Argumentet e Thaçit për kufijtë konsiderohen fyese

Përfaqësues e ish-përfaqësues të shtetit kanë argumentuar të premten rreziqet që i kanosen Kosovës nga ideja për “korrigjim” të kufirit me Serbinë, të cilën prej muajsh e proklamon presidenti Hashim Thaçi.

Disa nga ta i shohin tallëse arsyetimet që përdor kreu i shtetit kur përpiqet ta argumentojë këtë ide, shkruan sot Koha Ditore.

Thaçi këmbëngul në të, ani se kundër ndryshimit të kufijve janë vënë jo vetëm opozita, por edhe vetë subjektet politike në koalicion, sikurse edhe shoqëria civile. Ai ka thënë se do të heqë dorë nga ideja vetëm nëse dikush e bind se, pa “korrigjim” kufijsh, siguron njohjen e shtetit nga pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian që refuzojnë ta bëjnë këtë. E vendet që nuk e kanë deklaruar këtë njohje janë: Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se njohja nga disa prej këtyre vendeve do të mundë të sigurohej, sikur në atë drejtim të ishte fokusuar energjia e shpenzuar në “korrigjimin” e kufijve.

“Më bëri përshtypje dje: Veseli tha se ‘shkëmbimi i territoreve a ndërrimi i kufirit është ide e Serbisë dhe e Rusisë’. Ideja me lëvizë me kufij, me territore, është shqetësuese. Jam kundër kësaj dhe nuk mendoj që është zgjidhja për asnjë gjë që na pret përpara. Si mund t’i marrim njohjet e këtyre vendeve, nëse atë energji që e çojmë sot në diskutimin për kufijtë e kishim çu kah marrja e njohjeve. Ndoshta Greqia, Rumania, Sllovakia na kishin njohur deri tash. Pra, duhet të fokusohemi tek kjo punë”, ka thënë Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë. “Ideja e korrigjimit ka vdekur. Ideja e korrigjimit, ndryshimit, luajtjes me territore ka vdekur”.

Gazetari

Read Previous

Nëntë punonjës të Fakultetit të Mjekësisë marrin rrogë në QKUK pa punuar fare

Read Next

Fundjava me vranësira dhe shi në Kosovë