ARDIAN GJINI: TË BËHEMI GATI PËR MË SHUMË RASTE ME COVID-19

Gjakova është qyteti i fundit që është shtuar në hartën e të prekurve me virusin COVID-19 në vendin tonë. Dy raste janë konfirmuar nga ky qytet, ndërsa lajmet që vijnë nga kjo komunë nuk janë të mira.

Kryetari i kësaj komune, Ardian Gjini, në një interviste për KosovaPress deklaroi se të prekurit me COVID-19 kanë pasur kontakte me njerëz të tjerë. Ky fakt e shqetëson të parin e Gjakovës që thotë se duhet të jemi gati për shtimin e numrit të të infektuarve.

“Ajo që është më brengosëse është se duhet të presim, duhet të jemi të gatshëm që numri i rasteve të jetë shumë më i madh, për shkak se të gjithë personat kanë komunikuar me persona të tjerë dhe ata persona të tjerë kanë komunikuar edhe me persona të tjerë. Fatkeqësisht në Kos ovë numri i testeve është i vogël, në të gjithë Kosovën edhe në Gjakovë, ne duhet të presim dhe të bëhemi gati që kemi më shumë raste”, deklaroi Gjini për KosovaPress.

Pas konfirmimit të dy rasteve nga Gjakova, numri i të infektuarve shkoi në 19 në të gjithë vendin. Kjo bëri që presidenti i vendit, Hashim Thaçi, të ftojë Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe të dërgojë në Kuvend dekretin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Mirëpo kryeministri Albin Kurti u shpreh kundër kësaj duke e cilësuar edhe ekstreme. Për të gjitha këto zhvillimi, Gjini tha se është një situatë shumë e paqartë.

Sipas tij, Thaçi nuk e ka sqaruar tërësisht se çfarë nënkupton dhe cilat janë arsyet që mund të çojnë vendin në gjendje të jashtëzakonshme, ashtu sikurse qeveria sipas tij nuk e ka sqaruar pse është kundër.

Kryetari i Gjakovës tha se të gjithë duhet të marrin përgjegjësitë që i takojnë d he se vendi nuk ka nevojë për situata të tillë.

“As presidenti nuk e ka sqaruar tërësisht se çfarë nënkupton gjendja e jashtëzakonshme dhe cilat janë arsyet që mund të sjellin deri të shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme dhe as qeveria dhe kryeministri nuk kanë shpjeguar qartësisht se pse janë kundër. Mendoj se nuk kemi nevojë për kësi situate, më kryesorja që të gjithë njerëzit ta kryejnë punën e vet dhe të mos merren me punën e tjetërkujt, sidoqoftë do të shohim se çfarë do të ndodhë sot edhe nesër”, tha Gjini.

Gjini kërkoi që qendrat e mjekësisë familjare dhe spitalet të pajisen me mjete, me preparate, ndërsa të ketë më shumë testime të njerëzve.

I pyetur për komunikim me qeverinë, ai deklaroi se nuk ka pasur një komunikim të rregullt por shtoi se nuk dëshiron të kritikojë qeverinë për gjithçka.

Fitore H

Read Previous

Coronavirusi mbyll edhe Las Vegasin, për shkak të virusit nuk punojnë kazinotë

Read Next

Çfarë ndodh me trurin gjatë vetë-karantinimit