ka qenë prokurori i cili është marrë me këtë rast, si dhe ish-ministren Dhurata Hoxha, e cila kishte qenë ministre e Drejtësisë në kohën kur Dehari kishte vdekur.

“Unë shfrytëzoj rastin si prind që ta falënderoj avokatin që ta zbardhë të vërtetën si rast. I falënderoj ekspertët që nuk u janë nënshtruar trysnive politike për ta dhënë një raport. Dua ta përmend se në rastin e Astrit Deharit që e kanë vrarë në burgun e Prizrenit, përgjegjës janë përveç Sylë Hoxhës së bashku me kompaninë e tij e ministren Dhurata Hoxha”, ka deklaruar Avni Dehari.

Tuje ai e ka akuzuar gazetarin Baton Haxhiu të Klan Kosovës e Vehbi Kajtazin e Insajderit, të cilët vazhdimisht, sipas tij, rastit i janë referuar si vetëvrasje.

“… ata janë edhe argat në rastin konkret. Baton Haxhiu me klanin e vet, si media, e Vehbi Kajtazi i Insajderit, që, vazhdimisht, në media kanë tentuar ta bindin opinion se bëhet fjalë për vetëvrasje e jo vrasje”, thotë Avni Dehari.

Të fundit nga kategoria

Leave a Comment

Social media & sharing icons powered by UltimatelySocial